
Megjithëse pas pranimit të Kroacisë në anëtarësinë e BE-së në vitin 2013 kishte dilema serioze dhe të zëshme brenda vetë Unionit në lidhje me zgjerimin e mëtejshëm, agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës në vitin 2022 e ndryshoi plotësisht prioritetin e Brukselit. Që nga ai moment, zgjerimi drejt Ballkanit Perëndimor u definua si një domosdoshmëri gjeopolitike dhe si mbyllja e “barkut të butë të Evropës” në çështjet që lidhen me sigurinë e kontinentit të vjetër. BE-ja që prej asaj kohe e ka përcaktuar qartë dhe disa herë e ka konfirmuar zyrtarisht strategjinë e saj të re të zgjerimit, e cila parashikon që Ballkani Perëndimor (Serbia, Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova) të mbetet në fokusin e politikës evropiane, me synimin që deri në vitin 2030 rajoni të jetë i gatshëm për anëtarësim në Union. Për të nisur me hapa konkretë, duhej pritur përfundimi i zgjedhjeve për Parlamentin e ri Evropian dhe formimi i Komisionit të ri. Këtë e kisha paralajmëruar që gjatë fushatës, por shumë skeptik në rajon tundnin kokën me mosbesim. Shumica e mëparshme, në të cilën socialdemokratët, liberalët dhe të gjelbrit kishin fjalën kryesore, nuk mundi ta niste atë proces, por me marrjen e drejtimit nga PPE-ja, me mbështetjen e konservatorëve, zgjerimi u bë sërish një objektiv strategjik i BE-së. Fillimisht, është hapur mundësia që Mali i Zi, e ndoshta edhe Shqipëria, të pranohen në anëtarësim madje edhe më herët, ku si afate të mundshme përmenden vitet 2028 dhe 2029.
Nëse shikohet gjendja e progresit të integrimeve evropiane sipas shteteve, kjo zgjedhje është logjike. Mali i Zi dhe Shqipëria në këtë moment janë më të avancuarat në negociata, duke e shtyrë prapa Serbinë e cila më herët, së bashku me Podgoricën, ishte vendi udhëheqës në rrugën evropiane. Pikërisht në rastin e Serbisë u dëshmua se kur nuk ekziston një vullnet real i elitave politike të një vendi për të avancuar me të vërtetë në rrugën evropiane dhe kur ndodh një ndryshim i orientimit gjeopolitik të shtetit, kjo pasqyrohet menjëherë në shpejtësinë e procesit të integrimeve evropiane. Kështu, Serbia nga pozita udhëheqëse ra në fund të renditjes, me tendencën dhe synimin e regjimit në Beograd që aty të mbetet përgjithmonë, duke e tërhequr pas vetes në greminë edhe Bosnjën dhe Hercegovinën fqinje, të cilën udhëheqja në Banja Lukë e mban peng në lojërat e saj vetëvrasëse gjeopolitike.
Ajo që do të ketë ndikimin vendimtar në shpejtësinë e anëtarësimit të vendeve të rajonit në BE është pozicionimi gjeopolitik (politika e jashtme), si dhe gjendja e brendshme në aspektin e demokracisë (liria e mediave) dhe sundimit të ligjit (lufta kundër korrupsionit). Disa vende, si Maqedonia e Veriut, do të duhet gjithashtu të zgjidhin mosmarrëveshjet ekzistuese dhe kërkesat e shteteve anëtare, si ato që vijnë nga Bullgaria ndaj Shkupit zyrtar.
Në rastin e Kosovës dhe Serbisë, por edhe të Bosnjës dhe Hercegovinës, do të jetë e domosdoshme të zgjidhen marrëdhëniet e ndërsjella mes vetë kandidatëve, siç është normalizimi i marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës mbi bazën e Marrëveshjes së Brukselit dhe asaj të Ohrit, ndërsa fatin e Bosnjës do ta përcaktojë shpejtësia e reformave të brendshme institucionale dhe suksesi në frenimin e separatizmit që nxit regjimi i Milorad Dodikut nga Banja Luka.
Megjithatë, e gjitha kjo mund të jenë vetëm pengesa të përkohshme që nuk e vonojnë pranimin nëse shtetet janë të sinqerta në synimin e tyre për t’u bërë pjesë e familjes evropiane. Zgjerimi ka qenë gjithmonë çështje gjeopolitike, dhe kurrë standardizimi shoqëror. Pranimi i Malit të Zi dhe Shqipërisë para vitit 2030 për BE-në nuk do të ishte i dhimbshëm. Bëhet fjalë për shtete të vogla, anëtare të NATO-s, të cilat nuk do të mund ta cenonin funksionimin e bashkësisë, ndërsa vetë pranimi do të ishte një sinjal i fuqishëm në rajon, por edhe në botë, një mesazh se Brukseli ka një qëllim serioz për ta bashkuar tërë kontinentin dhe për t’u bërë në çdo aspekt një fuqi botërore.
Në vitin 2030, më pas, Ukraina dhe Moldavia do të pranohen në anëtarësim – një tërmet i vërtetë gjeopolitik! Kjo do të ndodhë pas zgjedhjeve të ardhshme evropiane, prandaj këto shtete do të hyjnë sipas modelit të Rumanisë dhe Bullgarisë, me një numër më të vogël deputetësh, disi si “praktikantë” që do të mësojnë në vend se si funksionojnë institucionet e Bashkimit, ndërsa me kapacitet të plotë do të bëhen pjesë në mandatin pasues, në vitin 2035.
Në kushtet ekzistuese, të cilat karakterizohen nga dobësi të shumta të brendshme të vendeve kandidate, lëvizjet e tyre gjeopolitike pa drejtim dhe prirja për të flirtuar me regjimet në Moskë dhe Pekin, BE-ja ndodhet përpara një prove të madhe në drejtim të frenimit të ndikimeve destruktive, veçanërisht atyre që vijnë në formën e veprimeve hibride nga Moska. Pikërisht për këtë arsye Mali i Zi dhe Shqipëria kanë marrë mundësinë të pranohen në anëtarësim edhe më herët, pasi në këto shtete është bërë shkëputja më e madhe emancipuese nga regjimi i Putinit dhe ndikimet e dëmshme nga Pekini.
Shumëkush pyet pse BE-ja nuk është më e ashpër ndaj Vuçiqit? Pse duhet ta shpenzojë kohën dhe resurset e veta për diçka që është problem i qytetarëve të Serbisë, të cilët duhet t’i zgjidhin vetë problemet e tyre të brendshme?! Kush nga alternativat ndaj Vuçiqit ka treguar gatishmëri për reforma serioze, për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë apo për përfundimin e dialogut me Kosovën?! Në fund të fundit, me pranimin e Malit të Zi dhe Shqipërisë, si dhe me rënien e Dodikut, BE-ja do të shkatërrojë mitin e Serbisë radikale – mitin e ‘botës serbe’, ‘integralizmit serb’ apo ‘unitetit serb’!!! Pas kësaj, serbët do të mund të jenë të bashkuar vetëm brenda kuadrit të BE-së dhe NATO-s!!!
Përveç Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës, të cilat janë pengje të lojërave gjeopolitike aventuriere të regjimeve në Beograd dhe Banja Lukë, në ngërç ndodhet edhe Maqedonia e Veriut pas rikthimit në pushtet të pasardhësve të regjimit prorus të ish-kryeministrit të arratisur Nikola Gruevski. Për fat të keq, kjo ka përkuar me forcimin e pozitave politike të nacionalistëve prorusë në Sofje, të cilët kanë paraqitur kërkesa të reja ndaj Shkupit me qëllim të qartë që përparimi i Maqedonisë drejt anëtarësimit në BE të bllokohet në interes të Moskës dhe agjendës së saj për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, ky problem mund të zgjidhet shpejt, qoftë me një marrëveshje midis Sofjes dhe Brukselit, qoftë me ndryshimin e qeverisë në Shkup. Madje aq shpejt, sa nuk do të ishte për t’u habitur nëse edhe Maqedonia e Veriut do të përfshihej në paketë së bashku me Ukrainën dhe Moldavinë!
Elitat politike në Kosovë po ashtu tregojnë një përcaktim të palëkundur ndaj vlerave evropiane dhe perëndimore, por për shkak të ngecjes në procesin e normalizimit me Serbinë dhe dobësive të brendshme institucionale të shtetit të ri kosovar, Prishtina nuk ka mundur të përfshihet në paketë me fqinjët e saj jugorë. Prandaj Kosova duhet (dhe do) që menjëherë pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale të përfundojë me detyrimet e saj nga Marrëveshja e Brukselit dhe të mundësojë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe! Kjo do t’ia lidhë duart Brukselit për të nisur negociatat e anëtarësimit me Prishtinën, por edhe Amerikës për t’ia hapur rrugën pranimit në organizata ndërkombëtare.
Serbia ndodhet në minimum historik sa i përket mbështetjes për anëtarësimin e saj në BE, vetëm 33%! Arsyeja për këtë është Vuçiqi, por edhe lëvizja studentore, e cila humbi rastin që sundimit të tij t’i kundërvihte vlerat e një shoqërie demokratike, duke u futur në një fushatë përvetësimi të simboleve mitomane: kisha, feja, flamuri, Kosova, integralizmi serb, neutraliteti… Megjithatë, çështja e ditës është se kur do të shpërbëhet regjimi i korruptuar i Vuçiqit, dhe atëherë gjithë llumi i huliganëve që fshihen pas serbizmit do të dalë përpara qytetarëve! Mënyra më e padhembshme për Serbinë për të dalë nga ajo situatë do të ishte me një qeveri kalimtare pro-evropiane, e cila do të përshpejtonte procesin e negociatave bashkë me Brukselin! Në çdo rast, Serbia, me rrëzimin e regjimit aktual, mund ta kapë trenin evropian së bashku me Moldavinë dhe Ukrainën, madje edhe më e përgatitur se ato, Kosova, Bosnja e Hercegovina apo Maqedonia e Veriut.
Çelësi i suksesit në procesin e anëtarësimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian do të jetë si vullneti politik i BE-së për të përshpejtuar zgjerimin dhe për të frenuar ndikimet malinje të Rusisë në rajon, ashtu edhe gatishmëria e vetë vendeve të rajonit për të zbatuar reforma të thella. Nëse deri në vitin 2030 rajoni nuk bën një hap të rëndësishëm institucional dhe demokratik dhe nëse nuk e forcon qëndrueshmërinë e tij ndaj kërcënimeve të jashtme hibride dhe ndikimeve destabilizuese, ekziston rreziku që të mbetet përgjithmonë në një “zonë gri” mes BE-së dhe ndikimeve të tjera globale, të cilat në këtë pjesë të botës nuk shohin një hapësirë me perspektivë zhvillimi dinamik, por një monedhë të lirë për pazare në lojërat gjeopolitike të fuqisë botërore.
Evropa e bashkuar, dhe për sa më përket mua, Evropa federale, është rruga e sigurt drejt së ardhmes së rajonit tonë – rruga drejt sigurisë, prosperitetit, lirisë, paqes dhe mirëqenies së çdo qytetari tonë!/The Geopost/