Ndërsa Bjellorusia nxit konfliktin kufitar në Poloni dhe Lituani duke dërguar mijëra emigrantë, Rusia vazhdon me një operacion ushtarak në kufi me Ukrainën, i cili është kritikuar gjerësisht nga NATO dhe Shtetet e Bashkuara si një përpjekje për të destabilizuar rajonin. Sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës, rreth 114,000 ushtarë rusë janë vendosur në verilindje, lindje dhe jug të kufijve të Ukrainës.
Raportet e inteligjencës po përpunohen në Uashington, duke treguar një pushtim të mundshëm ushtarak në lindje të Ukrainës, ku një pjesë e madhe e popullsisë flet rusisht dhe ka lidhje të forta me Rusinë.
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, në kuadër të këtyre zhvillimeve, bëri thirrje të kihet kujdes nga një “përqëndrim ushtarak i mjaftueshëm” i Moskës në atë zonë. Shtetet e Bashkuara konsiderojnë se mobilizimi i trupave ruse pranë kufirit me Ukrainën është më i madhi që nga viti 2014, kur Moska aneksoi gadishullin e Krimesë.
Kremlini e “justifikoi” vendosjen e ushtrisë së të tij përgjatë kufirit me Ukrainën, duke thënë se të gjitha lëvizjet e trupave ruse po ndodhin brenda kufijve dhe se, siç deklaruan ata, nuk po e cenojnë paqen, megjithatë, në Shtetet e Bashkuara dhe në selinë e NATO-s ekziston frika se Rusia do të përpiqet të pushtojë përsëri territorin ukrainas.
“Ne e dimë se Rusia ka treguar më parë vullnetin dhe aftësinë për të përdorur forcën ushtarake kundër Ukrainës. Ne e pamë këtë kur ata aneksuan ilegalisht Krimenë dhe ne e kemi vërejtur këtë për shumë vite në mënyrën se si ata mbështesin separatistët në Donbas”, tha kreu i Aleancës Atlantike, Jens Stoltenberg.
Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar të hënën, ministrat e jashtëm francezë dhe gjermanë, i kanë kërkuar Rusisë vetëpërmbajtje dhe transparencë të aktiviteteve të saj ushtarake, duke e paralajmëruar se “çdo përpjekje e re për të minuar integritetin territorial të Ukrainës do të ishte serioze dhe me pasoja”.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin e quajti Rusinë një “pengesë” për paqen në Ukrainë dhe e akuzoi Moskën për destabilizim të rajonit.
“Ne i bëjmë thirrje Rusisë që t’i japë fund okupimit të Krimesë dhe të ndalojë zgjatjen e luftës në lindje të Ukrainës, si dhe të ndalojë aktivitetet e saj destabilizuese në Detin e Zi përgjatë kufirit ukrainas”, tha Austin në një takim në Kiev me homologun e tij ukrainas, Andriy Taran.