Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan

Goditje Listës Serbe, paralajmërohet largimi i të gjithë drejtuesve të institucioneve serbe në Kosovë të ndikuar nga Vuçiqi

The Geopost November 14, 2026 4 min read
Share the news

Përfaqësuesit e Listës së Studentëve në Serbi kanë paralajmëruar ndryshime të mëdha në institucionet që funksionojnë sipas sistemit të Republikës së Serbisë në Kosovë, përfshirë zëvendësimin e të gjithë drejtuesve të tyre, një pjesë e madhe e të cilëve janë të lidhur me Listën Serbe.

Kandidati i Listës së Studentëve dhe profesori asistent në Universitetin e Prishtinës me vend të përkohshëm në Mitrovicën e Veriut, Jugoslav Gashiq, ka deklaruar se synojnë ndryshimin e të gjitha strukturave drejtuese në këto institucione, duke theksuar se bashkëpunimi me Listën Serbe nuk do të jetë politik, por do të vazhdojë në nivel institucional, në interes të qytetarëve serbë.

Në një paraqitje në emisionin “Pravi ugao” të televizionit RTV, Gashiq tha se drejtuesit e rinj fillimisht do të emërohen si ushtrues detyre për një periudhë gjashtëmujore, pas së cilës do të shpallen konkurse për pozitat përkatëse, me synimin që të përzgjidhen kandidatët më kompetentë.

“Ne do t’i ndryshojmë absolutisht të gjitha këto funksione menaxhuese në institucionet që janë nën sistemin e Republikës së Serbisë”, deklaroi Gashiq.

Ai theksoi se Lista e Studentëve nuk do të ketë komunikim politik me Listën Serbe, por pret bashkëpunim nga përfaqësuesit e kësaj partie në institucionet lokale, kur bëhet fjalë për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.

Ky paralajmërim ka nxitur reagimin e Listës Serbe, e cila ka bërë të ditur se do të vazhdojë të përdorë të gjithë mekanizmat institucionalë dhe politikë për mbrojtjen e interesave të serbëve në dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Partia ka theksuar se deputetët e saj në Kuvendin e Kosovës kanë mekanizma kushtetues për të mbrojtur të drejtat e komuniteteve joshumicë, përfshirë statusin e gjuhës serbe, të drejtat e Kishës Ortodokse Serbe dhe trashëgiminë kulturore e fetare serbe.

Sa u përket ndryshimeve të paralajmëruara në drejtimin e institucioneve, kjo parti ka vlerësuar se ato nuk do të ndihmojnë qytetarët, por mund të sjellin përçarje të reja politike.

Drejtoresha ekzekutive e organizatës joqeveritare Iniciativa e Re Sociale, Milica Andrić Rakić, ka vlerësuar se zëvendësimi i drejtuesve të institucioneve serbe në Kosovë është një proces plotësisht i realizueshëm.

Në një prononcim për gazetën serbe “Danas”, ajo ka shpjeguar se një numër i madh i drejtuesve të këtyre institucioneve, sikurse edhe në pjesë të tjera të Serbisë, janë në pozita ushtruesi detyre dhe jo me mandate të plota.

Megjithatë, sipas saj, nëse këto ndryshime do të sjellin përmirësim të shërbimeve për qytetarët, kjo do të varet nga vendimet konkrete për emërimet e reja dhe mënyra e menaxhimit.

Andrić Rakić ka vënë në dukje se institucionet tashmë po përballen me vështirësi në funksionim, ndërsa përmirësimi i menaxhimit financiar mund të ndikojë pozitivisht në punën e tyre.

Duke folur për ndërprerjen e bashkëpunimit politik me Listën Serbe, ajo ka theksuar se drejtuesit e institucioneve serbe do të duhet të mbajnë kontakte me autoritetet lokale dhe qendrore në Kosovë, në mënyrë që këto institucione të vazhdojnë funksionimin.

Sipas saj, komunikimi mund të kufizohet kryesisht në shkresa zyrtare, ndërsa bashkëpunimi politik dhe përcaktimi i objektivave të përbashkëta me Listën Serbe mund të mos vazhdojë.

Lista Serbe duhet të mbajë përgjegjësi për 14 vjetët e fundit

Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i Qendrës për Veprime Sociale Afirmative, Miodrag Marinkoviq, e ka cilësuar zëvendësimin e drejtuesve të institucioneve serbe si veprim të domosdoshëm.

Ai ka kritikuar ashpër Listën Serbe, duke e bërë përgjegjëse për politikat e 14 vjetëve të fundit dhe duke kërkuar që institucionet e Republikës së Serbisë në Kosovë të çlirohen nga kontrolli i kësaj partie.

“Lista Serbe është politikisht përgjegjëse për politikat katastrofike të 14 viteve të fundit dhe duhet të mbajë pasojat politike dhe ligjore. Institucionet e Republikës së Serbisë duhet të hiqen nga kontrolli i tyre, sepse i kanë keqpërdorur këto funksione për presion politik”, ka deklaruar Marinkoviq për Danas.

Ai ka shprehur shpresën se do të nisin edhe procedura gjyqësore për të përcaktuar nëse ka pasur keqpërdorime korruptive dhe kriminale në menaxhimin e këtyre institucioneve.

Sipas tij, ndryshimet e paralajmëruara mundësojnë që serbët në Kosovë të kenë institucione që punojnë në interes të qytetarëve dhe jo në interes të një individi apo grupeve të caktuara të interesit.

Marinkoviq ka vlerësuar gjithashtu se vendimi i Listës së Studentëve për të mos bashkëpunuar politikisht me Listën Serbe nënkupton margjinalizimin e kësaj partie dhe kufizimin e rolit të saj në institucionet që funksionojnë sipas sistemit të Kosovës.

Ai ka theksuar se pozitat që Lista Serbe mban në institucionet e Kosovës nuk duhet të shërbejnë si mënyrë për të shmangur përgjegjësinë politike për veprimet e saj.

Debati për ndryshimet e paralajmëruara vjen në një kohë kur Lista e Studentëve po synon të paraqesë një qasje të re ndaj pozitës së serbëve në Kosovë, ndërsa mbetet të shihet se si do të realizohen këto ndryshime dhe çfarë ndikimi do të kenë në funksionimin e institucioneve serbe dhe jetën e qytetarëve.

The GeoPost

Tags: Kosova Lista Serbe Lista Studentore

Continue Reading

Previous: Shormaz kërkon arrestimin dhe dorëzimin e Radoiçiqit në Prishtinë: Nëse nuk është arratisur, duhet të kapet menjëherë
Next: Avokati serb: Dosjet e BIA-s mund ta tronditin Serbinë, nga vrasja e Ivanoviqit te lidhjet e shërbimit me pushtetin

Avokati serb: Dosjet e BIA-s mund ta tronditin Serbinë, nga vrasja e Ivanoviqit te lidhjet e shërbimit me pushtetin 10 min read
  • Ballkan
  • Lajme

Avokati serb: Dosjet e BIA-s mund ta tronditin Serbinë, nga vrasja e Ivanoviqit te lidhjet e shërbimit me pushtetin

The Geopost November 14, 2026
Shormaz kërkon arrestimin dhe dorëzimin e Radoiçiqit në Prishtinë: Nëse nuk është arratisur, duhet të kapet menjëherë 2 min read
  • Ballkan

Shormaz kërkon arrestimin dhe dorëzimin e Radoiçiqit në Prishtinë: Nëse nuk është arratisur, duhet të kapet menjëherë

The Geopost November 14, 2026
Milionat për mediat besnike të Vuçiqit 7 min read
  • Ballkan

Milionat për mediat besnike të Vuçiqit

The Geopost November 14, 2026
Sfidat pas Vuçiqit: Pesë detyra nga të cilat varet e ardhmja demokratike e Serbisë 10 min read
  • Analiza
  • Ballkan

Sfidat pas Vuçiqit: Pesë detyra nga të cilat varet e ardhmja demokratike e Serbisë

The Geopost November 14, 2026
Milan Radoiçiqi është larguar nga Serbia, ka shkuar në Rusi – thotë ish-inspektori i BIA-s 2 min read
  • Ballkan
  • News

Milan Radoiçiqi është larguar nga Serbia, ka shkuar në Rusi – thotë ish-inspektori i BIA-s

The Geopost November 13, 2026
Kush është Zvonko Veselinoviq, biznesmeni i sanksionuar nga SHBA-ja që u strehua në Turqi: Nga barrikadat në veri te milionat nën udhëheqjen e Vuçiqit 9 min read
  • Ballkan
  • News

Kush është Zvonko Veselinoviq, biznesmeni i sanksionuar nga SHBA-ja që u strehua në Turqi: Nga barrikadat në veri te milionat nën udhëheqjen e Vuçiqit

The Geopost November 13, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.