
Reagimi i presidentit të Serbisë ndaj demonstratave masive në Serbi gjatë gjashtë muajve të fundit nuk është diçka që duhet mirëpritur, ka thënë të martën raportuesi i Parlamentit Evropian (PE) për Serbinë, Tonino Picula.
Sipas tij, është shumë e rëndësishme që institucionet e Bashkimit Evropian të shqyrtojnë atë që po ndodh në Serbi.
Është shumë e rëndësishme që institucionet evropiane të shqyrtojnë me kujdes atë që po ndodh në Serbi. Aktualisht, Serbia dhe (presidenti i saj) Aleksandar Vuçiq po bëjnë hapa prapa në aspektin e standardeve demokratike – veçanërisht në gjashtë muajt e fundit, kur pamë protesta masive në rrugët e qyteteve serbe. Përgjigja e Vuçiq nuk është diçka që duhet mirëpritur. Serbia po bën hapa prapa në aspektin e shumë treguesve dhe standardeve demokratike”, tha ai për BGNES, siç raportohet nga EUalajv (alive).
Ai theksoi se ideja e një “bote serbe” është e rrezikshme dhe se rajoni i përket BE-së.
“Çdo projekt që synon të ndryshojë kufijtë në kurriz të fqinjëve është i rrezikshëm.”
Ide të tilla ai i krahasoi me politikat e Slobodan Millosheviqit, i njohur si “kasapi i Ballkanit”.
“Tani nuk mendoj se udhëheqja serbe është mjaftueshëm e aftë ose mjaftueshëm e gatshme për të përsëritur gabimet që bëri Slobodan Millosheviqi 30 vjet më parë, por megjithatë, ne duhet të qëndrojmë vigjilentë dhe t’u dërgojmë një mesazh të qartë jo vetëm popullit serb, por edhe popujve të Ballkanit Perëndimor, se e ardhmja e tyre duhet të jetë në BE, dhe jo në ndonjë ‘botë serbe’ imagjinare. Është e rëndësishme që Brukseli të drejtojë gishtin nga ide të tilla, t’i parandalojë ato dhe t’u japë atyre një këndvështrim të qartë politik, të përshkruar si shumë të rrezikshme”, theksoi anëtari i Parlamentit Evropian”, ka shtuar ai./The Geopost/