Fitorja madhështore e Listës Studentore në zgjedhjet e mbajtura së fundmi në Serbi përbën një hap të madh përpara, por jo edhe fitoren përfundimtare të demokracisë në një vend, institucionet demokratike të të cilit janë rrënuar në themel gjatë 14 viteve të qeverisjes së regjimit të Aleksandar Vuçiqit.
Edhe pse rrëzimi i regjimit të paskrupullt radikal nuk ishte aspak një detyrë e lehtë, tani pushtetin e ri e pret një punë shumë më serioze, rezultat i së cilës duhet të jetë çmontimi i sistemit të kontrollit partiak dhe krijimi i kushteve institucionale për një garë normale demokratike politike në vend.
Nga Dragan Shormaz
Historia na mëson se në proceset e ndryshimeve politike ekziston gjithmonë një kurth, në të cilin bien shumë shpesh ata që i udhëheqin këto procese. Ky kurth lind nga bindja e bartësve të ndryshimeve dhe e qytetarëve që i mbështesin ata se largimi i regjimit të vjetër dhe marrja e pushtetit përbëjnë njëkohësisht edhe zgjidhjen e të gjitha problemeve që ka krijuar qeverisja e mëparshme.
Pak vende të ish-Evropës Lindore kanë aq shumë përvoja sa Serbia që e vërtetojnë këtë tezë. Nëse institucionet mbeten të kapura, mediat nën kontrollin politik, drejtësia e varur dhe krimi i organizuar i lidhur me qendrat e pushtetit politik dhe ekonomik, atëherë ndryshimi i njerëzve në pushtet nuk do të nënkuptojë edhe ndryshimin e sistemit që është burimi i të gjitha problemeve me të cilat përballemi si shoqëri.
Ndryshimi i thjeshtë i njerëzve që drejtojnë një sistem të deformuar, pa e çmontuar vetë atë sistem, nënkupton ripërtëritjen dhe vazhdimin e tij, e jo ndryshimin thelbësor për të cilin kanë votuar qytetarët e Serbisë.
Pikërisht kjo është arsyeja kryesore pse Lista Studentore fituese duhet t’i rezistojë tundimit që fitoren e saj ta konsiderojë si një mandat historik për zgjidhjen e të gjitha çështjeve politike, ideologjike dhe kombëtare. Detyra e saj parësore duhet të jetë shumë më konkrete dhe e mbështetur fort në premtimet elektorale, përmes të cilave u garantuan qytetarëve të Serbisë krijimi i një shteti ku asnjë organizatë politike nuk do të mund t’i përvetësojë dhe uzurpojë më institucionet, mediat dhe burimet publike.
Detyra e parë e fituesve të zgjedhjeve në Serbi duhet të jetë depolitizimi i plotë i institucioneve dhe çlirimi i tyre nga ndikimi partiak. Shteti nuk duhet të shndërrohet në plaçkë partiake, ndërsa administrata publike në një shërbim të kastës në pushtet.
Punësimi, avancimi në karrierë dhe emërimet në sektorin publik duhet të bazohen ekskluzivisht në profesionalizëm, kualifikime profesionale dhe procedura të përcaktuara me ligj, e jo në përshtatshmërinë dhe lojalitetin politik.
Kjo nënkupton një shkëputje radikale nga praktika e deritanishme, në të cilën ndërrimi i pushtetit shndërrohej në një valë masive shkarkimesh të punonjësve, vetëm e vetëm që në vendet e tyre të emëroheshin përfaqësues të garniturës së re politike.
Edhe pse largimi i kuadrove partiake të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) është i pashmangshëm, qëllimi nuk duhet të jetë një ndarje e re partiake e posteve, por krijimi i një administrate shtetërore profesionale dhe politikisht neutrale, e cila do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve të saj.
Megjithatë, këtu tashmë e gjithë shoqëria jonë ka rënë në një kurth të madh, duke pritur që në funksionet politike të mund të jenë të suksesshëm vetëm ekspertët e fushave të caktuara. Kjo mund të ndodhë vetëm nëse personi i zgjedhur zotëron edhe kulturë dhe njohuri politike.
Në mbarë Evropën, por edhe në botë, gjatë dekadave të fundit kemi pasur raste kur ministre shumë të suksesshme të Mbrojtjes kanë qenë gra që nuk kanë shërbyer kurrë në ushtri dhe që nuk kanë pasur arsimim formal në fushën e mbrojtjes.
Ministrat nuk drejtojnë fabrika, nuk merren me blegtori, nuk mbajnë ligjërata universitare dhe nuk punojnë në laboratorë. Detyra e tyre është të zbatojnë politikat e përcaktuara në fushat që mbulon ministria përkatëse.
Për shembull, cila shkollë e përgatit dikë për t’u bërë ministër i Punëve të Jashtme?! Historia botërore tregon se diplomacinë e vendit të tyre e kanë drejtuar me më shumë sukses ministrat që kanë qenë politikanë me përvojë dhe që kanë pasur kontakte të mira në arenën ndërkombëtare. Ky është një aksiomë e diplomacisë.
Detyra e dytë e pushtetit të ri në Serbi është çlirimi i plotë i mediave dhe i të gjithë hapësirës mediatike.
Pa media të lira nuk ka qytetarë të mirëinformuar, ndërsa pa qytetarë të mirëinformuar nuk mund të ketë as konkurrencë të mirëfilltë politike dhe garë të lirë idesh. Kjo kërkon mekanizma të pavarur rregullatorë, transparencë të pronësisë, qasje të barabartë në treg, parandalimin e keqpërdorimit të fondeve publike për favorizimin politik të mediave të caktuara, si dhe funksionimin profesional të transmetuesve publikë.
Është e rëndësishme të kuptohet se synimi nuk është krijimi i një hapësire mediatike që do të mbështesë pushtetin e ri, por ndërtimi i një peizazhi mediatik ku si pushteti, ashtu edhe opozita do t’i nënshtrohen kritikës, kontrollit dhe shqyrtimit publik.
Mediat e lira dhe të përgjegjshme nuk janë ato që mbështesin ndryshimet politike për të përmbushur interesat e tyre apo të pronarëve të tyre, por ato që kanë lirinë të kritikojnë çdo autoritet politik, duke respektuar parimet dhe standardet e profesionit të gazetarisë.
Detyra e tretë e pushtetit të ri do të jetë vendosja e pavarësisë së mirëfilltë të sistemit gjyqësor dhe të organeve rregullatore.
Gjykatat dhe prokuroritë nuk duhet të shndërrohen sërish në instrumente të pushtetit politik dhe as në mjete për t’u hakmarrë ndaj kundërshtarëve politikë.
Pavarësia e gjyqësorit duhet të shoqërohet me përgjegjësi, standarde profesionale dhe transparencë në punën e tij. E njëjta gjë vlen edhe për organet rregullatore, të cilat duhet të mbrojnë interesin publik nga ndërhyrjet e pushtetit ekzekutiv, e jo interesat e atyre që i kanë emëruar. Nuk mund të ketë shtet ligjor dhe sundim të ligjit nëse institucionet varen nga vullneti politik i kujtdo qoftë, pavarësisht se kush ndodhet në pushtet.
Detyra e katërt është lufta serioze dhe sistematike kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, të cilët gjatë qeverisjes së regjimit të Vuçiqit kanë marrë përmasa metastatike dhe janë shkrirë me vetë shtetin. Kjo çështje tejkalon agjendën e zakonshme politike, pasi prek drejtpërdrejt sigurinë e shtetit, stabilitetin ekonomik dhe besimin e qytetarëve në institucione.
Megjithatë, ky proces nuk duhet të shndërrohet në një spastrim me motive politike apo në një fushatë hakmarrjeje. Çdo dyshim duhet të hetohet, çdo provë duhet të ndiqet përmes procedurave ligjore dhe kushdo që ka shkelur ligjin duhet të japë llogari para një sistemi gjyqësor të pavarur. Pa përjashtime dhe pa marrë parasysh përkatësinë politike, para drejtësisë duhet të dalin të gjitha shkeljet dhe paligjshmëritë e kryera nga regjimi i mëparshëm, por edhe ato të mundshme të pushtetit të ri, nëse shfaqen raste të tilla.
Në këtë drejtim, Serbisë mund t’i ofrojnë ndihmë të konsiderueshme edhe Bashkimi Evropian dhe përvojat e vendeve anëtare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Detyra e pestë, e cila njëkohësisht përbën edhe thelbin e të gjitha detyrave të mëparshme, është krijimi i kushteve për një garë politike vërtet të lirë dhe të ndershme në vend.
Kjo nënkupton kushte të barabarta dhe të drejta zgjedhore, lirinë e organizimit politik, financimin transparent të partive, qasje të barabartë në media dhe institucione që garantojnë se rezultati i zgjedhjeve pasqyron vërtet vullnetin e lirë të qytetarëve.
Me fjalë të tjera, synimi i ndryshimeve nuk duhet të jetë thjesht zëvendësimi i një pushteti me një tjetër, por krijimi i një sistemi në të cilin çdo pushtet i ardhshëm do të mund të ndërrohet përmes zgjedhjeve. Pikërisht këtu arrijmë te çështja më e rëndësishme politike që shtrohet përpara Listës Studentore.
Bëhet fjalë për identitetin e saj ideologjik dhe programor, i cili, me të drejtë, gjatë veprimtarisë së deritanishme është lënë në plan të dytë, ndërsa e gjithë energjia është përqendruar në realizimin e detyrës parësore, që konsistonte në rrëzimin e regjimit të Vuçiqit.
Megjithatë, sot është e qartë se lëvizja studentore përfshin njerëz me orientime të ndryshme politike, ideologjike, programore dhe me sisteme të ndryshme vlerash. Kjo heterogjenitet përbën një karakteristikë objektive të saj dhe një nga arsyet pse kjo lëvizje arriti të mobilizojë një pjesë të konsiderueshme të shoqërisë dhe të thyejë monopolin gjithëpërfshirës politik të përparimtarëve të Vuçiqit.
Megjithatë, kjo larmi idesh dhe vlerash imponon kufizime serioze sa i përket qeverisjes së vendit dhe rolit që do të ketë lëvizja studentore në të ardhmen. Nga një organizim që përfshin kaq shumë botëkuptime të ndryshme, vështirë se mund të pritet një qëndrim dhe përgjigje e përbashkët për çështje si integrimi evropian, politika e jashtme, normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, modeli ekonomik dhe zhvillimor, vlerat shoqërore apo raporti me të kaluarën.
Përpjekja për të ndërtuar një program të vetëm politik rreth të gjitha këtyre çështjeve mund të çojë në përplasje dhe përçarje brenda vetë lëvizjes, duke rrezikuar edhe shpërbërjen e strukturës së saj koalicionuese. Veçanërisht e rrezikshme do të ishte nëse kjo ndodh përpara përfundimit të detyrave kryesore të Listës Studentore, pasi strukturat e nokautuara të regjimit të Vuçiqit do të përpiqeshin ta shfrytëzonin këtë situatë për restaurimin e rendit të vjetër.
Nga ana tjetër, pothuajse po aq e rrezikshme do të ishte edhe nëse dallimet e natyrshme politike brenda lëvizjes studentore do të shtypeshin apo fshiheshin për hir të një uniteti të rremë. Pluralizmi politik nuk ekziston në rrethana kur të gjithë pajtohen për gjithçka, por atëherë kur ekzistojnë institucione që mundësojnë ballafaqimin e lirë të mendimeve të ndryshme dhe harmonizimin e tyre, aq sa është e mundur.
Prandaj, nga pikëpamja e racionalitetit politik, do të ishte e arsyeshme që Lista Studentore të përqendrohej në një numër të kufizuar objektivash të përbashkëta programore, si emëruesi më i vogël i përbashkët i kësaj strukture heterogjene.
Këto objektiva janë rimëkëmbja institucionale, vendosja e sundimit të ligjit dhe çlirimi i hapësirës publike nga ndikimet negative të regjimit të mëparshëm, si dhe nga strukturat e tij korruptive dhe kriminale.
Kjo nuk nënkupton heqjen dorë të pushtetit të ri nga trajtimi i çështjeve politike, por kuptimin e drejtë të radhitjes së prioriteteve. Për çështjet madhore ideologjike dhe shtetërore duhet të vendosin qytetarët e lirë përmes një gare të rregullt politike, dhe jo të përcaktohen paraprakisht nga një organizim heterogjen, i krijuar rreth kërkesës së përbashkët për ndryshimin e sistemit, e jo përmes imponimit të kompromiseve jokonsistente ndaj pjesës tjetër të shoqërisë.
Në këtë drejtim, Lista Studentore nuk duhet të synojë të shndërrohet në një parti të re të madhe politike dhe as ta kthejë mbështetjen e saj shoqërore në një monopol të përhershëm mbi jetën politike. Roli i saj historik duhet të jetë pikërisht i kundërt: të çlirojë hapësirën politike për krijimin dhe zhvillimin e pluralizmit politik dhe të alternativave të ndryshme politike, nga ato liberale dhe socialdemokrate, deri te ato konservatore dhe demokristiane, të cilat kanë rrënjë të mbështetura historikisht në shoqërinë serbe.
Ajo që duhet të garantojë pushteti i ri është që alternativat e ndryshme politike të konkurrojnë lirisht me programet, idetë dhe rezultatet e tyre konkrete.
Pra, pas formimit të pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv (konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së qeverisë), lëvizja studentore duhet të shpërbëhet dhe t’ua lërë institucioneve drejtimin dhe rimëkëmbjen e shtetit. Studentët duhet t’u kthehen studimeve, në mënyrë që Serbia të ketë edhe më shumë përfitime prej tyre pas disa vitesh.
Nëse ata do të vazhdonin të merrnin vendime nëpër plenume për atë se çfarë duhet të bëjë qeveria e re, do të vepronin pikërisht kundër asaj që kanë luftuar: vendimet do të merreshin jashtë institucioneve, në mënyrë jotransparente dhe pa përgjegjësi para qytetarëve.
Në fund të fundit, kjo është edhe vetë thelbi i demokracisë moderne. Qëllimi i saj nuk është të prodhojë një mendim të vetëm politik, gjë që shpesh ngatërrohet me konsensusin bazë shoqëror. Demokracia nënkupton ekzistencën legjitime të interesave, vlerave dhe pikëpamjeve të ndryshme politike, si dhe institucione që garantojnë se asnjë alternativë politike nuk ka të drejtë ta identifikojë veten me shtetin.
Prandaj, Serbia nuk duhet të kënaqet vetëm me ndryshimin e aktorëve politikë dhe largimin e kuadrove të Vuçiqit, të cilët u janë bërë të neveritshëm qytetarëve. Përkundrazi, duhet të këmbëngulim në ndryshimin e rregullave të lojës politike.
Nëse Lista Studentore arrin të sigurojë një klimë të tillë, trashëgimia e saj politike nuk do të varet nga kohëzgjatja e qëndrimit të saj në pushtet, por nga fakti nëse do të lërë pas një shoqëri, sistem politik dhe shtet thelbësisht të ndryshuar, në të cilin pushteti do të mund të ndërrohet gjithmonë, institucionet do të jenë të pavarura dhe efikase, ndërsa idetë politike të lira.
Sepse fitorja më e madhe e një brezi politik nuk qëndron në sigurimin e pushtetit të përjetshëm për veten, por në krijimin e një sistemi në të cilin askush, asnjëherë, nuk do të mund të qeverisë përgjithmonë.

Pushteti i ri serb synon rishikimin e marrëveshjeve me Kosovën, komunikim me Listën Serbe përmes ndërkombëtarëve
Lista Studentore kundër Listës Serbe, por me politikën e vjetër të Beogradit për Kosovën: “Nuk do ta njohim pavarësinë”
Eksperti amerikan paralajmëron për rrezikun e krizës në Bosnjë: Rusia shfrytëzon veprimet destabilizuese të Dodikut
“Rusia do t’i mbijetojë Vuçiqit” – zyrtari amerikan paralajmëron për rrjetet e Moskës në Serbi
Lavrov pret vazhdimësinë e partneritetit strategjik me Serbinë: Rusia mbetet e përkushtuar ndaj marrëveshjeve
Njeriu i afërt i Vuçiqit dhe Radoiçiqit, Zvonko Veselinoviq, largohet drejt Turqisë në kohën e arrestimeve në Serbi