
Nenad Rashiq, i zgjedhur së fundmi si nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga komuniteti serb, ka bërë të ditur se ai dhe bashkëpunëtorët e tij janë kontaktuar nga persona me numra telefoni nga Serbia, vetëm pak ditë para zgjedhjeve.
Në një konferencë për media, Rashiq ndau disa nga rastet dhe rrethanat e këtyre thirrjeve, duke ngritur shqetësime mbi motivet pas tyre.
Duke folur për disa audioincizime të publikuara, Rashiq tha se bashkëpunëtorët e tij janë kërcënuar nga një person i cili ka telefonuar me numër nga Serbia, duke i ftuar ata që të shkojnë në Beograd për bashkëpunim.
Rashiq tha se rastin e ka paraqitur te organet kompetente, teksa për fund pati një lutje për qytetarët serb që kanë dokumente të Kosovës dhe nuk jetojnë këtu.
“Me ultimatum u kanë thënë që të vijnë në Beograd brenda dy dite për të mirën e tyre. Siç u ka thënë. E enjte ka qenë, takimi është caktuar për të shtunën. Zëri me të cilin iu ka drejtuar ka qenë kërcënues dhe urdhërues. Askush nga bashkëpunëtorët e mi nuk i është përgjigjur kësaj thirrjeje”, ka deklaruar Rashiq.
Pasi bashkëpunëtorët e tij nuk i ishin përgjigjur kërkesës së personit që Rashiq pretendon se i ka kontaktuar, në javën e parë të gushtit, numri i njëjtë iu ka dërguar porosinë, sipas tij, “Nuk keni dashur të bashkëpunoni, edhe tash e tutje ne për ju do t’i shfaqim në publik disa gjëra komprometuese për ju”.
/The Geopost