Të gjitha zhvillimet e mëdha botërore e edhe ato në Kosovë, gjatë javës që lamë pas, u shfrytëzuan nga Serbia dhe Rusia për të përhapur dezinformata në favor të tyre. Ato nuk lanë pa shfrytëzuar atentatin ndaj kryeministrit sllovak, vdekjen e presidentit iranian e Rezolutën e Srebrenicës.
I tillë ishte edhe rasti i mbylljes së të të ashtuquajturës Bankë Postare e Kursimeve (Banka Postanske Stedionica) si institucion i jashtëligjshëm financiar i Serbisë në Republikën e Kosovës, për çka në Beograd pati dezinformata se po kërcënohen serbët.
E derisa Beogradi përhapte dezinformata, autoritetet në Kosovë thanë se kjo u bë me qëllim të vendosjes së ligjshmërisë, pas komunikimit dhe kërkesës së institucioneve relevante dhe autorizimit të prokurorit.
Banka Postare Kursimore e Serbisë që u mbyll të hënën ka operuar në Kosovë në kundërshtim të plotë me ligjet në fuqi. E palicencuar nga Banka Qendrore e Kosovës, ajo nuk ka raportuar për qarkullimin financiar dhe as nuk është mbikëqyrur nga autoritetet relevante. Një operim i tillë i të ashtuquajturës bankë paraqet rastin e vetëm në Evropë dhe më gjerë. Kjo “bankë” nga pesë objekte sa ka shfrytëzuar, tri prej tyre i kishte uzuruar pasi të njëjtat janë pronë e AKP-së. Të gjitha këto fakte demantojnë dezinformatat e Serbisë se gjoja serbët po kërcënohen.
Gjatë javës që lamë pas, dezinformata pati edhe për ShBA-në, Perëndimin dhe rezolutën e Srebrenicës.
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov dhe ish-ministri i Jashtëm i Iranit Javad Zarif kanë dezinformuar se sanksionet e SHBA-së ndaj Iranit kanë ndikuar në rrëzimin e helikopterit ku mbeti i vdekur presidenti iranian, Ebrahim Raisi.
Zyrtarët amerikanë i hodhën poshtë me shpejtësi akuzat si “të pabaza”, ndërsa Irani kishte kërkuar ndihmë nga SHBA pas aksidentit.
E shërbimi i Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR) përhapi dezinformata se elitat globaliste totalitare-liberale të Perëndimit qëndrojnë pas tentativës për vrasjen e kryeministrit sllovak Robert Fico, duke e përshkruar atë si “fillimin e terrorit politik kundër kundërshtarëve të tyre”. Një pretendim i tillë demantohet fare lehtë kur dihet se zyrtarët perëndimorë kanë theksuar vazhdimisht përkushtimin e tyre ndaj proceseve demokratike dhe sundimit të ligjit.
Dezinformata serbe dhe ruse u përhapën edhe për Rezolutën e propozuar për Srebrenicën.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe ambasadori rus në OKB, Vasily Nebenzya pretenduan në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për gjoja presion perëndimor dhe parregullsi procedurale në lidhje me rezolutën e propozuar për Srebrenicën. Vuçiq akuzoi Perëndimin dhe OKB-në se “po kërcënojnë shtetet anëtare të OKB-së”, ndërsa Nebenzja kritikoi mënyrën se si u propozua dhe u miratua rezoluta.
Pretendimet e Vuçiqit dhe Nebenzya për presionin perëndimor dhe parregullsitë procedurale në rezolutën e Srebrenicës janë dezinformata që synojnë diskreditimin e përpjekjeve ndërkombëtare për të njohur dhe dënuar gjenocidin.
Ndërsa, presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik ka dezinformuar pavarësisht faktit se OKB ka miratuar Rezolutën për Gjenocid në Srebrenicë duke thënë se OKB-ja nuk e mbështeti atë dhe se nuk e ka arritur shumicën.
Kjo është një tentativë tjetër e Dodikut për të vazhduar me mohimin e gjenocidit dhe për të mos e marrë përgjegjësinë për gjenocidin në Srebrenicë.
Më 23 maj, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën që e shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë. Rezoluta kaloi me 84 vota për. Kundër ishin 19, ndërsa abstenime 68.
Rezoluta ishte bashkësponsorizuar nga Gjermania dhe Ruanda.
Më 11 korrik 1995, forcat serbe dhe serbët e Bosnjës pushtuan një zonë të sigurt të mbrojtur nga Kombet Bashkuar në Srebrenicë. Ata ndanë të paktën 8,000 burra dhe djem myslimanë boshnjakë nga gratë, nënat dhe motrat e tyre dhe i masakruan. Ata që u përpoqën të arratiseshin u ndoqën nëpër pyje dhe mbi malet përreth qytetit./The Geopost/