Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, ka bërë të ditur se ai dhe disa zyrtarë të tjerë të kësaj partie kanë pranuar thirrje nga Departamenti për Hetimin e Terrorizmit i Prokurorisë Speciale të Kosovës, në cilësinë e të dyshuarve.
Simiq, përmes një postimi në Instagram, ka thënë se atij dhe zyrtarëve të tjerë të Listës Serbe u vihen në barrë katër vepra penale.
Sipas tij, bëhet fjalë për bashkim me qëllim të sulmit ndaj rendit kushtetues të Kosovës, sulm ndaj personit zyrtar, rrezikim të personit nën mbrojtje ndërkombëtare, si dhe pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm.
“Si gjithmonë, do t’i përgjigjem thirrjes, sepse nuk kam asgjë për të fshehur, i vetëdijshëm, ashtu si edhe ata që e kanë shkruar këtë, se nuk kam kryer asnjë vepër penale dhe se, si përfaqësues politik, e kam obligim të jem me popullin tim dhe të flas publikisht për vuajtjet e tij”, ka shkruar Simiq.
Radio Evropa e Lirë ka bërë të ditur se i është drejtuar edhe Prokurorisë Speciale të Kosovës për sqarime lidhur me dyshimet konkrete ndaj zyrtarëve të Listës Serbe, ngjarjet me të cilat lidhen ato dhe numrin e personave të dyshuar, por deri më tani nuk ka pranuar përgjigje.
Simiq, i cili është edhe deputet në Kuvendin e Kosovës, e ka cilësuar thirrjen si “presion”, duke pretenduar se zyrtarët e Listës Serbe ftohen nga organet e drejtësisë “sa herë që e ngremë zërin për shkeljen e të drejtave individuale dhe kolektive të serbëve”.
Lista Serbe është partia më e madhe politike e serbëve në Kosovë dhe gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Zyrtarë të kësaj partie janë ftuar edhe më herët për intervistim nga Prokuroria Speciale në raste që lidhen me dyshime për “sulm ndaj rendit kushtetues të Kosovës”.
Vitet e fundit, veriu i Kosovës është përballur me një sërë tensionesh, protesta dhe barrikada të ngritura nga serbët lokalë në kundërshtim me vendime të institucioneve të Kosovës, ndërsa Lista Serbe i ka mbështetur disa prej këtyre protestave.
Në qershor të këtij viti, Prokuroria e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj gjashtë personave për vendosjen e barrikadave në dhjetor të vitit 2022.
Tensionet në veri u përshkallëzuan më tej në maj të vitit 2023 në Zveçan, gjatë protestave kundër hyrjes së kryetarit shqiptar në objektin e komunës pas zgjedhjeve të bojkotuara nga shumica e serbëve lokalë.
Në përleshjet e asaj kohe u plagosën më shumë se 90 pjesëtarë të KFOR-it, ndërsa organet e drejtësisë në Kosovë kanë proceduar një numër personash lidhur me këto ngjarje.
Situata kulmoi me sulmin e armatosur në Banjskë më 24 shtator 2023, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa gjatë përleshjeve u vranë edhe tre pjesëtarë të grupit të armatosur serb.
Përgjegjësinë për organizimin e sulmit e kishte marrë Milan Radoiçiq, atëherë nënkryetar i Listës Serbe. Autoritetet e Kosovës kanë akuzuar Serbinë për përfshirje në këtë sulm, pretendime të cilat Beogradi zyrtar i ka mohuar.
The GeoPost

Avokati serb: Dosjet e BIA-s mund ta tronditin Serbinë, nga vrasja e Ivanoviqit te lidhjet e shërbimit me pushtetin
Goditje Listës Serbe, paralajmërohet largimi i të gjithë drejtuesve të institucioneve serbe në Kosovë të ndikuar nga Vuçiqi
Shormaz kërkon arrestimin dhe dorëzimin e Radoiçiqit në Prishtinë: Nëse nuk është arratisur, duhet të kapet menjëherë
Milionat për mediat besnike të Vuçiqit
Sfidat pas Vuçiqit: Pesë detyra nga të cilat varet e ardhmja demokratike e Serbisë
Milan Radoiçiqi është larguar nga Serbia, ka shkuar në Rusi – thotë ish-inspektori i BIA-s