Mes shpërthimeve dhe zjarrit që po digjte shtëpitë e tyre, banorët nxitojnë të gjejnë mënyra për t’u larguar drejt Polonisë, ose vendeve tjera të sigurta.
Policia ukrainase njoftoi se vetëm nga Irpini janë evakuuar rreth 2 mijë civilë, por pa dhënë hollësi se për çfarë periudhe bëhet fjalë.
“Kishte shpërthime të vazhdueshme, disa ishin të fuqishme dhe shumë afër nesh. Ata goditën shtëpitë e fqinjëve. Afër shtëpisë sonë pamë njerëz të vdekur në makinat e tyre… ishte e frikshme”, thotë Inna Scherbanyova, banore e Irpinit.
“Ata qëllonin shtëpitë dhe njerëzit. Një grua dhe fëmija i saj 13 vjeçar u vranë. Të gjitha shtëpitë janë shkatërruar. Shumë pak njerëz kanë ngelur atje. Është e rëndë dhe e frikshme. K o luftë është gjenocid kundër Ukrainës”, thotë Galya Fedorchuk.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kërkoi nga Perëndimi ashpërsimin e sanksioneve kundër Rusisë.
“Nëse sulmi vazhdon dhe Rusia nuk ndalon planet kundër Ukrainës, duhet një paketë e re sanksionesh, kundër luftës dhe në shërbim të paqes. Duhet të bojkotohen prodhimet ruse, në veçanti nafta dhe produktet e naftës nga Rusia. Mund të quhet embargo ose çështje morale, ku ju refuzoni të financoni terroristët”, tha Zelenskyy.
Presidenti ukrainas ritheksoi kërkesën e tij për shpalljen e zonave të ndalim-fluturimit, ndihmën me avionë luftarakë, ose sistem të mbrojtjes ajrore, në mënyrë që Ukraina të mund të mbrohet nga sulmet ruse.
“Komuniteti ndërkombëtar duhet të veprojë me më shumë vendosmëri. Kur dikush humbet mendjen, ne duhet të harrojmë frikën dhe tregtinë. Duhet të mbrohemi”, tha Zenelsky.
Rundi i tretë i bisedimeve Rusi-Ukrainë përfundon me përparim të vogël
Rusia dhe Ukraina bënë disa përparime në hapjen e korridoreve humanitare ndërsa përfunduan rundin e tretë të bisedimeve të hënën, pasi rundet e mëparshme nuk sollën lehtësim të konfliktit.
Rundi i fundit i negociatave midis Moskës dhe Kievit u mbajt në Bjellorusi.
Negociatori ukrainas Mykhailo Podolyak ka thënë se bisedimet nuk “përmirësuan ndjeshëm situatën” në tërësi, por theksoi se e një përparim i vogël është bërë në marrëveshjen logjistike për evakuimin e civilëve, pasi gjashtë korridore humanitare u krijuan.
Podolyak tha se të dyja palët do të vazhdojnë bisedimet për një armëpushim.