Përmbledhje
Raporti i fundit i Komisionit Evropian mbi progresin e Serbisë thekson se dhënia e shtetësisë serbe shtetasve rusë “përfaqëson një rrezik potencial sigurie” për BE-në.
Numri i vendimeve të Qeverisë për pranimin e shtetasve rusë në shtetësinë serbe është në rritje që nga viti 2022, kur Rusia filloi pushtimin e Ukrainës.
Shtetësia serbe, në bazë të një procedure të posaçme të përcaktuar me ligj, u jepet shtetasve të huaj në rast se kjo “përfaqëson interes për Serbinë”.
Dhënia e shtetësisë serbe shtetasve rusë, e rrjedhimisht edhe pasaporta serbe, me të cilën ata mund të udhëtojnë lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian, u përmend si “rrezik i mundshëm sigurie” për BE-në në raportin e fundit për progresin e Serbisë si shtet kandidat.
Nga gjithsej 121 vendime të Qeverisë Serbe për dhënien e shtetësisë në vitin 2025, pothuajse dy të tretat i referohen shtetasve rusë. Kjo tregohet nga analiza e Radio Evropa e Lirë (REL) e vendimeve të botuara në Gazetën Zyrtare.
Bëhet fjalë për një procedurë të posaçme, sipas së cilës shtetasit e vendeve të tjera mund të marrin shtetësinë serbe, në rast se kjo përbën “interes për Serbinë”.
Megjithatë, ky numër mund të jetë edhe më i madh, duke pasur parasysh se të dhënat për shtetësitë që jepen sipas procedurës së rregullt dhe për të cilat vendos Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e Serbisë nuk janë të qasshme publikisht.
Numri i vendimeve të Qeverisë për pranimin e shtetasve rusë në shtetësinë serbe është në rritje që nga viti 2022, kur Rusia filloi pushtimin e Ukrainës, tregojnë të dhënat që REL ka mbledhur nga vendimet e publikuara në Gazetën Zyrtare.
Qeveria e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it deri në përfundim të tekstit nëse do të ndërmarrë dhe çfarë masash konkrete do të ndërmarrë për të adresuar këtë çështje dhe çfarë e udhëhoqi atë gjatë marrjes së vendimit për dhënien e shtetësisë serbe.
Mospërputhja në Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë
Çështja e dhënies së pasaportave serbe shtetasve rusë është përfshirë në pjesën e raportit të Komisionit Evropian që lidhet me harmonizimin e Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë së Serbisë me atë evropiane.
“Fituari i të drejtës për të udhëtuar pa viza në BE për shtetasit rusë përmes dhënies së shtetësisë serbe paraqet një rrezik potencial sigurie për Bashkimin Evropian,” thuhet në raportin e Komisionit Evropian, të cilin Shefi i Delegacionit të BE-së në Beograd, Andreas von Beckerath, ia dorëzoi zyrtarëve serbë më 6 nëntor.
Serbia ka regjim pa viza me BE-në, kështu që shtetasit e Serbisë mund të udhëtojnë pa viza në vendet e bllokut evropian që nga dhjetori i vitit 2009.
Igor Novakoviq, nga Qendra joqeveritare për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë (Fondi ISAC), vlerëson për REL se pas vendimit për dhënien e shtetësisë mund të qëndrojë “interesi i Serbisë”, por edhe rëndësia e mundshme për marrëdhëniet dypalëshe serbo-ruse.
“Me fjalë të tjera, që në një dialog midis Beogradit dhe Moskës ka disa kërkesa ose është një shërbim ku Beogradi u jep shtetësinë disa njerëzve që mund të jenë problematikë për sigurinë e Bashkimit Evropian,” shpjegon Novakoviq.
Në vitin 2023, Qeveria e Serbisë hoqi dorë nga ndryshimet e Ligjit për Shtetësinë që mundësonin një procedurë të lehtësuar sipas së cilës shtetasit e huaj mund të merrnin pasaportë serbe pas tre vjetësh qëndrimi të përhershëm. Ai propozim i ndryshimeve u prit me kritika të ashpra nga Brukseli, i cili paralajmëroi se miratimi i lehtësimeve mund të rrezikonte regjimin pa viza të Serbisë me BE-në.
Dy Mënyra për të Fitua Shtetësinë Serbe
Sipas Ligjit për Shtetësinë, ekzistojnë dy mënyra me të cilat shtetasit e huaj mund të fitojnë shtetësinë serbe.
Një i huaj, të cilit i është miratuar qëndrimi i përhershëm në Serbi, mund të fitojë shtetësinë me kërkesë personale nëse është mbi 18 vjeç dhe i aftë për punë. Gjithashtu, kusht është që të ketë lirimin nga shtetësia e huaj, tre vjet qëndrim të vazhdueshëm të regjistruar në Serbi, si dhe të ketë paraqitur një deklaratë me shkrim se e konsideron Serbinë shtetin e tij.
Për pranimin në shtetësinë serbe vendos Ministria e Punëve të Brendshme. Këto të dhëna nuk janë të qasshme për publikun.
Sipas Nenit 19 të të njëjtit ligj, shtetësia serbe mund t’i jepet edhe një të huaji i cili nuk i plotëson kushtet e kërkuara, por pranimi i të cilit në shtetësi “do të përbënte interes” për Serbinë.
Cilat janë pasojat e mundshme?
Serbia, me 63 për qind, sipas vlerësimit të Komisionit Evropian, ka një shkallë të ulët të harmonizimit me Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë së Përbashkët të BE-së.
Po ashtu, Beogradi zyrtar refuzon të harmonizohet me sanksionet e BE-së kundër Rusisë, gjë që e kanë bërë të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Shkalla e ulët e harmonizimit, sipas Novakoviqit, mund të ketë pasoja fillimisht politike, e më pas edhe ekonomike.
“Unë nuk pres masa më të ashpra në këtë drejtim, por ne do të shohim – nëse nuk zbatohen reformat që lidhen me agjendën e reformave, nuk do të ketë para nga ai fond, kjo është shumë e qartë,” thotë ai.
Ai thekson se menjëherë para raportit të Komisionit Evropian, Serbia u harmonizua “në mënyrë retroaktive” me disa deklarata të politikës së jashtme të BE-së, duke përmirësuar kështu performancën e saj, por se shkalla e ulët e harmonizimit për shumë vite lë të kuptohet se bëhet fjalë për një lëvizje “taktike”.
“Një nga pasojat e një veprimi të tillë është forcimi i mosbesimit në vetë vendet anëtare të BE-së, veçanërisht në ato që kufizohen drejtpërdrejt ose hyjnë në zonën që është afër Federatës Ruse. Këtu, para së gjithash, mendoj për vendet skandinave, ato të Evropës Qendrore dhe ato baltike,” thotë Novakoviq.
Serbia po negocion anëtarësimin në BE që nga viti 2014. Për më shumë se tre vjet, nuk ka hapur asnjë kapitull apo klaster në negociatat e anëtarësimit.
Sa Rusë ka në Serbi?
Menjëherë pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, fluturimet direkte midis Moskës dhe Beogradit dhe regjimi pa viza që kanë Serbia dhe Rusia bënë që dhjetëra mijëra shtetas rusë të kalojnë nëpër Serbi që nga ajo kohë, disa duke ikur nga mobilizimi, por edhe për të vazhduar biznesin pa pengesa me Perëndimin.
Një numër i tyre kanë mbetur në Serbi. Sipas të dhënave të fundit të disponueshme nga MPB-ja Serbe, të cilat REL i mori me kërkesë për qasje të lirë në informacione me rëndësi publike në janar, pak më shumë se 48,000 shtetas rusë kishin qëndrim të përkohshëm në Serbi.
Në regjistrimin e popullsisë të mbajtur në tetor 2022, numri i rusëve u trefishua në krahasim me regjistrimin e mëparshëm të vitit 2011. Në statistikat zyrtare të regjistrimit, në të cilat mund të merrnin pjesë të gjithë ata qytetarë që qëndrojnë në Serbi për një vit ose më pak, por me qëllim për të qëndruar në vend për ca kohë, u përfshinë më shumë se 10,000 qytetarë që u deklaruan si rusë. Kështu ata u renditën si komuniteti i 16-të më i madh minoritar në Serbi. Për krahasim, në vitin 2011 ishin të 20-tët për nga numri./RSE/

“Luftë hibride dhe dezinformim”, si po e kombinon Rusia propagandën me sulmet ushtarke në Ukraine
Serbia aspiron BE-në, ndërkohë që po forcon lidhjet ekonomike dhe ushtarake me Kinën dhe Rusinë
Si mund të duket një marrëveshje paqeje për Ukrainën?
Rutte hedh poshtë shqetësimet në lidhje me angazhimin e SHBA-së ndaj NATO-s përpara takimit të Ukrainës
Krimineli i luftës dhe ish-anëtari i VRS-së shmang burgun dhe bashkohet me forcat paraushtarake ruse në Ukrainë: “Po luaj luftë”
“Me bazë në Rusi”: Çfarë zbulon dhe çfarë nuk zbulon mjeti i ri i vendndodhjes së X.