 
                Shkrim autorial i Dragan Shormaz për The Geopost
Pas disa viteve të ngritjes ekonomike dhe tërheqjes së investimeve të huaja direkte (IHD) të rëndësishme, ekonomia e Serbisë ka filluar të tregojë simptoma të një krize serioze dhe të paqëndrueshmërisë së modelit aktual të zhvillimit. Gjatë këtij viti, IHD-të janë përgjysmuar praktikisht, për shkak të pranisë së faktorëve të rëndësishëm të rrezikut dhe problemeve strukturore që e bëjnë Serbinë gjithnjë e më pak tërheqëse për investitorët e huaj.
Sipas të dhënave të fundit të Bankës Popullore të Serbisë, në vend të rritjes së parashikuar më parë prej 4.5%, rritja e GDP-së për këtë vit do të jetë vetëm 2.8%, ndërsa IHD-të kanë shënuar një ulje prej madje 54% (ato nga Kina – një rënie e pabesueshme prej 94%!). Megjithëse pushteti për këto rezultate dëshpëruese ekonomike fajëson mosmarrëveshjet politike të shoqëruara me protesta dhe bllokada që kanë karakterizuar proceset politike në vend gjatë 11 muajve të fundit, shkaqet reale janë shumë më të thella dhe më serioze.
Një nga arsyet e ngadalësimit të ekonomisë serbe lidhet me faktorët e jashtëm që reflektojnë gjendjen e ekonomisë evropiane dhe rrjedhimisht uljen e investimeve ndërkufitare që vijnë nga ajo anë. Ky trend e ka goditur veçanërisht Serbinë, pasi shumica dërrmuese e IHD-ve vjen nga vendet e BE-së — mungesë për të cilën Serbia nuk ka mundur të gjejë zëvendësim. Iluzioni për të gjetur investime zëvendësuese në Azi u tregua një ambicie foshnjarake e Aleksandar Vuçiqit, e cila u përplas me realitetin. Këtë e dëshmon qartë zhdukja e plotë e investimeve kineze, për të cilat vitin e kaluar në Beograd pohohej me vetëbesim se kishin marrë përparësi ndaj atyre nga vendet e BE-së.
Faktori i dytë dhe shumë më i rëndësishëm i rrënimit të imazhit të Serbisë si destinacion tërheqës investimesh qëndron tek faktorët e brendshëm, rezultat i politikave të gabuara të regjimit në Beograd. Në radhë të parë janë pasiguritë gjeopolitike që burojnë nga orientimi dhe pozicionimi strategjik i paqartë i Serbisë, e cila është interesante për investitorët e huaj vetëm si vend me qasje të lehtësuar në tregun e përbashkët të BE-së. Si treg relativisht i vogël (çka vlen për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor), investimi në Serbi ka kuptim vetëm në kontekstin e një hyrjeje më të lehtë e më konkurruese në tregun e BE-së. Çdo vënie në pikëpyetje e vazhdimit të integrimeve evropiane të vendit përbën një sinjal alarmi për investitorët e huaj dhe një tregues të qartë për shmangien e Serbisë si destinacion i dëshirueshëm për investime.
Në kohën kur BE-ja dhe administrata e Trump-it po forcojnë sanksionet ndaj Moskës, sjellja kokëfortë e Vuçiqit dhe refuzimi i tij i vazhdueshëm për të vendosur sanksione ndaj regjimit kriminal të Putinit vetëm sa dekurajon kapitalin, si të huaj ashtu edhe vendas, për të investuar në ekonominë serbe.
Pasiguritë lidhur me furnizimin e ardhshëm me naftë dhe gaz — që janë gjithashtu pasojë e pozicionimit të gabuar gjeopolitik — janë një faktor negativ shtesë që i largon investitorët e huaj nga Serbia. Në vend që të bëhej pjesë e paketës evropiane të zgjidhjeve për sigurinë energjetike të tërë kontinentit, Vuçiq ka këmbëngulur për vite me radhë në një politikë pseudo-të pavarur të neutralitetit ushtarak, e gjithnjë e më shumë edhe politik. Kështu ai e ka sjellë vendin në pozitën e një varësie jetike nga entitete kriminale dhe të sanksionuara ruse – një problem që nuk mund të kapërcehet pa ndihmën dhe solidaritetin e BE-së.
Megjithatë, lind pyetja: çfarë ka bërë Serbia për ta merituar këtë ndihmë nga BE-ja, kur vetë ka zgjedhur rolin e të mbyturit ballkanik që, si pasagjer i verbër, është ngjitur pa ftesë në Titanikun e Putinit?!
Derisa pasiguria energjetike qëndron si shpata e Damokleut mbi kokën e Serbisë, investitorët e huaj nuk do të rrezikojnë paratë e tyre duke investuar në një vend ndaj së cilës Vuçiq sillet në mënyrë të papërgjegjshme dhe tejet aventuriere.
Përveç faktorëve të përmendur, investitorët e huaj i largojnë edhe korrupsioni i përhapur, pasiguria juridike dhe politika e gabuar monetare që ka çuar në mbivlerësimin e dinarit, si rezultat i mbajtjes së kursit fiks të valutës kombëtare — dhe kjo në kushte të një inflacioni kumulativ prej madje 82% nga viti 2012 deri më sot. Kjo do të thotë se prodhimi në Serbi (duke përfshirë edhe koston e fuqisë punëtore, e cila më parë ishte avantazhi i saj konkurrues) është bërë tepër i shtrenjtë, sidomos për degët e orientuara drejt eksportit, duke qenë se në 13 vitet e fundit gjithçka në vend është pothuajse dyfishuar në çmim, e matur në euro. Pikërisht këtë arsye përmendën pronarët e kompanisë Kentaur, kur para disa ditësh mbyllën prodhimin e tyre në Vranjë. Të njëjtën gjë e ka bërë edhe kompania Leoni, dhe gjithnjë e më shumë investitorë po largohen nga jugu i Serbisë!
Duke humbur këto përparësi krahasuese, Serbia duhej tashmë të kishte ndërtuar të reja — para së gjithash në fushën e zhvillimit të teknologjisë së lartë. Por duke pasur parasysh se investimet në inovacione përbëjnë vetëm 0,99% të GDP-së, që është në nivelin e vendeve të varfra të Jugut Global, është e qartë se Serbia ka humbur mundësinë për t’u lidhur me botën e zhvilluar.
Korrupsioni është një tjetër arsye pse investitorët e huaj, por edhe ata vendas, e anashkalojnë Serbinë! Vetëm në vitin 2023, Serbia ka shpenzuar 7,1 miliardë euro për kontrata të përjashtuara nga zbatimi i Ligjit për Prokurimet Publike, pra 97% e të gjitha prokurimeve publike atë vit! Në 51% të tenderëve ka pasur vetëm një ofertues! Pengimi i hetimit për rastin e rënies së mbulesës së stacionit hekurudhor në Novi Sad është vetëm maja e ajsbergut në zinxhirin e korrupsionit që Vuçiq ka krijuar pas nënshkrimit të marrëveshjeve ndërshtetërore (me Kinën, vendet arabe, Azerbajxhanin…) për projektet e mëdha infrastrukturore.
Në vend që t’u përgjigjej të gjitha këtyre sfidave me një qëndrim politik të qartë, Vuçiq është zhytur në retorikën dhe politikën e viteve ’90, me një prirje të dukshme drejt izolacionizmit dhe rrëshqitjes në katastrofë ekonomike. Në fund mbetet pyetja thelbësore: Kur vendi të mbetet pa naftë, gaz dhe perspektivë ekonomike, a do të mund qytetarët e Serbisë të jetojnë dhe të ngasin makinat e tyre me ndihmën e propagandës ruse që sot u ofrohet si zgjidhje?
E vetmja gjë që e bën horizontin përpara nesh disi më optimist se në vitet ’90 është gjeografia dhe fakti se, ndryshe nga atëherë, bota sot nuk ndodhet më në ato vite të errëta. Serbia është e rrethuar nga vende të NATO-s dhe BE-së, ndërsa ëndrrat për daljen e ushtrisë ruse në Danub kanë mbetur vetëm një shpresë e kotë e rusofilëve serbë — ashtu si edhe shpresat se me kontrabandën e naftës përgjatë Danubit do të anashkalohen sanksionet amerikane ndaj NIS-it rus. Çfarëdo që Vuçiq dhe ndjekësit e tij neoradikalë të bëjnë sot, klima e përgjithshme në Evropë do ta shkrijë akullin rus me të cilin ata po përpiqen ta ngrijnë Serbinë!
Megjithatë, pa angazhimin tonë aktiv, është e vështirë të arrijmë diçka më të rëndësishme për shoqërinë tonë sesa investimet e huaja direkte – e kjo është shërimi i kombit nga “virusi” i gënjeshtrave ruse!
Ne DUHET të heqim dorë qartë nga konceptet e “botës serbe” dhe “integralizmit serb”, dhe të orientohemi drejt anëtarësimit të Serbisë në BE dhe NATO, sepse vetëm në atë botë do të kemi paqë, demokraci, sovranitet, pavarësi, stabilitet, liri dhe prosperitet për shtetin dhe çdo individ!
Ky është i vetmi program kombëtar i drejtë për Serbinë e sotme, dhe patriotë të vërtetë janë vetëm ata që angazhohen për këtë zgjidhje të problemeve që sot e shtypin vendin!

 Ukraina mbyll ambasadën në Havanë për shkak të dërgimit të luftëtarëve kubanë për Rusinë
                                    Ukraina mbyll ambasadën në Havanë për shkak të dërgimit të luftëtarëve kubanë për Rusinë                                 Moldavia dhe Ukraina po ndërmarrin veprime kundër aleatëve të Wagner si pjesë e një hetimi ndërkufitar për krime lufte
                                    Moldavia dhe Ukraina po ndërmarrin veprime kundër aleatëve të Wagner si pjesë e një hetimi ndërkufitar për krime lufte                                 Ulutash dhe zyrtari i lartë amerikan flasin për sigurinë në Kosovë
                                    Ulutash dhe zyrtari i lartë amerikan flasin për sigurinë në Kosovë                                 Serbia po përgatitet për ‘Ditën-D’: Një det njerëzish po shkon drejt Novi Sadit, janë publikuar udhëzime të posaçme, Vuçiç ka njoftuar një fjalim të jashtëzakonshëm
                                    Serbia po përgatitet për ‘Ditën-D’: Një det njerëzish po shkon drejt Novi Sadit, janë publikuar udhëzime të posaçme, Vuçiç ka njoftuar një fjalim të jashtëzakonshëm                                 Sulmet ruse me dron në Ukrainë janë krime lufte, thotë Komisioni i OKB-së
                                    Sulmet ruse me dron në Ukrainë janë krime lufte, thotë Komisioni i OKB-së                                 Kush janë ekstremistët e djathtë që marshojnë në Serbi: SNS i mban në zinxhir të shkurtër dhe në buxhetin e shërbimeve të sigurisë
                                    Kush janë ekstremistët e djathtë që marshojnë në Serbi: SNS i mban në zinxhir të shkurtër dhe në buxhetin e shërbimeve të sigurisë