Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar nga një muaj paraburgim për nëntë persona të dyshuar për krime lufte lidhur me zhdukjen e 23 shqiptarëve të njohur si “Grupi i Intelektualëve”, mbetjet mortore të të cilëve u zbuluan në varre masive në Zubin Potok.
Të dyshuarit, të identifikuar me inicialet D.D., M.R., M.R., R.R., S.D., S.D., V.L., R.R. dhe D.D., u arrestuan të dielën, ndërsa Prokuroria ka kërkuar që ata të mbahen në paraburgim gjatë vazhdimit të hetimeve për krime të dyshuara ndaj popullsisë civile.
Në njoftimin e publikuar të martën, Gjykata Themelore në Prishtinë bëri të ditur se e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të nëntë të dyshuarve.
Gjykata e arsyetoi vendimin me rrezikun që, nëse lihen në liri, të dyshuarit mund të pengojnë zhvillimin e procedurës penale, t’i shmangen ndjekjes penale dhe të bëhen të paarritshëm për organet e drejtësisë.
Sipas gjykatës, të dyshuarit kanë nënshtetësi serbe dhe vendbanim në Serbi, rrethana që, sipas saj, rrisin rrezikun e arratisjes për t’iu shmangur përgjegjësisë penale.
“Gjykata gjithashtu vlerësoi se nëse të pandehurit lihen në liri, ekziston rreziku që të njëjtit të ndikojnë në prova dhe në dëshmitë e tyre, duke penguar administrimin e drejtë dhe të plotë të provave, si dhe zbardhjen e plotë të gjendjes faktike”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Me këtë zhvillim, numri i të dyshuarve në rastin e varreve masive në Zubin Potok, lidhur me “Grupin e Intelektualëve”, ka shkuar në 13. Katër të dyshuar të tjerë po mbahen në paraburgim prej një muaji.
“Grupi i Intelektualëve” përbëhej nga 23 shqiptarë, mes tyre veprimtarë, profesionistë dhe figura publike nga zona e Mitrovicës, të cilët u zhdukën më 19 prill të vitit 1999 në zonën e Zubin Potokut.
Rreth dy muaj më parë, autoritetet ligjzbatuese gërmuan në tri lokacione në Zubin Potok, në veri të Kosovës, ku u zbuluan mbetjet mortore të së paku 23 personave.
Deri më tani janë konfirmuar tri viktimat e para: Idriz Rrecaj, Adem Beqiri dhe Salih Mëziu. Autoritetet po vazhdojnë punën për identifikimin e 20 viktimave të tjera.
Mostrat e mbetjeve mortore janë dërguar për analiza të ADN-së në Hagë të Holandës, te Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur.
Ndërkohë, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur i Kosovës njoftoi të martën se ka identifikuar edhe dy persona të zhdukur gjatë luftës së fundit në vend.
Komisioni sqaroi se këto identifikime nuk kanë të bëjnë me zhvarrosjet në komunën e Zubin Potokut, zhvillimet e fundit apo lokacionet e tjera të trajtuara gjatë këtij viti.
Bëhet fjalë për mbetje mortore të zhvarrosura më herët, të cilat aktualisht ndodhen në morgun e Institutit për Mjekësi Ligjore.
Institucionet e Kosovës kanë rifilluar kërkimet në fshatin Kozhle, në zonën e Novi Pazarit, në Serbi, ku dyshohet se mund të ketë mbetje mortore të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Në këtë lokacion janë identifikuar tri pika për vlerësim në terren, edhe në bazë të pamjeve satelitore.
Kosova po kërkon nga Serbia qasje në lokacione të tjera të dyshuara dhe të dhëna nga arkivat që mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
Sipas Kushtrim Garës nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, në territorin e Serbisë janë konfirmuar deri më tani pesë varreza masive: Batajnica, Petrovo Sello, Peruçaci, Rudnica dhe Kizhevaku, ku janë gjetur më shumë se 950 viktima të luftës në Kosovë.
Gara ka thënë se, nëse këto pesë lokacione janë pjesë e listës prej 16 varrezash masive të publikuar në vitin 2001, atëherë mund të ketë edhe të paktën 11 lokacione të tjera në territorin e Serbisë.
Në Kosovë, ndërkohë, kërkimet për personat e zhdukur po vazhdojnë në disa lokacione. Sipas Garës, gërmime janë zhvilluar ose planifikuar edhe në Skenderaj, Mitrovicë të Veriut dhe në rajonet e Prizrenit, Gjakovës e Pejës.
Sipas Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, 1.577 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999, ndërsa janë dokumentuar gjithsej 12.230 viktima të luftës.
The GeoPost

Partitë ruse në Serbi: Statusi i pakicës, ndjenjat pro-ruse dhe llogaritjet politike
Pas glorifikimit të Mlladiqit në Serbi, EPP inicon përjashtimin e SNS së Vuçiqit
Zyrtarë të Listës Serbe dyshohen për sulm ndaj rendit kushtetues të Kosovës dhe vepra të tjera penale
Dodiku sërish në Moskë: vazhdon forcimi i lidhjeve të Banjallukës me Kremlinin
BE-ja i bën thirrje Serbisë të vendosë sanksione ndaj Rusisë: Vuçiqi vazhdon afrimin me Putinin
Nga radikal i Sheshelit te partner i Rusisë – çfarë la pas Vuçiqi pas 14 vjetësh në pushtet?