Asambleja Politike e Partisë Popullore Evropiane (EPP) ka miratuar të hënën një deklaratë për Serbinë, pas ngjarjeve që shoqëruan varrimin në Beograd të Ratko Mladiqit, i dënuar për krime lufte dhe gjenocidin në Srebrenicë.
EPP i ka cilësuar pamjet nga varrimi si “thellësisht shqetësuese”, duke rikujtuar se përgjegjësia penale e Mladiqit për gjenocidin në Srebrenicë dhe krime të tjera të rënda gjatë luftërave në ish-Jugosllavi është përcaktuar nga gjykatat ndërkombëtare.
“Krimet e tij janë përcaktuar nga gjykatat ndërkombëtare dhe nuk duhet të relativizohen, glorifikohen apo harrohen kurrë”, thuhet në deklaratën e EPP-së.
Partia Popullore Evropiane ka kritikuar veçanërisht nderimet publike dhe shtetërore gjatë varrimit, pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë serbë dhe shfaqjet publike të mbështetjes.
Sipas EPP-së, në vend të ballafaqimit me këtë trashëgimi të së kaluarës, në Serbi u panë nderime publike e shtetërore në varrim dhe pjesëmarrje e zyrtarëve të lartë të vendit.
EPP vlerëson se veprime të tilla bien ndesh me vlerat e pajtimit, respektit për viktimat dhe llogaridhënies, të cilat, sipas saj, janë në themel të projektit evropian.
Asambleja Politike tha gjithashtu se i bashkohet dënimit të shprehur nga udhëheqja e EPP-së dhe komuniteti ndërkombëtar.
Në deklaratë përmendet në mënyrë të veçantë edhe Partia Progresive Serbe (SNS).
“Në kuadër të procesit të vazhdueshëm të shqyrtimit të SNS-së, këto ngjarje të fundit nuk mund të injorohen”, thuhet në deklaratë.
SNS është anëtare e asociuar e EPP-së që nga viti 2016, ndërsa formulimi i deklaratës tregon se statusi dhe veprimet e saj janë aktualisht pjesë e një procesi shqyrtimi brenda familjes politike evropiane.
The EPP Political Assembly adopted a statement on Serbia, addressing the recent events surrounding the funeral of convicted war criminal Ratko Mladić in Belgrade. pic.twitter.com/mT5Wnu5m8A
— EPP (@EPP) September 29, 2026

Avokati serb: Dosjet e BIA-s mund ta tronditin Serbinë, nga vrasja e Ivanoviqit te lidhjet e shërbimit me pushtetin
Goditje Listës Serbe, paralajmërohet largimi i të gjithë drejtuesve të institucioneve serbe në Kosovë të ndikuar nga Vuçiqi
Shormaz kërkon arrestimin dhe dorëzimin e Radoiçiqit në Prishtinë: Nëse nuk është arratisur, duhet të kapet menjëherë
Milionat për mediat besnike të Vuçiqit
Sfidat pas Vuçiqit: Pesë detyra nga të cilat varet e ardhmja demokratike e Serbisë
Milan Radoiçiqi është larguar nga Serbia, ka shkuar në Rusi – thotë ish-inspektori i BIA-s