Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Analiza
  • News

Tre vjet nga sulmi ndaj ushtarëve të NATO-s: Roli i drejtpërdrejtë i Vuçiqit përmes Radoiçiqit në destabilizimin e veriut

The Geopost May 30, 2026 7 min read
Share the news

Më 29 maj 2023, në Zveçan ndodhi përplasja më e rëndë e viteve të fundit mes huliganëve serbë të dhunshëm dhe trupave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë.

Pas bojkotimit të zgjedhjeve lokale të prillit nga Lista Serbe dhe një pjesë e komunitetit serb në veri, institucionet e Kosovës vendosën që kryetarët e zgjedhur shqiptarë të katër komunave veriore, Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut, të hynin në objektet komunale dhe të nisnin ushtrimin e detyrës.

Në Zveçan, turmat e organizuara u mblodhën pranë ndërtesës komunale dhe, kur KFOR-i ndërhyri për të krijuar kordon sigurie dhe për të parandaluar dhunën, situata u përshkallëzua. Protestues të dhunshëm sulmuan ushtarët e NATO-s me mjete shpërthyese, gurë, shufra metalike, kokteje Molotovi dhe mjete të tjera të rrezikshme. KFOR-i i përshkroi sulmet si të paprovokuara, ndërsa turmën si të dhunshme dhe të rrezikshme.

Tre vjet pas sulmit, një gjë mbetet e qartë, ajo ditë nuk ishte “incident lokal” dhe as shpërthim spontan i zemërimit. Ishte një sfidë e drejtpërdrejtë ndaj pranisë së NATO-s në Kosovë dhe një provë e rrezikshme se veriu mund të instrumentalizohet si front presioni politik dhe gjeopolitik sa herë që Beogradit i nevojitet krizë.

Në atë pasdite, protestues të dhunshëm u përleshën me trupat paqeruajtëse të KFOR-it në një shkallë që i tejkaloi të gjitha episodet e ngjashme të dekadës së fundit, mjete shpërthyese, gurë, shufra metalike, kokteje Molotovi dhe, sipas pamjeve dhe raportimeve, edhe armë zjarri. Rezultati ishte dramatik: dhjetëra ushtarë të NATO-s të plagosur dhe një ushtar hungarez me pasoja të përhershme, çka e shndërroi Zveçanin në njërin nga episodet më të rënda të konfrontimit me KFOR-in që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Versioni që Beogradi tentoi të ndërtojë në fillim se bëhej fjalë për një protestë spontane të serbëve lokalë u zbeh shpejt përballë disa elementeve që nuk përputhen me logjikën e një turme të rastësishme.

Së pari, vetë profili i dhunës, mjetet dhe taktikat e përdorura ndaj një force të pajisur dhe të trajnuar si KFOR-i flasin për përgatitje, jo për reagim spontan.

Së dyti, organizimi politik që parapriu incidentin, bojkoti i zgjedhjeve lokale nga komuniteti serb, i kanalizuar përmes Listës Serbe, krijoi kushtet për një krizë të prodhuar me qëllim të delegjitimohej rendi institucional dhe të provokohej konfrontimi në momentin kur kryetarët e zgjedhur do të hynin në objektet komunale.

Ky ishte mekanizëm klasik i “krizës së projektuar”, fillimisht krijon boshllëk institucional përmes bojkotit, pastaj e portretizon zbatimin e rendit kushtetues si provokim dhe, në fund, e përdor turmën e organizuar për ta shndërruar situatën në përplasje.

Goditja e KFOR-it kishte një kuptim që shkon përtej Kosovës. Një sulm ndaj trupave të NATO-s është sulm ndaj kredibilitetit të NATO-s. Është përpjekje për të prodhuar perceptimin se Aleanca nuk kontrollon terrenin, se stabiliteti është i kushtëzuar dhe se çdo normalizim institucional mund të sabotohet nga një mobilizim i shpejtë i dhunshëm.

Këto janë kriza që nuk kërkojnë domosdoshmërisht fitore ushtarake; kërkojnë fitore të perceptimit. Mjafton të krijosh imazhin e pasigurisë, të rrisësh koston e veprimit të institucioneve të Kosovës dhe të shtysh diplomacinë ndërkombëtare drejt një “kompromisi” që, në praktikë, e shpërblen destabilizimin.

Në analizën e arkitekturës së dhunës në veri, emri i Milan Radoiçiqit mbetet nyje qendrore. Ai nuk ishte figurë margjinale lokale, por një aktor që ndërtoi rrjete kontrolli ku krimi i organizuar, presioni politik dhe strukturat informale të sigurisë funksiononin si një trup i vetëm.

Radoiçiqi, si ish-nënkryetar i Listës Serbe, mishëronte pikërisht atë zonë gri ku përfaqësimi politik shndërrohet në instrument operativ. Pranimi i tij publik për organizimin e sulmit të armatosur në Banjskë, në shtator 2023, e rrëzoi përfundimisht idenë se dhuna është “vetëorganizim i qytetarëve të pakënaqur”. Kur një organizator merr përgjegjësi për një operacion paramilitar, del në pah infrastruktura, njerëz, armë, logjistikë, financim, strehim dhe mbrojtje.

Këtu lind edhe pyetja që Perëndimi shpesh e ka shmangur për arsye pragmatike: si mund të mbijetojë një arkitekturë e tillë pa një ombrellë politike?

Një dimension tjetër shqetësues është roli ideologjik i segmenteve të Kishës Ortodokse Serbe, të cilat, në periudha krizash, kanë shërbyer si amplifikator i narrativave të nacionalizmit radikal. Kur veriu i Kosovës përshkruhet si “territor i pushtuar”, kur institucionet e Kosovës portretizohen si kërcënim ekzistencial dhe prania e NATO-s si armik, krijohet klima ku dhuna justifikohet si “mbrojtje kombëtare”.

Rasti i Banjskës, me grupin e armatosur të barrikaduar në një manastir, e bëri këtë dimension edhe më të mprehtë. Edhe nëse nuk flitet për përfshirje direkte institucionale, vetë përdorimi i hapësirave fetare si strehë operative është sinjal alarmi për mënyrën se si nacionalizmi fetar mund të ndërthuret me logjikën paramilitare.

Aleksandar Vuçiq vazhdon të ruajë një dualitet politik që i ka sjellë përfitime jashtë Serbisë shfaqet si faktor stabiliteti dhe si njeri i domosdoshëm për dialogun, ndërsa brenda ushqen narrativa viktimizimi dhe mbron, drejtpërdrejt ose tërthorazi, strukturat që prodhojnë krizë.

Kjo është arsyeja pse tensioni i kontrolluar në veri është i vlefshëm, ai shndërrohet në instrument presioni. Sa herë që Serbia kërkon të rrisë peshën në negociata, veriu “ndizet” sa herë që duhet t’i dërgohet mesazh BE-së dhe NATO-s se “pa ne nuk ka stabilitet”, aktivizohen mekanizma që e bëjnë stabilitetin të kushtëzuar.

Mungesa e hapave seriozë ndaj organizatorëve dhe mbrojtja politike e figurave kyçe pas episodeve të dhunshme e forcon përshtypjen se Beogradi nuk është vetëm vëzhgues pasiv, por sponsor indirekt i një modeli destabilizimi.

Një nga problemet më të mëdha mbetet mënyra se si një pjesë e diplomacisë perëndimore e ka kornizuar situatën si “përshkallëzim ndëretnik”, e jo si operacion i organizuar që shënjestron NATO-n dhe shtetin e Kosovës. Kjo gjuhë neutrale mund të jetë e dobishme për uljen e temperaturës në afat të shkurtër, por ka një kosto strategjike ul koston politike për destabilizuesit dhe u dërgon sinjal se kufijtë e tolerancës mund të shtyhen.

Evropa shpesh justifikohet me frikën se Serbia mund të afrohet edhe më shumë me Rusinë. Por përvoja e veriut ka treguar se politika e akomodimit nuk prodhon moderim prodhon testim të vazhdueshëm të kufijve.

Ngjarjet e Zveçanit dhe Banjskës futen natyrshëm në logjikën e luftës hibride, përdorimi i aktorëve paraushtarakë, rrjeteve kriminale, propagandës dhe mohimit zyrtar, të kombinuara me mobilizim ideologjik dhe me objektivin për të krijuar perceptim jofunksionaliteti të shtetit.

Qëllimi nuk është domosdoshmërisht kontrolli i menjëhershëm territorial, është kontrolli i narrativës dhe i ritmit politik ta mbash Kosovën në një cikël krize ku çdo hap institucional ka kosto sigurie dhe ku NATO detyrohet të merret me menaxhim emergjent në vend se me konsolidim afatgjatë.

Pavarësisht rrezikut, ka edhe një zhvillim domethënës, rritja e kapaciteteve të institucioneve të Kosovës për t’u përballur me këto struktura. Agjencia Kosovare e Intelegjencës (AKI) ka bërë dhe vazhdon të bëjë një punë të jashtëzakonshme sa i përket veriut dhe gjithçka tjetër. Pas kësaj, pasuan edhe arrestimet, procedimet dhe insistimi se problemi nuk është komuniteti serb i Kosovës, por rrjetet kriminale të instrumentalizuara politikisht, e zhvendosin debatin nga etnia te siguria dhe ligji.

Kjo qasje është kyçe edhe për Perëndimin, sa më shpejt të pranohet se problemi është arkitektura kriminale e politike që e mban veriun peng, aq më pak hapësirë do të ketë Beogradi ta paraqesë çdo krizë si “pakënaqësi qytetare”.

Tre vjet pas sulmit ndaj KFOR-it, pyetja nuk është vetëm kush hodhi gurin apo kush ndezi Molotovin. Pyetja është kush e ndërtoi klimën, kush e organizoi mobilizimin, kush e mbrojti infrastrukturën dhe kush e uli koston politike të dhunës.

Zveçani ishte paralajmërim se nacionalizmi paramilitar i lidhur me rrjete kriminale dhe me ombrellë politike mund të kalojë nga barrikadat te terrori i hapur kundër forcave ndërkombëtare. Nëse kjo lexohet si incident, do të përsëritet. Nëse lexohet si model, atëherë përgjigjja duhet të jetë e drejtpërdrejtë: llogaridhënie, sanksione të synuara, presion ndaj sponsorëve politikë dhe mbështetje pa ekuivoke për rendin kushtetues dhe praninë e NATO-s në Kosovë. /KB/The GeoPost

Tags: Aleksandar Vuçiq KFOR Kosova Milan Radoiçiq NATO Serbia

Continue Reading

Previous: Dodik në Moskë: Republika Srpska si ‘fortesë ruse’ në Ballkan

Dodik në Moskë: Republika Srpska si ‘fortesë ruse’ në Ballkan 1 min read
  • News

Dodik në Moskë: Republika Srpska si ‘fortesë ruse’ në Ballkan

The Geopost May 30, 2026
F16 në alarm në Rumani pas incidentit me dronë: NATO reagon ashpër ndaj Rusisë 2 min read
  • Botë
  • News

F16 në alarm në Rumani pas incidentit me dronë: NATO reagon ashpër ndaj Rusisë

The Geopost May 30, 2026
“Marrëveshje politike”, Hungaria dhe BE-ja drejt zhbllokimit të mbi 16 miliardë eurove 2 min read
  • Botë
  • News

“Marrëveshje politike”, Hungaria dhe BE-ja drejt zhbllokimit të mbi 16 miliardë eurove

The Geopost May 30, 2026
Japonia dërgon trupa për t’u stërvitur me misionin e NATO-s në Ukrainë 1 min read
  • Botë
  • News

Japonia dërgon trupa për t’u stërvitur me misionin e NATO-s në Ukrainë

The Geopost May 30, 2026
Evropa dhe NATO-ja e paralajmërojnë Moskën pasi droni rus goditi një ndërtesë banimi në Rumani 4 min read
  • Botë
  • News

Evropa dhe NATO-ja e paralajmërojnë Moskën pasi droni rus goditi një ndërtesë banimi në Rumani

The Geopost May 29, 2026
NATO lëviz në Baltik – deri në 60 mijë trupa pranë kufirit me Rusinë 1 min read
  • Botë
  • News

NATO lëviz në Baltik – deri në 60 mijë trupa pranë kufirit me Rusinë

The Geopost May 29, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.