Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Analiza
  • Fact Checking

“Atak i ri”, “Kurti nuk tërhiqet” – kështu dezinformojnë Sputnik dhe RT Balkan lidhur me rrënimin e objekteve në Ujman

The Geopost August 4, 2026 4 min read
Share the news

“Atak i ri i Prishtinës ndaj pronës serbe në Ujman: Kompania ‘Ibër-Lepenci’ ka dorëzuar kërkesat” dhe “Kurti nuk tërhiqet: Po përgatitet një valë e re e rrënimeve të vikend-shtëpive të serbëve në Ujman” – lidhur me largimin e objekteve në liqenin e Ujmanit janë dy artikuj pretendues me narrativa serbe të publikuara në portalet Sputnik dhe RT Balkan. 

Aty janë paraqitur një sërë pretendimesh që procesin e largimit të objekteve pa leje e paraqesin ekskluzivisht si masë të motivuar etnikisht dhe si gjoja “terr” ndaj serbëve, duke pretenduar se në zonat me shumicë shqiptare ndërtimet pa leje nuk preken.

Po ashtu, me pjesën “Kurti nuk tërhiqet”, tentohet krijimi i pasigurisë dhe panikës te komuniteti serb që jeton në Kosovë, e si rrjedhojë edhe viktimizimi para ndërkombëtarëve.

Analizë:

Ligji nuk zbatohet vetëm ndaj pronës së serbëve – në Prishtinë dhe zona të tjera rrënohen edhe objekte pa leje të shqiptarëve.

Pretendimi se institucionet e Kosovës largojnë vetëm objekte në pronësi të serbëve nuk mbështetet nga faktet.

Inspektoratet komunale dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor prej vitesh zbatojnë masa për largimin e objekteve të ndërtuara pa leje edhe në komunat me shumicë shqiptare.

Gjatë viteve të fundit janë zhvilluar aksione kundër ndërtimeve pa leje edhe në pjesë të tjera të Kosovës, si në Rugovë, Batllavë e në Prishtinë.

Po ashtu, media si Radio Evropa e Lirë theksojnë se në rastin e Ujmanit çështja e kontestit lidhet me pronësinë e tokës dhe ligjshmërinë e objekteve, ndërsa pronarët i kundërshtojnë vendimet dhe të drejtat e tyre tentojnë t’i mbrojnë përmes procedurave ligjore.

Rrënimet në Ujman zbatohen mbi bazën e procedurave ligjore dhe vendimeve administrative

Tekstet e lartpërmendura, të cilat pretendojnë edhe të ndjellin panik, lënë jashtë kornizën ligjore që rregullon çështjen e ujërave, ndërtimit dhe objekteve pa leje.

Ndërmarrja publike hidroekonomike SH.A. “Ibër-Lepenci” është e regjistruar në evidencat kadastrale si bartëse publike e të drejtave mbi tokën ujore dhe brezin mbrojtës të akumulimit hidroenergjetik të Ujmanit (Gazivodës).

Sipas Ligjit për Ujërat e Kosovës (Ligji nr. 04/L-147), në pasurinë publike ujore dhe në zonën I dhe II të mbrojtjes së akumulimeve të ujit të pijshëm ndalohet rreptësisht ndërtimi i objekteve të përhershme banimi dhe objekteve hotelierike.

Për largimin e objekteve të ndërtuara pa leje në pronat publike/shtetërore ujore, sipas procedurave ligjore, nuk janë gjithmonë të nevojshme procese gjyqësore shumëvjeçare. Inspektorati për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Inspektorati i Ujërave mund të nxjerrin vendime administrative për ekzekutim me qëllim mbrojtjen e furnizimit me ujë dhe interesit publik.

Sipas kësaj kornize ligjore, fakti që një pronar e kundërshton vendimin në gjykatë nuk do të thotë automatikisht se objekti posedon leje ndërtimore ose se është ndërtuar në përputhje me rregulloret.

Nuk është e saktë se ekzistojnë 300 mijë objekte pa leje dhe se rrënohet vetëm prona e serbëve

Pretendimet se rrënimet e ndërtesave në Kosovë kryhen vetëm ndaj pronarëve serbë nuk përputhen me faktet.

Një shembull është rasti në Prishtinë, ku është rrënuar shtëpia e familjes Maxhuni në lagjen Vetërnik.

Sipas raportimeve, objekti është larguar nga inspektorati komunal për shkak se ishte ndërtuar në tokë në pronësi të komunës, pra pa bazë të përshtatshme ligjore.

Numri prej disa qindra mijëra objekteve të ndërtuara pa leje lidhet me vlerësimet për numrin e përgjithshëm të ndërtimeve pa leje në të gjithë territorin e Kosovës.

Ky informacion, në vetvete, nuk dëshmon se ligji zbatohet vetëm ndaj një komuniteti të caktuar etnik.

Ligji parasheh mundësinë e legalizimit të objekteve të caktuara, por objektet që ndodhen në tokë publike, në pasuri ujore ose në zona të mbrojtura mund të jenë objekt i largimit.

E njëjta bazë ligjore vlen edhe për rastet e tjera të ndërtimeve të paautorizuara. Ligji i Kosovës për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje përcakton procedurat për të gjitha objektet e ndërtuara pa leje, përfshirë mundësinë e legalizimit ose largimit nëse nuk i plotësojnë kushtet ligjore.

Ligji nuk diskriminon pronarët mbi bazën e përkatësisë kombëtare.

Përfundim

Pretendimet se “rrënohet vetëm prona serbe”, se për largimin e objekteve “nuk ekziston asnjë bazë ligjore” ose se kontratat për shfrytëzimin e tokës janë dëshmi e mjaftueshme për ndërtim të ligjshëm, paraqesin një pasqyrim të paplotë dhe selektiv të fakteve.

Tekstet e Sputnik dhe RT Balkan lënë jashtë kontekstin ligjor dhe paraqesin një kontest pronësor si çështje ekskluzivisht etnike, megjithëse faktet e disponueshme tregojnë se bëhet fjalë për një kombinim të çështjeve të pronësisë së tokës, lejeve të ndërtimit dhe mbrojtjes së resurseve publike.

/The Geopost/

Continue Reading

Previous: Ukraina godet dy qendra të mëdha logjistike pranë Moskës dhe Shën Petersburgut, ekspozon cenueshmërinë e infrastrukturës ruse
Next: Vrajolli: Deklaratat nacionaliste serbe nuk janë rastësi, “bota serbe” synon ndikim në rajon – nevojitet strategji e fuqishme përballë luftës hibride

“Radar” publikon dokumentet ekskluzive të mbikëqyrjes sekrete të kritikëve të Vuçiqit nga BIA 5 min read
  • Analiza
  • Lajme

“Radar” publikon dokumentet ekskluzive të mbikëqyrjes sekrete të kritikëve të Vuçiqit nga BIA

The Geopost November 5, 2026
Vuçiq fali 49 persona para largimit nga presidenca, në listë ish-zyrtarë dhe persona të përfshirë në incidente 2 min read
  • Analiza
  • Lajme

Vuçiq fali 49 persona para largimit nga presidenca, në listë ish-zyrtarë dhe persona të përfshirë në incidente

The Geopost November 4, 2026
Humbja e Vuçiqit në Serbi, a po i vjen fundi ndikimit të Beogradit mbi Listën Serbe në Kosovë? 9 min read
  • Analiza
  • Ballkan

Humbja e Vuçiqit në Serbi, a po i vjen fundi ndikimit të Beogradit mbi Listën Serbe në Kosovë?

The Geopost November 3, 2026
Një Serbi pa Vuçiqin, por me të njëjtën politikë ndaj Kosovës? 10 min read
  • Analiza
  • News

Një Serbi pa Vuçiqin, por me të njëjtën politikë ndaj Kosovës?

The Geopost November 1, 2026
Ekspertët serbë: Studentët marrin pushtetin, por jo një Serbi të shkëputur nga Rusia dhe Kina 6 min read
  • Analiza
  • Ballkan

Ekspertët serbë: Studentët marrin pushtetin, por jo një Serbi të shkëputur nga Rusia dhe Kina

The Geopost October 30, 2026
Nga Moska në Beograd: Lufta e narrativave dhe rreziku i manipulimit të informacionit në Kosovë 11 min read
  • Analiza
  • News

Nga Moska në Beograd: Lufta e narrativave dhe rreziku i manipulimit të informacionit në Kosovë

The Geopost October 27, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.