Zyrtarët rusë fajësuan edhe një herë Perëndimin për tensionet mes Serbisë dhe Kosovës.
Moska, në disa raste deri më tani, ka akuzuar Bashkimin Evropian (BE) për “pafuqi” dhe “paaftësi” për të zgjidhur mosmarrëveshjet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Tani, për shkak të krizës së targave, ambasadori rus në Serbi, Aleksandar Bocan-Kharchenko, tha se Perëndimi qëllimisht po lë një “vakum sigurie” në Kosovë.
Toby Vogel, bashkëpunëtor i Këshillit për Politikat e Demokratizimit nga Brukseli, i tha Radios Evropa e Lirë se Rusisë i përshtatet që çështjen e Kosovës ta mbajë gjallë si çështje të pazgjidhur.
Ai vlerësoi se në interesin e Rusisë është gjithçka që mund të shkaktojë destabilitet.
“Nuk e kam fjalën për luftën, por për paqëndrueshmërinë politike ose ndoshta të sigurisë, si dhe për gjithçka që shkakton trazira politike në Ballkanin Perëndimor. Rusia është një ‘prishëse’ klasike”, tha Vogel.
Me këtë mendim pajtohet Bojan Elek, zëvendësdrejtor i Qendrës për Politikat e Sigurisë në Beograd.
“Rusia është më shumë një faktor dëm-shkaktues, që mund të shfrytëzojë ndonjë destabilizim, nëse një gjë të tillë e gjen të gatshëm”, tha Elek.
Ai shtoi se Rusia e përdor mjedisin relativisht miqësor në Serbi.
“E kam fjalën për Qeverinë, por edhe për institucionet. Nuk ekzistojnë masat aktive kundër ndikimit rus”.
Moska dhe Beogradi kanë marrëdhënie tradicionale miqësore. Serbia mbështetet në përkrahjen e Rusisë për ta bllokuar Kosovën që të bëhet anëtare e organizatave ndërkombëtare. Rusia, ashtu si Serbia, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Serbia, gjithashtu, varet nga furnizimi me gaz nga Rusia.
Çka tha ambasadori rus?
Ambasadori i Rusisë në Serbi, Aleksandar Bocan-Kharchenko, në një deklaratë më 22 nëntor, theksoi se Perëndimi qëllimisht po lë vakum të rrezikshëm të sigurisë në Kosovë, në mënyrë që të plotësohet, siç vlerësoi ai, nga forcat speciale të shqiptarëve të Kosovës.
Ambasadori rus reagoi në këtë mënyrë ndaj deklaratës së përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i cili ka thënë se në Kosovë ekziston vakumi i sigurisë.
Bocan-Kharchenko i tha Borrellit se misioni i EULEX-it dhe KFOR-it në Kosovë duhet ta mbushin atë vakum.
EULEX-i është misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, ndërkaq KFOR-i është forcë e armatosur paqeruajtëse ndërkombëtare nën udhëheqjen e NATO-s.
Deklaratën lidhur me vakumin e sigurisë, Borrell e bëri më 21 nëntor, pas përpjekjes së dështuar për të gjetur një zgjidhje për targat, në takimin në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Për shkak të synimit të Qeverisë në Prishtinë për t’i larguar targat e lëshuara nga institucionet e Serbisë për qytetet e Kosovës dhe vendosjen e targave RKS (Republika e Kosovës), serbët në veri të Kosovës braktisën institucionet e Kosovës, përfshirë Policinë.
Borrell tha se pas dorëheqjes së qindra policëve nga radhët e komunitetit serb, në veri të Kosovës kanë mbetur në detyrë “më pak se 50 policë të Kosovës”, gjë që nuk mjafton.
“Kjo ka lënë vakum sigurie mjaft të rrezikshëm. Një vakum dhe situatë shumë të cenueshme”, paralajmëroi Borrell, duke shtuar se forcat ndërkombëtare janë të pranishme, por se ato nuk mund të marrin rolin e policisë lokale.
BE-ja është ndërmjetësuese në dialogun dhe përpjekjet për zgjidhjen e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Media ruse RT Balkan në vendngjarje në veri të Kosovës
Në ngjarjet mes Serbisë dhe Kosovës është përfshirë edhe kanali shtetëror rus RussiaToday (RT).
RT-së i është ndaluar transmetimi në Bashkimin Evropian që nga marsi i vitit 2022.
Ky kanal është cilësuar si kyç për përhapjen e propagandës ruse dhe është objektiv i një pakete të gjerë sanksionesh kundër Rusisë për shkak të pushtimit në Ukrainë.
Kjo media, e cila kontrollohet nga Kremlini dhe financohet nga buxheti i shtetit, raporton nga vendi i ngjarjes për krizën në veri të Kosovës.
RT-ja filloi transmetimin e programit të saj në gjuhën serbe në internet, më 15 nëntor, me mesazhin “Ne e nisëm RT-në në Ballkan. Sepse, Kosova është Serbi”.
Kështu ka shkruar në Twitter kryeredaktorja e RT-së, Margarita Simonyan.
Bojan Elek nga Qendra për Politikat e Sigurisë në Beograd (BCBP) thekson se ardhja e këtij mediumi në Serbi është problematike.
“Është problematike që në kohën kur RussiaToday është e ndaluar pothuajse kudo në Evropë, dega e tyre po hapet në Beograd”, tha Elek.
Autoritetet në Serbi, pavarësisht thirrjeve nga Brukseli, refuzojnë të respektojnë sanksionet evropiane kundër Rusisë, të vendosura për shkak të agresionit ndaj Ukrainës fqinje.
Në lajmin për nisjen e RT-së në Serbi, BE-ja tha se nga Serbia pritet që të ndërmarrë veprime për të luftuar në mënyrë aktive kundër manipulimit të informacionit, duke përfshirë dezinformimin dhe format e tjera të kërcënimeve hibride.
“RT-ja është pjesë e instrumenteve të propagandës dhe dezinformimit të Rusisë që ndjekin agresionin e saj të paligjshëm kundër Ukrainës”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano për REL-in, më 17 nëntor.
Ai shtoi se BE-ja, në kontekstin e agresionit të vazhdueshëm rus kundër Ukrainës, pret që Serbia të përmbahet nga intensifikimi i marrëdhënieve me Rusinë.
Në raportimin për Kosovën, RT-ja mohon pavarësinë e Kosovës, duke përmendur “e ashtuquajtura Kosova” apo “Kosovo” që është në përputhje me politikën shtetërore ruse.
Akuzat e Moskës kundër Perëndimit
Në jehonën e tensioneve mes Beogradit dhe Prishtinës për shkak të riregjistrimit të makinave me targa ilegale, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, ka vlerësuar se Perëndimi është përgjegjës për krizën.
Në një konferencë për media, më 9 nëntor, ajo deklaroi se Perëndimi nuk ka bërë asgjë për të arritur përparim në zgjidhjen e krizës së Kosovës.
Po atë ditë, Zakharova tha se zgjidhja e çështjes së Kosovës nuk po zhvillohet në formën e dialogut “sepse Prishtina inkurajohet të kryejë veprime gjithnjë e më brutale”.
Dy ditë më parë, Ministria ruse e Punëve të Jashtme njoftoi se e sheh situatën në Kosovë si një “alarm” dhe akuzoi Perëndimin se “po e shtyn situatën kah një konflikt i drejtpërdrejtë”.
A ka qenë Rusia gjithmonë në krah të Serbisë?
Akuzat kundër Perëndimit datojnë edhe para tensioneve të fundit mes Serbisë dhe Kosovës.
Kështu, më 13 janar, shefi i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov, në një intervistë për “Kanalin e Parë” rus tha se “paaftësia” e Brukselit për të ndihmuar në zgjidhjen e situatës në Kosovë tregon “pafuqinë e Bashkimit Evropian”.
Ai ka komentuar se ende nuk është zbatuar marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e vitit 2013, për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, e cila është arritur me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, refuzon zbatimin e kësaj Marrëveshjeje për Asociacionin, sepse konsideron se komunat nuk mund të organizohen në baza etnike.
Lavrov, po ashtu gjatë vizitës së tij në Beograd, më 10 tetor 2021, deklaroi se në kontaktet që ka Moska me BE-në, ia kujton gjithmonë përgjegjësinë që ka Brukseli për dialogun dhe se “është koha për të përmbushur marrëveshjet e arritura disa vite më parë”.
Në atë kohë ai hodhi poshtë akuzat se Rusia ndërhyn në punët e brendshme të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Ne jemi në marrëdhënie të tilla me Serbinë dhe vendet e tjera të rajonit, ku gjëja më e rëndësishme për ne është përfitimi reciprok dhe balancimi i interesave”, tha Lavrov.
Duke komentuar rolin e Rusisë në Ballkanin Perëndimor, Toby Vogel, analist politik nga Brukseli, tha për Radion Evropa e Lirë se nuk mendon se Rusia punon në mënyrë strategjike, por më shumë oportuniste – e sheh një mundësi dhe e përdor atë.
“Ajo (Rusia), në të vërtetë, nuk ka kapacitete për të lidhur ndjeshëm një vend me vizionin e saj ose për t’i dhënë një lloj urdhri, por ka kapacitetin për të prishur gjërat dhe për të kthyer në favor të saj, në mënyrë shumë taktike, vakumin e lënë nga BE-ja dhe SHBA-ja në Ballkanin Perëndimor”, konsideron Vogel.
Roli i Rusisë në çështjen e Kosovës
Në ditën kur përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, më 5 nëntor, njoftuan se po braktisin institucionet e Kosovës, të pakënaqur me planin e Prishtinës për të riregjistruar veturat me targa serbe, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takua me ambasadorët e Rusisë dhe Kinë.
Pas takimit me Aleksandar Bocan-Harchenko, presidenti i Serbisë ka shkruar në Instagram se e ka njoftuar ambasadorin rus për “situatën e sigurisë” në Kosovë, si dhe për “presionet, me të cilat përballen serbët dhe Serbia”.
“Përsërita mirënjohjen tonë për qëndrimin parimor të Federatës Ruse dhe mbështetjen për sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tonë”, ka shkruar Vuçiq.
Çfarë nuk ka thënë Putini për Kosovën?
Toby Vogel nga Këshilli joqeveritar për Politikat e Demokratizimit, i tha Radios Evropa e Lirë se Rusia ka interes që ta mbajë të hapur çështjen e Kosovës, pasi tash e sa vite e kanë përdorur në mënyrë taktike.
“Për të thënë se ‘kështu ndodh kur lejoni shkëputjen’, apo për të thënë ‘nëse Kosova mund të jetë e pavarur, pse nuk mundet Luhansku apo Krimeja t’i bashkohen Rusisë’. Rusia luan me të dyja këto letra”, tha Vogel.
Tri ditë para fillimit të pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt, presidenti rus Vladimir Putin, njohu pavarësinë e paligjshme të dy rajoneve separatiste në Ukrainë, Donjeck dhe Luhansk, të njohura si Donbas.
Në përpjekje për të justifikuar këtë vendim, Putini bëri një paralele me shpalljen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.
Kundërpërgjigje Putinit: Kosova s’është Donbas
Gjatë takimit me sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, në Moskë më 26 prill, Putin tha se nëse ka një precedent me Kosovën, “republikat e Donbasit mund të bëjnë të njëjtën gjë”.
Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Por, që nga viti 2011, me lehtësimin nga Bashkimi Evropian, Beogradi zyrtar po zhvillon dialog me Prishtinën për normalizimin e marrëdhënieve. Ai dialog do të duhet të përfundojë me një marrëveshje obliguese.
Analisti nga Brukseli, Toby Vogel, konsideron se roli i Rusisë në marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës nuk duhet të vihet shumë në pah.
“Mendoj se dy palët (Serbia dhe Kosova) dhe ndërmjetësit në negociata janë plotësisht të aftë ta komplikojnë vetë situatën. Ata nuk kanë nevojë për Rusinë për një gjë të tillë”, tha Vogel.
Atë që ndërmjetësuesit e Brukselit nuk ia arritën me liderët e Serbisë dhe Kosovës, ia dolën Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me kërkesën e SHBA-së, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar që të shtyhet për 48 orë vendimi për gjoba për ngasësit që nuk i kanë ndërruar targat serbe.
Brenda kësaj kohe, në Bruksel kryenegociatorët e të dyja vendeve, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, arritën marrëveshje për targat. Kosova është pajtuar të mos vazhdojë tutje me zbatimin e vendimit për riregjistrimin e automjeteve me targa ilegale serbe në RKS, kurse Serbia që të mos lëshojë targa të reja serbe, sikurse ato KM (Kosovska Mitrovica – Mitrovica e Kosovës).
SHBA-ja e mbështetë dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili zhvillohet nën ndërmjetësimin e BE-së./REL/