Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Analiza
  • Lajme

Arrestohet pronari i Informer-it, Dragan Vuçiqeviq, dyshohet për shkaktim të panikut dhe trazirave, si dhe pengim të drejtësisë

The Geopost November 25, 2026 5 min read
Share the news

Pronari dhe kryeredaktori i televizionit Informer, Dragan J. Vuçiqeviq, është arrestuar në Beograd me urdhër të Prokurorisë Themelore të Dytë Publike.

Ai dyshohet për shkaktim të panikut dhe trazirave në vazhdimësi, si dhe për pengim të drejtësisë. Pas arrestimit të tij, para stacionit policor janë mbledhur zyrtarë dhe deputetë të Partisë Përparimtare Serbe (SNS), për t’i shprehur mbështetje.

Siç raporton portali Nova, Vuçiqeviq është arrestuar me urdhër të prokurorisë kompetente, nën dyshimin se ka kryer dy vepra penale.

Pas arrestimit, atij i është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë, brenda të cilit afat pritet të paraqitet para prokurorit.

Arrestimi vjen pas disa muajsh polemikash lidhur me politikën redaktuese të Informer-it, si dhe procedurave të ndërmarra nga Organi Rregullator për Media Elektronike (REM) kundër këtij televizioni.

Këshilli i REM-it ka nisur dy procedura hetimore ndaj Informer-it, ndërsa më 16 nëntor i ka shqiptuar masa të ndalimit të transmetimit të programit për 15 dhe 10 ditë, si dhe ndalimin e reklamimit në orarin nga ora 18:00 deri në 21:00, për shtatë ditë.

Zyrtarët e SNS-së u mblodhën para stacionit policor

Pas arrestimit të Vuçiqeviqit, para Stacionit Policor në Voždovac të Beogradit janë mbledhur zyrtarë dhe deputetë të Partisë Përparimtare Serbe (SNS), për t’i shprehur mbështetje.

Sipas raportimit të portalit Nova, në mesin e të pranishmëve ishin kryetari i SNS-së, Millosh Vuçeviq, kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, ministri Nikolla Selakoviq, Vladimir Gjukanoviq, ish-sekretarja shtetërore e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Dijana Hrkaloviq, si dhe Arno Gujon.

Në tubim ishin edhe Branislav Leçiq, Lidija Vukiçeviq, Nela Kuburoviq, Dina Vuçiniq, Vjerica Radeta dhe punonjës të Informer-it, mes tyre edhe Dejan Vukeliq.

Lajmin për arrestimin e Vuçiqeviqit deputetëve në Kuvendin e Serbisë ua bëri të ditur shefi i grupit parlamentar të SNS-së, Aleksandar Vuçiq.

Deputetët e Listës Studentore e pritën këtë informacion me duartrokitje.

Pasi Anës Bërnabiq iu shqiptua një vërejtje dhe u shpall pauzë në punimet e Kuvendit, deputetët e SNS-së nuk u kthyen në sallën parlamentare, por shkuan para stacionit policor për t’i shprehur mbështetje kryeredaktorit të arrestuar të Informer-it.

Informer u themelua me ardhjen e SNS-së në pushtet

Dragan J. Vuçiqeviq e themeloi Informer-in në vitin 2012, në të njëjtin vit kur Partia Përparimtare Serbe erdhi në pushtet në Serbi. Kompania “Insajder Tim”, përmes së cilës operon ky medium, është regjistruar në mars të vitit 2012 dhe, sipas të dhënave të platformës Media Ownership Monitor, Vuçiqeviq është pronari i saj i vetëm.

Gjatë viteve, Informer e ka zgjeruar veprimtarinë nga botimi i gazetës në televizion, duke u shndërruar në një prej mediave më të njohura në Serbi.

Në emisionet e këtij televizioni kanë qenë kryesisht analistë dhe bashkëbisedues që mbështesin politikën e Partisë Përparimtare Serbe, ndërsa zërat kritikë dhe mendimet e tjera politike rrallë kanë pasur hapësirë. Vuçiqeviq për vite me radhë ka mbështetur publikisht politikën e Aleksandar Vuçiqit, me të cilin ka theksuar se ka edhe marrëdhënie miqësore.

Politika redaktuese e Informer-it shpesh është kritikuar për mënyrën e raportimit ndaj kundërshtarëve politikë të pushtetit, studentëve, gazetarëve dhe aktivistëve qytetarë.

Veçanërisht të theksuara kanë qenë kritikat për raportimin e këtij mediumi lidhur me Kosovën, ku Informer shpesh ka publikuar informacione të pasakta, të pakonfirmuara dhe çorientuese, për çka disa prej pretendimeve të tij kanë nxitur reagime dhe demantime.

Deklaratat për studentët dhe familjet e viktimave shkaktuan reagime

Vuçiqeviq gjatë viteve të fundit është kritikuar shpesh për paraqitjet publike, në të cilat ka fyer studentët, qytetarët që protestojnë kundër pushtetit, gazetarët dhe aktivistët.

Reagime të veçanta shkaktuan deklaratat e tij për Dijana Hrkan, nënën e të riut që humbi jetën nga shembja e tendës në stacionin hekurudhor në Novi Sad, e cila kishte hyrë në grevë urie para Kuvendit të Serbisë, duke kërkuar përgjegjësi për tragjedinë. Vuçiqeviq atëherë publikoi në rrjetet sociale komente fyese ndaj saj, ndërsa viktimat e tragjedisë i quajti “viktima të ashtuquajtura” gjatë një paraqitjeje televizive.

Mediumi i tij është kritikuar shpesh edhe për raportimin lidhur me Kosovën. Informer në disa raste ka publikuar pretendime të pasakta, të pakonfirmuara dhe çorientuese për zhvillimet në Kosovë, duke kontribuar në përhapjen e dezinformatave për rrethanat politike dhe të sigurisë.

Sipas të dhënave të platformës Media Ownership Monitor, Informer është përballur me kritika të shumta për shkelje të kodit të gazetarisë, raportim sensacionalist dhe mënyrën se si i paraqet kundërshtarët politikë të pushtetit.

Më herët kishte përfunduar në burg për fyerje

Vuçiqeviq edhe më parë ka qenë pjesë e procedurave gjyqësore. Në prill të vitit 2023, ai përfundoi në burg për shkak të mospagimit të një gjobe prej 200 mijë dinarësh, të shqiptuar në një procedurë pas padisë së gazetarit Jugoslav Qosiq. Në burg qëndroi për disa ditë, pas së cilës gjobën e pagoi partnerja e tij jashtëmartesore.

Në fillim të nëntorit 2026, ai sërish u gjend në qendër të vëmendjes për shkak të përpjekjes për arrestimin e tij me urdhër të gjykatës, në një procedurë që zhvillohej për veprën penale të fyerjes. Vuçiqeviq atëherë pretendonte se bëhej fjalë për një përpjekje për t’ia pamundësuar pjesëmarrjen në mbledhjen e REM-it.

Padi penale në emër të 97 qytetarëve

Në mesin e nëntorit, avokati Ivan S. Petroviq njoftoi se, në emër të 97 qytetarëve të Serbisë, kishte iniciuar procedura të koordinuara penale dhe rregullatore kundër Vuçiqeviqit dhe kompanisë “Insajder Tim”.

Në kallëzimin penal janë paraqitur dyshime për disa vepra penale, ndër të cilat nxitja e urrejtjes dhe e intolerancës kombëtare, racore dhe fetare, rrezikimi i sigurisë, si dhe shkaktimi i panikut dhe trazirave.

Sipas avokatit, kallëzimi është dërguar më 13 nëntor në prokurorinë kompetente dhe ka të bëjë me përmbajtjet e publikuara dhe të transmetuara gjatë periudhës së mëparshme.

/The Geopost/

Continue Reading

Previous: Bosnja dhe Hercegovina i ndalon hyrjen Milan Radoiçiqit: Shpallet kërcënim për sigurinë kombëtare për shkak të sulmit terrorist në Banjskë

Bosnja dhe Hercegovina i ndalon hyrjen Milan Radoiçiqit: Shpallet kërcënim për sigurinë kombëtare për shkak të sulmit terrorist në Banjskë 4 min read
  • Analiza
  • Lajme

Bosnja dhe Hercegovina i ndalon hyrjen Milan Radoiçiqit: Shpallet kërcënim për sigurinë kombëtare për shkak të sulmit terrorist në Banjskë

The Geopost November 19, 2026
Gjykata në Beograd lëshon fletarrestim për Milan Radoiçiqin 5 min read
  • Ballkan
  • Lajme

Gjykata në Beograd lëshon fletarrestim për Milan Radoiçiqin

The Geopost November 17, 2026
Selimi: Ndikimi i mediave ruse në Ballkan, më i madh se kurrë 1 min read
  • Intervista
  • Lajme

Selimi: Ndikimi i mediave ruse në Ballkan, më i madh se kurrë

The Geopost November 17, 2026
Lista Studentore, e re në emër por me qëndrime të vjetra ndaj Kosovës 8 min read
  • Analiza
  • Ballkan

Lista Studentore, e re në emër por me qëndrime të vjetra ndaj Kosovës

The Geopost November 17, 2026
Melodia nacionaliste serbe në Bruksel kundër Kosovës, Marta Kos dhe hija e UDB-së 6 min read
  • Analiza
  • Ballkan

Melodia nacionaliste serbe në Bruksel kundër Kosovës, Marta Kos dhe hija e UDB-së

The Geopost November 17, 2026
Fetoshi: Dëshpërimi ‘paralajmërues’ i Vuçiqit 3 min read
  • Analiza
  • Ballkan

Fetoshi: Dëshpërimi ‘paralajmërues’ i Vuçiqit

The Geopost November 17, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.