
Drejtori i “Zyrës për Kosovën” në Serbi, Petar Petkoviq ka pretenduar të mërkurën (23 korrik) se me udhër të Agjencisë për Verifikimin e e Pronës (AKKVP), një familje serbe është dëbuar nga një banesë në Mitrovicë të Veriut, të cilën “ata e kanë blerë, por padrejtësisht iu është marrë nga një shqiptar”. Por, ndryshe thanë nga Agjencia, për çka publikuan edhe dokumente përmes të cilave Petkoviq u demantua.
Çka tha Petkoviq?
Me urdhër të AKKVP-së, familja Janiçeviq, që përbëhet nga një nënë vetëushqyese me dy fëmijë, u dëbuan një ditë më parë nga një banesë në Mitrovicë të Veriut, “të cilën ata e kanë blerë, por padrejtësisht u është marr nga një shqiptar”… Me probleme të tilla përballen shumë serbë që jetojnë në veriun e Kosovës.
Analiza:
Agjencia Kosovare për Krahasimin dhe Verifikimin e Pronës (AKKVP) ka demantuar publikisht pretendimin e Petkoviq, duke sqaruar se: banesën në fjalë e ka poseduar një qytetar shqiptar, i cili ishte i regjistruar si pronar legjitim para luftës, përmes dokumenteve të Agjencisë së Banesave të Kosovës.
Familja Janiçeviq ka jetuar në atë banesë pa bazë ligjore, dhe vendimi për kthimin e pronës është marrë mbi bazën e dokumenteve pronësore dhe vendimeve të zbatueshme, të cilat janë pjesë e procesit të pasluftës për kthimin e pronës tek pronarët legjitimë.
AKKVP publikoi dokumentacionin që vërteton pronësinë e qytetarit shqiptar, për të kundërshtuar manipulimin mediatik të Petkoviq.
Çka thuhet në reagimin e AKKVP?
AKKVP zbaton vendimet përfundimtare të institucioneve ligjore, ndërsa rikthimi i pronave bëhet përmes procedurave të rregullta ligjore “dhe zbatohet ndaj çdo uzurpimi të paligjshëm, pavarësisht përkatësisë etnike apo statusit të palës”.
Deklaratat e tilla si kjo e Petar Petkoviqit nxisin tensione dhe minojnë sundimin e ligjit dhe bashkëjetesën, kur dihet se rikthimi i pronave është problem me të cilin përballen shqiptarë e serbë që nga paslufta.
https://m.facebook.com/story.php?story_fbid=122189958026301748&id=61559052464229
/The Geopost/