
Foto credit: RFE/RL
Krimineli i dënuar i luftës Nebojsha Pavkoviq u varros më 22 tetor në Alean e Qytetarëve të Merituar në Beograd me nderimet më të larta ushtarake.
Në varrim, përveç udhëheqjes ushtarake, morën pjesë ministrat në Qeverinë e Serbisë, e dërguara e Presidentit të Serbisë, disa të dënuar të Hagës dhe veteranë të njësive të luftës të shpërbëra.
“Varrimi i Nebojsha Pavkoviqit në Alean e Qytetarëve të Merituar përbën mohim të hapur të fakteve të vërtetuara nga gjykata dhe tallje me viktimat,” vlerësoi Fondi joqeveritar për të Drejtën Humanitare.
Ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë Jugosllave u dënua nga Gjykata e Hagës me 22 vjet burg për krime lufte kundër civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999.
Ai u lirua nga burgu në Finlandë në fund të shtatorit për shkak të gjendjes shëndetësore dhe vdiq në Beograd më 20 tetor.
Në Alean e Qytetarëve të Merituar u varros së bashku me burra shteti, shkrimtarë, poetë, aktorë dhe personalitete të tjera që i kanë lënë borxh Serbisë me punën dhe veprën e tyre.
Në këtë vend, ndër të tjerë, është varrosur edhe kryeministri i parë demokratik i Serbisë, Zoran Gjinxhiq.
“Kjo është një fyerje edhe për të gjithë ata që janë varrosur më parë në Alean e Qytetarëve të Merituar,” thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) Aleksandar Popov nga Qendra joqeveritare për Rajonalizëm.
Nderimet më të larta për kriminelin e dënuar të luftës
Pavkoviq u përcoll me të shtëna nderi dhe orkestrën e Gardës së Ushtrisë së Serbisë.
Në varrim në Alean e Qytetarëve të Merituar në Varrezat e Reja në Beograd morën pjesë ministrat në Qeverinë e Serbisë Bratislav Gashiq, Milica Gjurgjeviq Stamenkovski dhe Nikola Selakoviq.
Në varrim ishin edhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Milan Mojsiloviq, ish-shefi i shërbimit të inteligjencës, Aleksandar Vulin, dhe kryetari i Komisionit të Qeverisë së Serbisë për Personat e Zhdukur, Veljko Odaloviq.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dërgoi një kurorë dhe një të dërguar – këshilltaren Suzana Paunoviq, ndërsa në varrim ishte edhe djali i tij, Danilo.
“Duke i dhënë nderime shtetërore një krimineli të dënuar lufte, me imazhin e rremë të ‘nderit, guximit dhe shërbimit ndaj atdheut’, pushteti po rrit presionin mbi ‘shoqërinë e robëruar’ në Serbi, veçanërisht mbi të rinjtë, që të mbrojnë ‘ heronjtë që mbrojtën popullin serb'”, tha themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq.
Në varrim morën pjesë edhe të dënuar të tjerë që kanë vuajtur dënime në Hagë për krimet më të rënda gjatë luftërave të viteve ’90, si Vladimir Llazareviq, Nikola Shainoviq dhe Veselin Shljivançanin.
Pavkoviqin e përcolli edhe ish-komandanti i Brigadës së 125-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, Dragan Zhivanoviq, i cili është akuzuar në gjykatën e Prishtinës për masakrën e civilëve shqiptarë në Mejë dhe fshatra të tjera rreth Gjakovës gjatë luftës së vitit 1999.
“Këtu kriminelët konsiderohen heronj. Kjo është një përgatitje që brezat e ardhshëm të indoktrinohen në mënyrë që e gjithë kjo të mund të përsëritet në një kohë,” paralajmëron Aleksandar Popov nga Qendra për Rajonalizëm.
“Nderimin” për Pavkoviqin, krahas Ushtrisë së Serbisë, e bëri edhe shoqata e veteranëve “Beretat e Kuqe”. Kjo njësi, e cila mori pjesë në krime gjatë luftërave të viteve ’90, u shpërbë pas vrasjes së Zoran Gjinxhiqit. Pjesëtarët e saj janë dënuar për atentatin ndaj kryeministrit të parë demokratik të Serbisë, si dhe për vrasje të tjera politike.
Para varrimit, në Shtëpinë e Ushtrisë u mbajt një komemoracion, ku, ndër të tjerë, mori pjesë edhe drejtori i Zyrës për Kosovën dhe negociatori i Beogradit në dialogun e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën, Petar Petkoviq.
Kush vendos për varrimin në Alean e Qytetarëve të Merituar?
Sipas Vendimit për menaxhimin e varrezave dhe varrimet në territorin e Beogradit, në Alean e Qytetarëve të Merituar mund të varrosen ata që kanë qenë të shquar dhe kanë dhënë një kontribut përkatës në fushën e punës ku kanë punuar.
Propozimi për varrim në këtë parcelë të veçantë bëhet nga institucioni në të cilin ka qenë anëtar i ndjeri, me pëlqimin paraprak të anëtarëve të familjes.
Për propozimin vendos Komisioni për vlerësimin e arsyeshmërisë, i cili formohet nga kryetari i Bashkisë së Beogradit.
Këtë Komision, sipas vendimit, e përbëjnë “përfaqësues të ministrive kompetente, Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, Komitetit Olimpik të Serbisë, njësisë organizative kompetente të Administratës së Qytetit të Beogradit dhe të tjerë”.
Shërbimi për Media i Bashkisë së Beogradit nuk u përgjigj në pyetjet e Radios Evropa e Lirë me propozimin e kujt u varros Nebojsha Pavkoviq në Alean e Qytetarëve të Merituar, as cilat kritere udhëhoqën Komisionin që mori një vendim të tillë.
Për çfarë ishte ‘i merituar’ Pavkoviq?
Në kohën e luftës në Kosovë, ai ishte komandant i Armatës së Tretë të Ushtrisë Jugosllave.
“Mbrojtja e Kosovës është një qëllim strategjik dhe interesi ynë kryesor kombëtar”, thoshte ai në mars 1999, para fillimit të ndërhyrjes së NATO-s, e cila u ndërmor për shkak të krimeve të forcave serbe kundër popullsisë shqiptare.
Pas përfundimit të luftës, presidenti i atëhershëm i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, i dha atij “Urdhrin e Lirisë” dhe në shkurt 2000 u gradua në Shef të Shtabit të Përgjithshëm.
Ai ishte në atë pozitë edhe kur regjimi i Millosheviqit u rrëzua nga demonstratat masive më 5 tetor. Presidenti i ri i Jugosllavisë, Vojislav Koshtunica, e pensionoi atë vetëm dy vjet më vonë.
Prokuroria në Hagë ngriti aktakuzë kundër tij për krime lufte në vitin 2003 dhe Pavkoviq u dorëzua në vitin 2005.
Me vendimin e shkallës së parë të vitit 2009, ai u shpall fajtor për të gjitha pikat e aktakuzës dhe u dënua për dëbime, transferime me forcë, vrasje, abuzim seksual dhe persekutim të civilëve shqiptarë nga Kosova, si dhe shkatërrim të objekteve fetare dhe shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës.
“Përmes një fushate të përhapur dhe sistematike të terrorit dhe dhunës, popullsia shqiptare në Kosovë duhej të shpërngulej si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës,” thuhet në vendim.
Vendimi i shkallës së parë u konfirmua në vitin 2014.
Së bashku me Pavkoviqin, u dënuan edhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave, Dragoljub Ojdaniq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës, Vladimir Llazareviq, gjenerali i policisë, Sreten Lukiq, dhe ish-zëvendëskryeministri i RF të Jugosllavisë, Nikola Shainoviq.
Shainoviq, Pavkoviq dhe Lukiq u cilësuan në vendim si pjesëmarrës kyç “në ndërmarrjen e përbashkët kriminale”, qëllimi i së cilës ishte “ndryshimi i balancës etnike për të ruajtur kontrollin serb” mbi Kosovën.
Vetë Pavkoviq e quajti pjesëmarrjen e tij në luftën në Kosovë “mbrojtje heroike” të Kosovës. Kjo, ndër të tjera, u përfshi edhe në ditarin e tij të luftës, i cili u promovua në Shtëpinë e Ushtrisë së Serbisë në vitin 2019 me një adresim video nga Pavkoviq. Katër vjet më vonë, ai u kyç nga burgu me video-lidhje edhe në një orë publike të një shkolle në Vojvodinë.
Madhërimi i kriminelëve të dënuar të luftës
Pushteti dhe mediat pro-qeveritare në Serbi e kanë quajtur Nebojsha Pavkoviqin “hero” dhe “trim”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në telegramin e ngushëllimit shkroi se Pavkoviq “la gjurmë të një oficeri që e kreu detyrën e tij me ndjenjë të fortë përgjegjësie, përkushtimi dhe përkatësie ndaj Serbisë”.
“Gjeneratat e ushtarëve dhe eprorëve do ta kujtojnë atë për punën, disiplinën dhe besimin se uniforma vishet me nder dhe se fjala mbahet si amanet,” tha Vuçiq.
Në kohën kur u kryen krimet në Kosovë, për të cilat u dënua Pavkoviq, Vuçiq ishte ministër i informimit në Qeverinë e Serbisë.
Ivica Daçiq, lideri i socialistëve, ish-partia e Sllobodan Millosheviqit, i cili sot është në krye të policisë serbe, tha se Pavkoviq “në kohë të vështira mbrojti nderin dhe dinjitetin e Serbisë dhe të ushtrisë së saj”.
Presidenti i Partisë Përparimtare Serbe në pushtet dhe ish-kryeministri Millosh Vuçeviq vlerësoi se është për krenari të Serbisë që arriti të kthejë “dy komandantë të mëdhenj lufte” – Nebojsha Pavkoviqin dhe Vladimir Llazareviqin.
Llazareviq arriti në Serbi në vitin 2015 me një avion qeveritar pasi kishte vuajtur dy të tretat e dënimit për krime në Kosovë. Në aeroport u prit nga ministrat, dhe më pas mori një vend si ligjërues në akademinë ushtarake, e më pas edhe titullin e qytetarit të nderit të një komune në jug të Serbisë.
Kush është varrosur me Pavkoviqin?
Në Alean e Qytetarëve të Merituar janë varrosur aktorë, shkrimtarë, poetë, sportistë, këngëtarë, politikanë dhe personalitete të tjera të shquara që i kanë lënë borxh Serbisë. Është ndërtuar në vitin 1965 si një njësi e veçantë arkitekturore ku deri më tani janë varrosur më shumë se 800 personalitete. Për shkak të konceptit që të gjithë të varrosurit janë “të barabartë në merita – pavarësisht profesionit”, pamja e pllakave është e njëjtë.
Në këtë vend janë varrosur kryeministri i parë demokratik i Serbisë, Zoran Gjinxhiq, shkrimtari dhe fituesi i çmimit Nobel Ivo Andriq, si dhe shkrimtarët Danilo Kish, Mesha Selimoviq, Millosh Crnjanski, poeti Vasko Popa, piktorët Petar Lubarda dhe Paja Jovanoviq.
Në Alean e Qytetarëve të Merituar janë varrosur edhe aktorët Danilo Bata Stojkoviq, Zoran Radmiloviq, Olivera dhe Rade Markoviq, Dragan Nikoliq dhe Milena Draviq, Petar Kralj dhe të tjerë.
Në Ale është edhe ish-presidenti i Jugosllavisë, akademiku Dobrica Qosiq, i cili ishte një nga ideologët kryesorë të nacionalizmit serb në vitet ’90. Këto janë edhe vitet kur në Ale filluan të varrosen gjithnjë e më shumë njerëz nga estrada, kështu që sot atje janë edhe këngëtarë të muzikës popullore si Xhej Ramadanovski, Shaban Shauliq dhe Predrag Cune Gojkoviq./RSE/