Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • ENG
  • ALB
  • SRB
  • UKR
  • RRETH NESH
  • Lajme

Hovenier me mesazh të qartë për çështjen e dinarit: Nuk e sfidojmë Kushtetutën por kemi kërkuar kohë, kjo ka ndikuar në raportet tona

The Geopost February 15, 2024 4 min read
Share the news

Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier ka folur sërish për Rregulloren e BQK-së, dhe çështjen e ndalimit të dinarit. Ai para mediave tha se ShBA nuk e sfidon nevojën që Kosova të rregullojë sektorin financiar e as autoritetet, porse ka përsëritur se kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë zbatimin e kësaj rregulloreje, pasi nevojitet punë më e madhe përgatitore.

“Ndihmëssekretari Jim O’Brien, i cili është zyrtari më i lartë në Departamentin e Shtetit për Evropën, foli drejtpërdrejt për këtë [dinarin] në fillim të kësaj jave. Mesazhi i tij ishte mjaft i qartë, mesazhi im ka qenë i qartë, edhe ambasadorja jonë në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield, ka qenë mjaft e qartë. Unë do e ritheksoj, Shtetet e Bashkuara kanë shqetësime shumë domethënëse me mënyrën se si po zbatohet kjo rregullore.

Ne i kemi ngritur këto shqetësime në publik dhe këto shqetësime i kemi ngritur edhe privatisht. Ne nuk e sfidojmë nevojën që Kosova të rregullojë sektorin e saj financiar, as nuk sfidojmë nevojën që Kosova të ndërmarrë veprime për të reduktuar rrezikun e krimeve financiare, përfshirë pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit. Ne nuk e sfidojmë Kushtetutën e Kosovës, as autoritetet e Bankës Qendrore.

Por ne vazhdimisht kemi kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë zbatimin e kësaj rregulloreje, pasi nevojitet punë më e madhe përgatitore, veçanërisht sa i përket efektit të zbatimit të rregullores tek pjesëtarët e cenueshëm të komuniteteve pakicë”, tha ai.

Ambasadori amerikan theksoi se kanë kërkuar konkretisht dy gjëra nga Kosova. “E para, duhet të ekzistojë një procedurë që Serbia të transferojë fonde në përputhje me rregulloren e Bankës Qendrore, por që plotëson standardet dhe praktikat evropiane të qeverisjes së mirë. Vendosja e kësaj procedure duhet të diskutohet në kontekstin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Ne kërkojmë që Kosova dhe Serbia të angazhohen në mënyrë konstruktive për këtë. E dyta, ndërkohë që po punohet për të vendosur këtë proces afatgjatë, duhet të ekzistojnë dispozita të përkohshme, që i lejojnë Serbisë të vazhdojë të ofrojë fonde për shërbimet e nevojshme sociale, kjo përfshin pagesat e përfitimeve sociale, si pensionet, dhe pagesat për prindërit vetushqyes, mbështetje për sistemin shëndetësor dhe arsimor.

Deri më tani, nuk ka pasur asnjë përkushtim apo përpjekje për ta bërë këtë në një bazë të përkohshme”, theksoi ai. Duke shprehur shqetësimet lidhur me këtë çështje, Hovenier u shpreh se kjo situatë tashmë ka ndikuar në cilësinë e partneritetit mes dy qeverive, dhe se çdo sugjerim për të kundërtën pasqyron një keqkuptim themelor ose një keqinterpretim të rëndësisë që ShBA i kushton zgjidhjes së kësaj çështjeje.

Më vjen keq që duhet të tërheq vëmendjen ndaj tonit shumë të qartë dhe të ashpër të intervistës së Ndihmës Sekretarit O’Brien mbi këtë temë këtë javë. Ai ka kërkuar partneritet me Qeverinë e Kosovës për këtë çështje. Ai shprehu keqardhjen që qeveria Kurti nuk i është përgjigjur kërkesës sonë. Dhe ai e bëri të qartë se nëse kryeministri Kurti citoj ‘nuk na trajton si partner, kjo vë në pikëpyetje se sa partner mund ta konsiderojmë këtë qeveri’ mbyll citimin.

Jam i shqetësuar që tani pas intervistës së tij ka deklarata publike që sugjerojnë se partneriteti SHBA-Kosovë nuk është prekur dhe mund të mos ndikohet nga kjo situatë. Duhet të jem i qartë se thjesht nuk është e vërtetë. Thjesht nuk është kështu. Siç deklaroi ndihmës sekretari O’Brien, kjo situatë tashmë ka ndikuar në cilësinë e partneritetit tonë mes dy qeverive tona. Çdo sugjerim për të kundërtën pasqyron një keqkuptim themelor ose një keqinterpretim të rëndësisë që ne i kushtojmë zgjidhjes së kësaj çështjeje në një mënyrë që i përgjigjet shqetësimeve tona, dhe më e rëndësishmja, e bërë në një mënyrë që siguron mbështetje të vazhdueshme për njerëzit e cenueshëm nga komunitetet pakicë të Kosovës”, tha Hovenier./TheGeopost/

Continue Reading

Previous: Zgjerimi i mediave të mbështetura nga Kremlini në Bosnje është shqetësues, thonë analistët
Next: ShBA përgenjështron Dodikun se është “gati për BE”: Jeni i përqafuar me Putinin

Inteligjenca amerikane ndihmoi në udhëzimin e sulmeve nga Kievi që dëmtuan prodhimin rus të naftës – thonë zyrtarët 3 min read
  • Lajme

Inteligjenca amerikane ndihmoi në udhëzimin e sulmeve nga Kievi që dëmtuan prodhimin rus të naftës – thonë zyrtarët

The Geopost October 13, 2025
Oaz apo Kamp Stërvitjeje? Resorti serb ku Rusia dyshohet se komplotoi trazira në Moldavi 4 min read
  • Lajme

Oaz apo Kamp Stërvitjeje? Resorti serb ku Rusia dyshohet se komplotoi trazira në Moldavi

The Geopost October 13, 2025
Ambasadori Amerikan Whitaker Thotë se Trump Ka ‘Shumë’ Letra Për të Sjellë Paqen në Ukrainë 4 min read
  • Lajme

Ambasadori Amerikan Whitaker Thotë se Trump Ka ‘Shumë’ Letra Për të Sjellë Paqen në Ukrainë

The Geopost October 12, 2025
Serbia me narrativë kundër Kosovës dhe Turqisë për dronët turq 3 min read
  • Lajme

Serbia me narrativë kundër Kosovës dhe Turqisë për dronët turq

The Geopost October 11, 2025
Propaganda ruse para zgjedhjeve dhe ndikimi te serbët në Kosovë 8 min read
  • Lajme

Propaganda ruse para zgjedhjeve dhe ndikimi te serbët në Kosovë

The Geopost October 11, 2025
Rusia bllokon të internetin dhe mesazhet me tekst për klientët evropianë të roaming-ut 2 min read
  • Lajme

Rusia bllokon të internetin dhe mesazhet me tekst për klientët evropianë të roaming-ut

The Geopost October 11, 2025

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.