Monumenti “Lulja e Srebrenicës” u zbulua më 24 tetor në Sheshin e Kombeve të Bashkuara në Vjenë, në kujtim të viktimave të gjenocidit të korrikut 1995.
Monumenti u ngrit në organizim të Lidhjes së Shoqatave Boshnjako-Hercegovinase në Austri “Consilium Bosniacum”, duke theksuar se ai simbolizon kujtesën, të vërtetën dhe paralajmërimin për njerëzimin.
Duke folur në Vjenë, Kryetari i Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Zheljko Komshiq, tha se e vërteta e konstatuar ligjërisht për gjenocidin dhe krimet kundër njerëzimit sot është e njohur në të gjithë botën.
“Krimi i gjenocidit në Srebrenicë është bërë një precedent historik në historinë boshnjake, sepse për herë të parë përpjekja për shfarosjen e një populli në këtë masë është dokumentuar dhe memorizuar institucionalisht. Roli dhe ndihma e Gjykatës së Kombeve të Bashkuara në gjithë këtë ishte i madh,” tha Komshiq.
Ai theksoi se nuk duhet harruar as “ana e errët e rolit të OKB-së në gjenocidin e Srebrenicës”.
“Duke e shpallur Srebrenicën zonë nën mbrojtjen e saj dhe duke shpallur demilitarizimin që në praktikë përfshinte vetëm çarmatosjen e pjesëtarëve të Ushtrisë së BeH-së, dhe aspak atë të pjesëtarëve të Ushtrisë së Republikës Serbe, OKB mundësoi kryerjen e operacionit gjenocidal të korrikut 1995,” tha ai.
Në ceremoni ishte i pranishëm edhe ministri i Punëve të Jashtme të BeH-së, Elmedin Konakoviq, i cili theksoi se kultura e kujtesës duhet të jetë e pranishme gjatë gjithë vitit, në të gjithë botën, dhe jo vetëm në ditën e përkujtimit të përvjetorit të gjenocidit, më 11 korrik.
Ai paralajmëroi për shfaqjen e mohimit të krimeve të dënuara, lavdërimit të kriminelëve të luftës dhe përhapjes së urrejtjes, duke theksuar se kjo nuk përbën vetëm një rënie morale, por edhe një kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin e shoqërisë evropiane.
Në gjenocidin në Srebrenicë, të kryer nga Ushtria e Republikës Serbe në korrik 1995, u vranë më shumë se 8,000 burra dhe djem boshnjakë.
Përveç vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, i cili në vitin 2007 konfirmoi se në Srebrenicë kishte ndodhur gjenocid, Tribunali i Hagës dënoi për krime në zonën e mbrojtur të Kombeve të Bashkuara 16 persona, prej të cilëve shtatë për krimin e gjenocidit.
Tre dekada pas gjenocidit, para Tribunalit, si dhe gjykatave në BeH dhe rajon, janë dënuar më shumë se 50 persona me rreth 780 vjet burg.

Raporti i CEPA-s: Rusia po zhvillon “luftë në hije” në Evropë, rritet rreziku i përshkallëzimit
Momçilo Gajiq, udhëheqësi i grupit serb që shkaktoi trazira në Evropë me urdhër të inteligjencës ruse, strehohet në Moskë
Kosova bashkë me vendet e tjera dënon sulmet iraniane në Ngushticën e Hormuzit
Deputeti i Bundestagut gjerman: Ndërhyrja e NATO-s në ’99-ën ndali gjenocidin e Millosheviqit në Kosovë
Ulja e orëve të gjuhëve të huaja në shkollat ruse si mjet militarizimi
“Nuk e bënë shqiptarët” – Si u vra Milosh Vlashkoviqi në Mazgit nga dy ushtarë serbë, teksa grabisnin shtëpitë në vitin 1999