Partia Komuniste e Kinës ka dëbuar nëntë gjeneralë të lartë në një nga spastrimet më të mëdha publike ndaj ushtrisë në dekada.
Sipas një deklarate të publikuar nga Ministria e Mbrojtjes së Kinës, nëntë persona dyshohen për krime të rënda financiare.
Shumica prej tyre ishin gjeneralë me tre yje dhe pjesë e Komitetit Qendror vendimmarrës të partisë. Ata janë dëbuar gjithashtu edhe nga radhët e ushtrisë.
Ndërsa deklarata e paraqet dëbimin si pjesë e një fushate kundër korrupsionit, analistët thonë se mund të shihet edhe si një spastrim politik. Ky zhvillim ndodh në prag të pleniumit të partisë, ku Komiteti Qendror pritet të diskutojë planin e zhvillimit ekonomik të vendit dhe të votojë anëtarë të rinj.
Nëntë zyrtarët janë:
- He Weidong – Nënkryetar i Komisionit Ushtarak Qendror (CMC)
- Miao Hua – Drejtor i departamentit të punës politike të CMC-së
- He Hongjun – Zëvendësdrejtor ekzekutiv i departamentit të punës politike të CMC-së
- Wang Xiubin – Zëvendësdrejtor ekzekutiv i qendrës së komandës për operacionet e përbashkëta të CMC-së
- Lin Xiangyang – Komandant i Teatrit Lindor
- Qin Shutong – Komisar politik i Ushtrisë
- Yuan Huazhi – Komisar politik i Marinës
- Wang Houbin – Komandant i Forcave Raketore
- Wang Chunning – Komandant i Forcave të Policisë së Armatosur
Nga këta nëntë zyrtarë, He Weidong konsiderohej më i rëndësishmi, si zyrtari i dytë më i lartë në ushtrinë kineze pas Presidentit Xi Jinping, i cili është kryetar i CMC-së.
He Weidong është parë për herë të fundit në mars, dhe mungesa e tij e gjatë nga jeta publike ka nxitur spekulime se ai ishte nën hetim si pjesë e një spastrim të krerëve të lartë ushtarakë.
Ai ishte gjithashtu pjesë e Politbyrosë, organi më i lartë vendimmarrës i Partisë Komuniste, duke e bërë atë anëtarin e parë aktiv të Politbyrosë që hetohet.
Deklarata e Ministrisë së Mbrojtjes tha se nëntë burrat kishin “shkelur rëndë disiplinën e partisë dhe dyshoheshin për krime të rënda të lidhura me detyrën, që përfshinin një shumë jashtëzakonisht të madhe parash, me natyrë jashtëzakonisht serioze dhe me pasoja jashtëzakonisht të dëmshme”.
Deklarata shtoi se burrat tani përballen me ndjekje penale ushtarake dhe e cilësoi ndëshkimin e tyre si një “arritje të rëndësishme në fushatën kundër korrupsionit të partisë dhe ushtrisë”.
Komisioni Ushtarak Qendror (CMC) ka sinjalizuar prej muajsh se do të ndërmerrte një spastrim, duke publikuar udhëzime të reja në korrik që kërkonin eliminimin e “ndikimit toksik” në ushtri dhe duke listuar “rregulla të hekurt” për kuadrot.
Spastrimet e fundit vijnë pas largimeve publike në shkallë më të vogël të zyrtarëve të tjerë ushtarakë vitet e fundit, përfshirë ish-ministrat e mbrojtjes Wei Fenghe dhe Li Shangfu.
Gjeneralë të lartë brenda Forcave Raketore u larguan gjithashtu. Njëri nga zëvendësimet e tyre ishte Wang Houbin — një nga nëntë zyrtarët që tani janë dëbuar nga partia.
As zyrtarët civilë nuk janë kursyer, më i spikaturi ishte zhdukja e ministrit të jashtëm Qin Gang në vitin 2023. Personi që u përfol si pasues i tij, Liu Jianchao, nuk është parë që nga korriku.
Neil Thomas, studiues i politikës kineze në Institutin e Politikave të Shoqërisë Aziatike, i tha BBC Chinese se spastrimet e Xi-t synojnë të projektojnë forcë.
“Sipas tij, largimi i kuadrove të korruptuar ose të pabesë është ‘vetë-revolucioni’ i Partisë për t’u bërë një organizatë e pastër, e disiplinuar dhe efektive, e aftë për të qeverisur në mënyrë të pakufizuar.”
Por, ai vuri në dukje se spastrimet mund të ftohin nismën dhe ta bëjnë qeverisjen më të ngurtë. “Ky është çmimi i pushtetit të Xi-t: sistemi bëhet më i pastër dhe më i bindur, por edhe më i kujdesshëm — dhe herë pas here, më i brishtë.”
Tani shumëkush do të vëzhgojë se kush do të marrë pjesë në Pleniumin e Katërt që pritet të nisë më 20 tetor.
“Nëse pjesëmarrja bie ndjeshëm, do të jetë sinjali më i qartë publik deri më tani për shkallën e spastrimëve,” tha Thomas.

Ukraina dhe Mbretëria e Bashkuar bien dakord për prodhimin e përbashkët të dronëve interceptues
Bashkimi Evropian kërkon t’i japë fund varësisë nga Kina për metalet e rralla
Në Vjenë vendoset memoriali ‘Lulja e Srebrenicës’
Tensionet mbeten të larta ndërsa Kina dhe BE përgatiten për takimin e Brukselit mbi metalet e rralla
Dy muaj pas publikimit të videos Luçiq-Müller: U ngritën padi penale në TOK për ushtrim ndikimi, por çështja nuk është zgjidhur ende
Gjykatësi britanik dënon burra për rolin e tyre në sulmin zjarrvënës të lidhur me Rusinë që synonte furnizimet për Ukrainën