
Getty Images
Ish-kryeministri francez, Francois Fillon, i është bashkuar bordit të prodhuesit më të madh petrokimik rus “Sibur”, tha kompania.
Korporatat e mëdha ruse shpesh punësojnë ish-politikanë të rangut të lartë evropian për të shfrytëzuar lidhjet dhe ndikimin e tyre.
Ish-kancelari gjerman, Gerhard Schroeder, është kryetari i komitetit të aksionerëve në kompaninë operuese të Nord Stream, ndërsa gjigandi rus i energjisë Rosneft (ROSN.MM) në fillim të këtij viti emëroi ish-ministren e Jashtme të Austrisë, Karin Kneissl, në bordin e tyre.
Kremlini ka thënë se Fillon, i cili shërbeu si kryeministër në kohën e Nicolas Sarkozys, nga 2007-2012, ka pasur “marrëdhënie mjaft të mira” me presidentin Vladimir Putin.
“Sibur”, e cila është kompani në pronësi private është prodhuesi më i madh i produkteve petrokimike në Evropën Lindore. Ajo ka planifikuar prej kohësh një ofertë publike fillestare.
Aksionarët e saj më të mëdhenj janë Leonid Mikhelson, njëherësh kreu dhe aksionari më i madh edhe në prodhuesin më të madh rus të gazit natyror të lëngshëm “Novatek” (NVTK.MM) dhe biznesmeni Gennady Timchenko, një aleat i ngushtë i Putinit.
Vlen të theksohet se pas përfundimit të mandatit të tij, ish-kancelari gjerman, Gerhard Schroeder iu bashkua bordit të drejtorëve të GAZPROM. Rusia, me në krye Putinin, i shfrytëzon kompanitë e saj fitimprurëse për të korruptuar sa më shumë politikanë nga Evropa, duke i punësuar ata në këto kompani.
Pas përfundimit të mandatit të tyre, vlen të shihet se sa politikanë tjerë nga Evropa do të gjejnë veten në këto borde të famshme të kompanive ruse, gjatë javëve në vazhdim.