Presidenti Vladimir Putin pohon se Rusia nuk ka hapësirë për t’u tërhequr në një përplasje me Shtetet e Bashkuara për Ukrainën dhe do të detyrohet të marrë një përgjigje të ashpër nëse Perëndimi nuk heqë “vijën agresive”.
Putin ia adresoi komentet e tij zyrtarëve ushtarakë ndërsa Rusia bënte presion për një përgjigje urgjente të SHBA-së dhe NATO-s ndaj propozimeve që ajo bëri javën e kaluar për një grup të detyrueshëm garancish sigurie nga Perëndimi.
“Ajo që SHBA po bën në Ukrainë është në pragun tonë… Dhe ata duhet të kuptojnë se ne nuk kemi ku të tërhiqemi më tej. A mendojnë ata se ne thjesht do të shikojmë kot?” tha Putin.
“Nëse vija agresive e kolegëve tanë perëndimorë vazhdon, ne do të marrim masa adekuate të reagimit ushtarak-teknik dhe do të reagojmë ashpër ndaj hapave jomiqësorë”.
Putini nuk e shpjegoi natyrën e këtyre masave, por shprehja e tij pasqyronte atë që përdorej më parë nga zëvendësministri i Jashtëm Sergei Ryabkov, i cili ka paralajmëruar se Rusia mund të ridislokojë raketa bërthamore me rreze të mesme veprimi në Evropë në përgjigje të asaj që ajo i konsideron si planet e NATO-s për të bërë të njejtën gjë.
Rusia hedh poshtë akuzat e Ukrainës dhe të SHBA-së se mund të jetë duke përgatitur një pushtim të Ukrainës që në fillim të muajit të ardhshëm me dhjetëra mijëra trupa ruse të vendosura brenda kufirit. Megjithatë, qëndrimi i tij për mungesën e pretenduar të hapësirës për t’u tërhequr duhet të kuptohet si një qëllim për të justifikuar një angazhim eventual ushtarak ndaj Ukrainës, duke pasur parasysh grumbullimin masiv të ushtrisë në kufirin me fqinjin e saj.
Putin thotë se ka nevojë për premtime nga Perëndimi – duke përfshirë një premtim për të mos kryer aktivitet ushtarak të NATO-s në Evropën Lindore – sepse siguria e Rusisë kërcënohet nga lidhjet në rritje të Ukrainës me aleancën perëndimore dhe nga mundësia që raketat e NATO-s të vendosen kundër saj në territorin ukrainas.
Me fuqitë perëndimore të prirura për t’i treguar Rusisë se janë solide në mbështetjen e tyre ndaj Ukrainës dhe NATO-s, kancelari i ri i Gjermanisë Olaf Scholz gjithashtu foli me Putinin, përmes një bisede telefonike.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, hodhi poshtë të martën një takim personal midis Biden dhe Putin për momentin. “Unë mendoj se ne duhet të shohim nëse, në radhë të parë, ka ndonjë përparim diplomatik,” tha Blinken në një konferencë shtypi kur u pyet nëse një samit mes dy presidentëve mund të ndodhë në përpjekje për të lehtësuar tensionet.
Karen Donfried, kryediplomati i Departamentit Amerikan të Shtetit për Evropën, tha në një konferencë me gazetarët se Uashingtoni ishte i përgatitur të bashkëpunonte me Moskën nëpërmjet tre kanaleve – bashkëpunim dypalësh, përmes Këshillit NATO-Rusi që u mbajt për herë të fundit në 2019 dhe përmes Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë.
Ndërkohë, tha ajo, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të dërgojnë pajisje dhe furnizime ushtarake në Ukrainë në javët dhe muajt në vijim – diçka që ka antagonizuar Moskën.
“Siç i ka thënë presidenti (Joe) Biden Presidentit Putin, nëse Rusia pushton më tej Ukrainën, ne do t’u ofrojmë materiale shtesë për mbrojte ukrainasve përtej atyre për të cilat ne jemi tashmë në procesin e sigurimit,” tha ajo.
Uashingtoni po shqyrton masa të ashpra të kontrollit të eksporteve për të prishur ekonominë e Rusisë nëse Putin pushton Ukrainën, tha një zyrtar i administratës Biden për “Reuters”, dhe masat do të diskutohen në një takim me zyrtarë të lartë të martën.

Picula: S’ka anëtarësim të Serbisë në BE pa njohur Kosovën, ta arrestohet Radojciq
Ukraina dhe Mbretëria e Bashkuar bien dakord për prodhimin e përbashkët të dronëve interceptues
Bashkimi Evropian kërkon t’i japë fund varësisë nga Kina për metalet e rralla
Në Vjenë vendoset memoriali ‘Lulja e Srebrenicës’
Tensionet mbeten të larta ndërsa Kina dhe BE përgatiten për takimin e Brukselit mbi metalet e rralla
Dy muaj pas publikimit të videos Luçiq-Müller: U ngritën padi penale në TOK për ushtrim ndikimi, por çështja nuk është zgjidhur ende