Kryeministri britanik, Boris Gjonson (Boris Johnson), ka emëruar një të dërguar special për Ballkanin Perëndimor si pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të Mbretërisë së Bashkuar për stabilitet dhe prosperitet në rajon. Marshalli Stjuart Pijç (Stuart Peach) është emëruar si i dërguar special për Ballkanin Perëndimor. Stjuart Pijç e merr këtë detyrë pas dorëheqjes nga posti i Kryetarit të Komitetit Ushtarak të NATO-s që bëri në fillim të këtij viti, një pozitë që ai e mbajti që nga viti 2018. Më parë ai shërbeu gjithashtu si Shef i Shtabit të Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar.
Si i dërguar special i Kryeministrit, Pijç do të punojë me liderët e Ballkanit Perëndimor, akterët e tjerë në rajon dhe aleatët e Mbretërisë së Bashkuar në SHBA dhe Evropë për të mbështetur dhe forcuar stabilitetin rajonal. Puna e tij do të përfshijë gjithashtu promovimin e institucioneve të forta demokratike dhe shoqërive të hapura, duke ndihmuar në trajtimin e krimeve të rënda dhe krimit të organizuar, adresimin e sfidave të tjera të përbashkëta të sigurisë dhe inkurajimin e zgjidhjes së çështjeve të trashëguara sic janë krimet e luftës dhe personat e zhdukur. Në Bosnje dhe Hercegovinë, Stuart Peach do të mbështesë punën e Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar, Kristian Shmid (Christian Schmidt), i cili vazhdon të ketë mbështetjen e plotë të Mbretërisë së Bashkuar. Sa i përket Kosovës e Serbisë, ai do të punojë me partnerët britanik në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, sqaroi Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar në një deklaratë për shtyp.
Duke njoftuar për emërimin, Kryeministri Gjonson tha se “Ballkani Perëndimor po përjeton kërcënimin më të madh kundër stabilitetit dhe sigurisë në më shumë se dy dekada. Ne kemi përgjegjësinë të bëjmë gjithçka që mundemi për të ruajtur progresin e arritur përmes paqes dhe dialogut – andaj nuk mund të lejojmë kthimin e dhunës dhe ndarjeve të së kaluarës. Përvoja dhe ekspertiza e gjerë e Pijç do të përforcojë përpjekjet ndërkombëtare për të mbrojtur paqen dhe për të promovuar integrimin euroatlantik në këtë rajon të rëndësishëm.”
Pijç është oficer ushtarak me përvojë. Ai ishte Kryetari i 32-të i Komitetit Ushtarak të NATO-s. Shërbimet e tij operative përfshijnë Belizen, Hong Kongun dhe Gjermaninë në vitet 1980. Ai ishte Komandant i Forcës Ajrore britanike në Shtabin e KFOR-it (NATO) në Kosovë dhe ishte Zëvendës Këshilltar i Lartë Ushtarak Britanik në Komandën Qendrore amerikane në vitet 2001-2002. Ai ishte Shef i Shtabit të Mbrojtjes nga korriku 2016 deri në qershor 2018 dhe mori rolin e Kryetarit të Komitetit Ushtarak të NATO-s në qershor 2018, emërimi i tij i katërt me katër yje.
Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Trus tha se “emërimi i Sër Stjuart është një demonstrim i qartë i përkushtimit të Britanisë ndaj Ballkanit Perëndimor dhe ndaj mbrojtjes dhe promovimit të lirisë dhe demokracisë në rajon”.
Mirëpresim lajmet për rritjen e angazhimit të Mbretërisë së Bashkuar si në Kosovës ashtu edhe në rajonin, ka shkruar ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nikollas Abot (Nicholas Abbott).
Situata politike në Ballkanin Perëndimor u diskutua në takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s në Riga dhe do të jetë në rendin e ditës në takimin e ministrave të jashtëm të G7 në Liverpool, që u paralajmërua në fillim të kësaj jave.