Nuk ka vend në morgun në Marzir. Ai është i mbushur me trupat e ushtarëve rusë.
Në një spital në këtë qytet bjellorus, që gjendet 60 kilometra larg nga kufiri me Ukrainën, korridoret dhe repartet janë të mbushura me tingujt e ushtarëve që rënkojnë nga plagët e tyre që kanë marrë në fushëbeteja.
Në stacionin kryesor të trenit, ushtarët rusë janë parë në video duke transportuar me barela – që me sa duket duke mbajtur ushtarakë të plagosur – nga një ambulancë ushtarake në një tren që operohet nga kompania shtetërore hekurudhore e Rusisë.
Dhe në Naroulia, një qytet edhe më pranë kufirit ukrainas, banorët kanë raportuar se një spital fushor ukrainas është ngritur në një ish-depo motorësh, dhe ushtarët e plagosur rusë po transportohen përmes ajrit nga Ukraina, po trajtohen për një kohë të shkurtër dhe më pas po dërgohen në Mazir dhe në kryeqytetin rajonal, Homel.
Tani në javën e katërt, lufta e Rusisë në Ukrainë vazhdon të prodhojë një numër të tmerrshëm të viktimave në mesin e civilëve ukrainas dhe të ushtarëve të të dyja palëve. Disa prej sulmeve dhe luftimeve më vdekjeprurëse kanë ndodhur pranë kufirit me Bjellorusinë, afër Homelit; afër kufirit rus në Harkiv dhe Sumi në lindje; dhe rreth qyteteve-port në jug, të tilla si Mariupoli dhe Hersoni.
Është e vështirë të ketë numra të saktë të viktimave. Në mesin e civilëve, Kombet e Bashkuara kanë regjistruar mbi 800 viktima dhe mbi 1,250 të plagosur – por, shifrat reale besohet se janë shumë më të larta – teksa zyrtarët ukrainas kanë thënë se mijëra civilë janë vrarë.
Ndërkaq, numri i viktimave në mesin e luftëtarëve po ashtu nuk dihet, teksa ekspertët thonë se të dy palët tentojnë të ekzagjerojnë humbjet e armikut dhe të minimizojnë humbjet e tyre.
Në Rusi, të kuptosh numrin e viktimave është edhe më e vështirë për shkak të rregulloreve të Qeverisë që kanë kufizuar raportimin e pavarur – dhe madje kanë bërë vepër penale kushdo që përdor fjalët “luftë” dhe “pushtim”.
Por, në rajonet e Bjellorusisë që gjenden në kufi me Ukrainën, banorët dhe punëtorët shëndetësorë kanë raportuar për një valë në rritje të numrit të kufomave dhe ushtarakëve të plagosur që po vijnë nga Ukraina dhe më pas po dërgohen diku tjetër për trajtim të mëtejmë apo për varrim.
Më shumë se 2,500 kufoma ushtarësh që nga 13 marsi janë dërguar nga rajoni Homel për në Rusi përmes trenave apo avionëve, ka thënë një punonjës në një spital klinik në rajonin Homel.
Si të gjithë personat me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë, edhe ky person kërkoi që të mos i publikohej emri, për shkak të frikës së hakmarrjes apo ndjekjes penale nga agjencitë e sigurimit të Bjellorusisë ose Rusisë.
Kjo shifër që ky punonjës ofroi nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur.
Ushtria ukrainase pretendon se mbi 14,000 ushtarë rusë janë vrarë që prej se Rusia nisi pushtimin më 24 shkurt, një shifër kjo që është shumë më e lartë sesa vlerësimet e pavarura. Ushtria nuk ka paraqitur një numër zyrtar të viktimave, duke thënë se është sekret shtetëror, por presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, javën e kaluar tha se afër 1,300 ushtarë ukrainas janë vrarë.
Ndërkaq, Ministria ruse e Mbrojtjes ka pretenduar se mbi 2,870 ushtarë ukrainas dhe luftëtarë paramilitarë janë vrarë dhe afër 3,700 të tjerë janë plagosur.
Në të vetmen shifër zyrtare për viktimat nga pala ruse, që është publikuar më 2 mars, Ministria e Mbrojtjes tha se 498 ushtarë janë vrarë dhe 1,597 të tjerë janë plagosur.
Më herët gjatë javës, inteligjenca amerikane tha se numri i ushtarëve të vrarë rusë është mbi 7,000 – dhe tha se ky ishte një vlerësim konservator.