Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan

Milionat për mediat besnike të Vuçiqit

The Geopost November 14, 2026 7 min read
Share the news

Telekomi shtetëror i Serbisë është shndërruar në një nga aktorët kryesorë të biznesit mediatik, duke investuar qindra miliona euro në televizione dhe kompani mediatike, përfshirë ato që kanë mbështetur hapur pushtetin e Aleksandar Vuçiçit. Ndërkohë, kontratat, arsyet ekonomike dhe rrjedha e parave në disa prej këtyre marrëveshjeve mbeten të paqarta për publikun.

Për vite me radhë, Aleksandar Vuçiq dhe Partia Progresive Serbe (SNS) kanë ndërtuar një marrëdhënie të ngushtë me një pjesë të konsiderueshme të mediave në Serbi. Një prej instrumenteve më të rëndësishme në këtë sistem është bërë Telekom Srbija, kompani me pronësi shumicë shtetërore, e cila nga një operator telekomunikacioni është zgjeruar në një prej aktorëve më të fuqishëm të tregut mediatik.

Përmes blerjeve, investimeve, marrëveshjeve për shpërndarjen e kanaleve televizive, reklamave dhe sponsorizimeve, Telekomi ka krijuar një rrjet të gjerë interesash mediatike. Një pjesë e këtyre investimeve kanë përfshirë media që kanë mbështetur qeverinë e mëparshme dhe kanë promovuar narrativat politike të pushtetit të Vuçiqit.

Rasti i televizionit Informer është një prej shembujve më të diskutueshëm. Pavarësisht se kompania shtetërore nuk pranon të bëjë publike shumat dhe kushtet e bashkëpunimit, përfaqësuesit e Listës Studentore, fituese e zgjedhjeve të 25 tetorit, pretendojnë se Informer përfitonte nga Telekomi 500 deri në 700 mijë euro në muaj.

Investimet në këtë televizion ishin konfirmuar edhe nga vetë Vuçiqi, i cili i kishte cilësuar ato si “investimi më i mirë i Telekomit”.

Megjithatë, kur Radio Evropa e Lirë kërkoi sqarime për shumën e parave dhe bazën ekonomike të marrëveshjes, Telekomi u përgjigj se kushtet komerciale dhe shumat kontraktuale përbëjnë sekret tregtar.

Kompania argumentoi se bashkëpunimi me mediat është pjesë e strategjisë për të tërhequr sa më shumë përdorues në rrjetin e saj, duke këmbëngulur se partneritetet lidhen mbi parime tregtare dhe nuk kanë motive politike.

Por, rasti i Informerit ka marrë një dimension tjetër pas zgjedhjeve në Serbi.

Më 4 nëntor, Organi Rregullator për Median Elektronike (REM) i shqiptoi këtij televizioni një ndalim shtatëditor për transmetimin e një pjese të programit informativ, për shkak të shkeljeve të rënda të rregullave për raportimin parazgjedhor dhe paanshmërinë.

Sipas të dhënave të rregullatorit, vetëm gjatë vitit 2025 kundër Informerit ishin paraqitur 38 raportime, ndërsa shkelje ligjore ishin konstatuar në 20 raste. Organizatat mediatike kanë kërkuar gjithashtu ndërprerjen e financimit publik për mediat që shkelin ligjin dhe standardet profesionale.

Kandidatja e Listës Studentore, Mirjana Nikolić, e ka kritikuar drejtpërdrejt rolin e Telekomit në këtë sistem, duke thënë se kompania duhet të merret me shpërndarjen e përmbajtjes dhe jo me përcaktimin e drejtimit të mediave në Serbi.

“Telekom është distributor dhe nuk duhet të jetë kryeredaktore e Serbisë”, deklaroi ajo më 29 tetor.

Një rrjet mediatik që kushton qindra miliona euro

Rasti i Informerit nuk është i vetmi që ngre pikëpyetje për mënyrën se si Telekomi përdor paratë e një kompanie me pronësi shumicë shtetërore.

Sipas raportit financiar të kompanisë, gjatë vitit të kaluar Telekomi ndau deri në 906 milionë euro për investime në media dhe blerjen e kompanive televizive, ndërsa 40 milionë euro të tjera i shpenzoi për reklama dhe sponsorizime.

Sot, portofoli i tij përfshin më shumë se 30 kanale televizive, portale lajmesh dhe media të shtypura. Sipas regjistrit të REM-it, Telekomi zotëron drejtpërdrejt ose përmes kompanive të tij 32 kanale televizive me licencë të vlefshme.

Kompania e arsyeton këtë zgjerim me rritjen e biznesit dhe investimet në tregun e telekomunikacionit. Sipas saj, të ardhurat nga segmenti multimedial janë rritur nga rreth 93 milionë euro në vitin 2017 në rreth 716 milionë euro në vitin 2025, ndërsa numri i abonentëve është rritur nga 765 mijë në 2.2 milionë.

Megjithatë, një pjesë e rëndësishme e këtij biznesi operon me humbje dhe mbështetet financiarisht nga vetë Telekomi.

Arena Channels Group, kompania që transmeton kryesisht kanale sportive dhe zotëron të drejta të rëndësishme televizive, e mbylli vitin e kaluar me humbje prej 114.5 milionë eurosh. Gjatë dy viteve të fundit, Telekomi kishte investuar 432 milionë euro në këtë kompani përmes rikapitalizimit, ndërsa ajo i detyrohet edhe 284 milionë euro.

Në të njëjtën kohë, kompanitë e tjera të grupit kanë marrë pjesë të konsiderueshme të të ardhurave nga vetë Telekomi. Arena News Channels, që transmeton Euronews Serbia dhe kanale të tjera, realizoi 10.4 milionë euro të ardhura vitin e kaluar, prej të cilave 8.5 milionë euro, ose 82 për qind, erdhën nga kompanitë e grupit Telekom.

Edhe Newsmax Balkans, përmes kompanisë Arena News Channels Two, mori rreth pesë milionë euro nga Telekomi, që përbënin 98 për qind të të ardhurave të saj. Megjithatë, kanali e mbylli vitin me humbje prej 1.5 milion eurosh dhe kishte borxh 5.4 milionë euro ndaj kompanisë shtetërore.

Një tjetër investim i rëndësishëm ishte blerja e më shumë se 80 për qind të pronësisë në Mondo Inc., kompani që zotëron grupin mediatik ku bëjnë pjesë gazeta dhe televizioni Kurir. Për këtë marrëveshje, sipas raportit financiar të Telekomit, u ndanë rreth 101 milionë euro, pothuajse trefishi i vlerës kontabël të pjesës së blerë.

Pink-u i Mitroviqit: miliona euro të ardhura dhe borxhe ndaj shtetit

Një tjetër prej aktorëve kryesorë të sistemit mediatik që ka mbështetur pushtetin e Vuçiçit është grupi Pink Media, në pronësi të biznesmenit Željko Mitrović.

Të dhënat financiare tregojnë se kompania ka pasur një vit të suksesshëm biznesi. Gjatë vitit 2025, ajo realizoi të ardhura prej 79.2 milionë eurosh, rreth 10 për qind më shumë se një vit më parë, ndërsa fitimi neto arriti në rreth 5.5 milionë euro, një rritje prej 245 për qind krahasuar me vitin 2024.

Pavarësisht këtyre rezultateve, dokumentacioni i Administratës Tatimore, të cilin e ka parë revista Radar, tregon se më 3 nëntor të këtij viti Pink Media Group kishte borxh 208.1 milionë dinarë serbë, ose rreth 1.8 milionë euro.

Pjesa dërrmuese e këtij borxhi, rreth 197.9 milionë dinarë, lidhej me tatimin mbi fitimin e papaguar, ndërsa pjesa tjetër me detyrimet për financimin e pagave të personave me aftësi të kufizuara.

Pas pyetjeve të Radarit, kompania e Mitrovićit deklaroi se e kishte shlyer borxhin dhe se më 9 nëntor nuk i detyrohej asgjë Administratës Tatimore. Ajo paraqiti edhe një konfirmim nga Ministria e Financave, por nuk sqaroi se në cilën datë ishte kryer pagesa.

Në të njëjtën kohë, kompania kishte marrë leje ndërtimi për një kompleks të ri biznesi në Dedinje, pranë ndërtesës së televizionit Pink.

Sipas dokumentacionit të lejes së ndërtimit, projekti parashikon një objekt me tri nivele nëntokësore, kat përdhes, dy kate dhe një kat të ngritur, me sipërfaqe të përgjithshme prej 5.922 metrash katrorë. Kostoja e parashikuar e ndërtimit është 967.9 milionë dinarë, ose rreth 8.8 milionë euro.

Dokumentet e kadastrës tregojnë gjithashtu se Mitroviq kishte lidhur një marrëveshje kredie me Erste Bank, me vlerë deri në katër milionë euro, duke vendosur hipoteka mbi truallin ku planifikohet ndërtimi dhe mbi ndërtesën e televizionit Pink.

Sipas të dhënave të publikuara nga Radar, kredia duhet të shlyhet deri në vitin 2028, ndërsa këstet mujore arrijnë në rreth 111 mijë euro.

Kështu, ndërsa Mitrović njoftonte për pushimin nga puna të 150 punonjësve të Teatrit Odeon dhe paralajmëronte shkurtime të tjera në kompanitë e tij, grupi Pink kishte realizuar miliona euro fitim dhe po planifikonte një investim të ri në kryeqytetin serb.

Mediat si instrument politik dhe biznesor

Rastet e Informerit, Pink-ut dhe kompanive të tjera të përfshira në rrjetin e Telekomit tregojnë për përmasat e lidhjes mes interesave shtetërore, biznesit mediatik dhe politikës në Serbi.

Përveç investimeve të drejtpërdrejta, Telekomi ka ndërtuar një pozitë dominuese në shpërndarjen e përmbajtjes televizive. Pjesa e tij në tregun e televizionit me pagesë në Serbi, sipas të dhënave të kompanisë, ka arritur në 62 për qind.

Ndryshimet ligjore të vitit 2023 i hapën rrugë rikthimit të shtetit në pronësinë e mediave përmes ndërmarrjeve publike, duke i mundësuar Telekomit të zgjerojë më tej ndikimin në këtë sektor.

Komisioni Evropian ka ngritur shqetësime për përqendrimin e pronësisë mediatike, mungesën e transparencës dhe ndikimin politik në tregun serb të mediave.

Ndërkohë, pas ndryshimeve politike të fundit, përfaqësuesit e Listës Studentore kanë kërkuar dorëheqjen e drejtorit të Telekomit, Vladimir Luçiq, dhe ndërprerjen e shpenzimeve që i konsiderojnë të pajustifikuara me paratë publike.

Edhe gazetarët dhe organizatat mediatike kanë kërkuar auditim financiar dhe hetim të marrëdhënieve mes Telekomit dhe mediave që kanë përfituar nga fondet shtetërore.

Në thelb, çështja nuk lidhet vetëm me shumën e parave që janë investuar në televizione dhe portale, por edhe me mënyrën se si një kompani me pronësi shumicë shtetërore është shndërruar në një nga qendrat kryesore të fuqisë mediatike në Serbi.

Ndërsa Telekomi i paraqet këto marrëveshje si investime komerciale, mungesa e transparencës për kontratat, humbjet e disa kompanive dhe varësia e mediave nga financimi brenda të njëjtit grup ngrenë pikëpyetje për kufirin mes interesit ekonomik dhe ndikimit politik.

The GeoPost
Tags: Aleksandar Vuçiq Serbia

Continue Reading

Previous: Sfidat pas Vuçiqit: Pesë detyra nga të cilat varet e ardhmja demokratike e Serbisë
Next: Shormaz kërkon arrestimin dhe dorëzimin e Radoiçiqit në Prishtinë: Nëse nuk është arratisur, duhet të kapet menjëherë

Avokati serb: Dosjet e BIA-s mund ta tronditin Serbinë, nga vrasja e Ivanoviqit te lidhjet e shërbimit me pushtetin 10 min read
  • Ballkan
  • Lajme

Avokati serb: Dosjet e BIA-s mund ta tronditin Serbinë, nga vrasja e Ivanoviqit te lidhjet e shërbimit me pushtetin

The Geopost November 14, 2026
Goditje Listës Serbe, paralajmërohet largimi i të gjithë drejtuesve të institucioneve serbe në Kosovë të ndikuar nga Vuçiqi 4 min read
  • Ballkan

Goditje Listës Serbe, paralajmërohet largimi i të gjithë drejtuesve të institucioneve serbe në Kosovë të ndikuar nga Vuçiqi

The Geopost November 14, 2026
Shormaz kërkon arrestimin dhe dorëzimin e Radoiçiqit në Prishtinë: Nëse nuk është arratisur, duhet të kapet menjëherë 2 min read
  • Ballkan

Shormaz kërkon arrestimin dhe dorëzimin e Radoiçiqit në Prishtinë: Nëse nuk është arratisur, duhet të kapet menjëherë

The Geopost November 14, 2026
Sfidat pas Vuçiqit: Pesë detyra nga të cilat varet e ardhmja demokratike e Serbisë 10 min read
  • Analiza
  • Ballkan

Sfidat pas Vuçiqit: Pesë detyra nga të cilat varet e ardhmja demokratike e Serbisë

The Geopost November 14, 2026
Milan Radoiçiqi është larguar nga Serbia, ka shkuar në Rusi – thotë ish-inspektori i BIA-s 2 min read
  • Ballkan
  • News

Milan Radoiçiqi është larguar nga Serbia, ka shkuar në Rusi – thotë ish-inspektori i BIA-s

The Geopost November 13, 2026
Kush është Zvonko Veselinoviq, biznesmeni i sanksionuar nga SHBA-ja që u strehua në Turqi: Nga barrikadat në veri te milionat nën udhëheqjen e Vuçiqit 9 min read
  • Ballkan
  • News

Kush është Zvonko Veselinoviq, biznesmeni i sanksionuar nga SHBA-ja që u strehua në Turqi: Nga barrikadat në veri te milionat nën udhëheqjen e Vuçiqit

The Geopost November 13, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.