Vizita e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, në komunat e Preshevës dhe Bujanocit ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik. Ndërsa një pjesë e mediave dhe institucioneve raportuan për një vizitë zyrtare diplomatike dhe takime me përfaqësues lokalë, disa aktorë politikë në Serbi dhe përdorues të rrjeteve sociale e shfrytëzuan këtë ngjarje për të përhapur pretendime për një “hyrje ilegale”, “shoqërim të armatosur”, “zgjerim të Shqipërisë së Madhe” dhe “rrezikim të sovranitetit të Serbisë”.
Analiza e publikimeve në rrjetet sociale tregon se fotografitë dhe deklaratat reale nga vizita janë përdorur jashtë kontekstit, me qëllim krijimin e një narrative alarmiste.
Prania e shërbimeve të sigurisë, simboleve shtetërore dhe qytetarëve është paraqitur si një incident i pretenduar i sigurisë, megjithëse faktet në dispozicion nuk i mbështesin këto pretendime.
Faktet
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, zhvilloi një vizitë zyrtare në Preshevë dhe Bujanoc, ku u takua me përfaqësues lokalë dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar.
Për vizitën raportuan mediat rajonale, duke theksuar se Begaj zhvilloi takime me përfaqësues politikë lokalë dhe diskutoi çështje me interes për komunitetin shqiptar në Luginën e Preshevës.
Informacionet zyrtare për aktivitetet e Presidentit të Shqipërisë u publikuan edhe nga Ambasada e Shqipërisë në Serbi.
Nuk ekzistojnë prova se vizita ka qenë një operacion i fshehtë, hyrje e paautorizuar apo ndonjë aktivitet i drejtuar kundër integritetit territorial të Serbisë.
Sipas publikimit të Bibliotekës së Qytetit “Mehmet Jusufi” në Preshevë, vizita e Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, ishte e lidhur me hapjen e Panairit të Dytë të Librit Shqiptar, një aktivitet kulturor me moton “Libri dhe tradita”.
Në publikim thuhet se në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues të institucioneve, botues, shkrimtarë, artistë dhe vizitorë, ndërsa qëllimi i manifestimit ishte promovimi i librit, kulturës dhe leximit në gjuhën shqipe.
Organizatorët e prezantuan aktivitetin si një takim kulturor kushtuar letërsisë, artit dhe ruajtjes së identitetit gjuhësor e kulturor të komunitetit shqiptar. Vetë karakteri i këtij aktiviteti nuk përbën dëshmi për ndonjë plan për ndryshimin e statusit territorial të Serbisë.
Informacionet zyrtare për vizitën e Presidentit të Shqipërisë lidhen me aktivitete kulturore, takime me përfaqësues lokalë dhe diskutime për pozitën e komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës, dhe jo me ndonjë ndryshim territorial.
https://www.facebook.com/share/v/17rLEYVuNJ/?mibextid=wwXIfr
Konteksti i deklaratës për “botën shqiptare”: Identiteti nuk është i njëjtë me ndryshimin e kufijve
Një nga deklaratat më të keqpërdorura pas vizitës ishte mesazhi i kryetares së Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, se ardhja e Presidentit të Shqipërisë ishte “një mesazh i fuqishëm se Presheva dhe Lugina e Preshevës janë pjesë e pandashme e botës shqiptare”.
Disa portale serbe dhe profile në rrjetet sociale e paraqitën këtë deklaratë si dëshmi të pretendimeve territoriale të Shqipërisë dhe si një hap drejt krijimit të “Shqipërisë së Madhe”.

Demantim:
Megjithatë, shprehja “bota shqiptare” në diskursin politik dhe kulturor shqiptar përdoret më së shpeshti për të përshkruar hapësirat e lidhjeve kulturore, gjuhësore dhe historike të shqiptarëve që jetojnë në shtete të ndryshme.
Për një pjesë të përfaqësuesve politikë dhe intelektualëve shqiptarë, ky term nënkupton identitetin e përbashkët dhe lidhjet kulturore të shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Luginën e Preshevës dhe zona të tjera ku jeton komuniteti shqiptar.
Vetë përdorimi i këtij termi nuk përbën dëshmi për ekzistencën e një plani për ndryshimin e kufijve të njohur ndërkombëtarisht.
Në deklaratën e kryetares së Komunës së Preshevës, Ardeta Sinani, pas takimit me Presidentin e Shqipërisë Bajram Begaj, përmenden tema si pozita e komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës, arsimi, infrastruktura dhe të drejtat e qytetarëve, ndërsa shprehja “bota shqiptare” përdoret në kontekstin e identitetit dhe vëmendjes institucionale, jo si paralajmërim për ndryshim kufijsh.
https://www.facebook.com/ardita.sinani/posts
Deklarata nuk përmban thirrje për ndryshim kufijsh apo kërkesa territoriale, por një mesazh politik për mbështetje dhe lidhje me komunitetin shqiptar.
Manipulimi 1: “Siguria shqiptare po shëtitet nëpër Serbi me armë të gjata”
Disa llogari në rrjetet sociale publikuan fotografi të kolonave me automjete të zeza, duke pretenduar se bëhej fjalë për “shqiptarë të armatosur që hyjnë pa kontroll në Serbi”

Demantim:
Ky pretendim paraqet keqinterpretim të protokollit standard të sigurisë.
Gjatë vizitave të krerëve të shteteve dhe zyrtarëve të lartë shtetërorë është praktikë e zakonshme prania e ekipeve të sigurisë, automjeteve zyrtare dhe kolonave mbrojtëse.
Organizimi i vizitave të zyrtarëve të huaj zhvillohet përmes procedurave diplomatike dhe institucionale të shtetit pritës.
Organizimi i vizitave të zyrtarëve të lartë të huaj në Republikën e Serbisë realizohet përmes procedurave diplomatike dhe institucionale. Protokolli Diplomatik i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë merr pjesë në përgatitjen dhe realizimin e vizitave zyrtare të ministrave të jashtëm dhe zyrtarëve të tjerë të lartë në Serbi.
https://www.mfa.gov.rs/lat/ministarstvo/diplomatski-protokol/o-protokolu
Fotografitë e shoqërimit të sigurisë, në vetvete, nuk përbëjnë dëshmi për hyrje ilegale, rrezikim të sigurisë apo cenim të sovranitetit.
Manipulimi 2: “Shqipëria e Madhe po zgjerohet në Serbinë qendrore”
Disa profile dhe faqe të krahut të djathtë në rrjetet sociale përdorën fotografi të fëmijëve me veshje tradicionale dhe flamuj shqiptarë, duke pretenduar se vizita ishte dëshmi e “zgjerimit të Shqipërisë së Madhe”.


Demantim:
Pretendime të tilla paraqesin keqpërdorim të simboleve kulturore dhe kombëtare.
Prania e flamujve kombëtarë, veshjeve tradicionale ose simboleve të komunitetit në një ngjarje publike nuk përbën dëshmi për një plan politik për ndryshimin e kufijve.
Informacionet zyrtare për vizitën lidhen me takime me përfaqësues lokalë dhe çështje që kanë të bëjnë me pozitën e komunitetit shqiptar, dhe jo me ndryshime territoriale.
Ambasada e Shqipërisë në Serbi – aktivitetet e Presidentit Bajram Begaj
Manipulimi 3: Automjetet me targa shqiptare u paraqitën si “pushtim”

Në rrjetet sociale u shpërndanë fotografi të automjeteve me targa të Shqipërisë, duke pretenduar për “hyrje masive” dhe “pushtim”.
Demantim:
Prania e automjeteve me targa shqiptare gjatë vizitës së Presidentit të Shqipërisë nuk përbën dëshmi për hyrje ilegale apo kërcënim të sigurisë.
Delegacionet shtetërore, gazetarët, mysafirët dhe qytetarët mund të udhëtojnë ndërmjet shteteve në përputhje me procedurat në fuqi.
Një fotografi e një automjeti nuk mund të konfirmojë pretendimet për “pushtim” dhe as të paraqitet si dëshmi për një incident politik apo të sigurisë.
Përfundim
Vizita e Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, në Preshevë dhe Bujanoc nuk ishte “hyrje ilegale”, “pushtim” dhe as dëshmi për ndryshim kufijsh.
Analiza tregon se disa media, aktorë politikë dhe llogari në rrjetet sociale përdorën fotografi dhe deklarata reale, por i paraqitën ato përmes narrativave të pasakta dhe dezinformuese.
Vizita diplomatike u paraqit përmes narrativave dezinformuese si incident sigurie, protokolli standard i mbrojtjes si kërcënim, ndërsa simbolet kulturore dhe identitare si dëshmi të ambicieve territoriale.
Për pretendimet për ndryshim kufijsh ose “zgjerim të Shqipërisë së Madhe” në lidhje me këtë vizitë nuk ekzistojnë fakte të verifikueshme.
/The Geopost/

Dezinformatë në TikTok: Video i manipuluar nga viti 2022 u përdor për pretendimin se “ushtarët izraelitë po vijnë në Kosovë”
“Shteti mafioz”: Pse Serbia e sotme ngjan me Palermon e viteve ’70
Studentët serbë pas vizitës në Kosovë rrëzojnë propagandën e Beogradit: Na kanë gënjyer, serbët nuk janë të shtypur
Si dezinformon Sputnik për praninë e NATO-s në Kosovë
Katër kryeqytete, një problem: Shembja e kullës prej letrash të Vuçiqit!
Njëzet e shtatë vjet nga Marrëveshja e Kumanovës: Fundi i spastrimit etnik të Millosheviqit kundër shqiptarëve