Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • ENG
  • ALB
  • SRB
  • UKR
  • RRETH NESH
  • Lajme

Ballkani Perëndimor përballë Rusisë: Rrugë të ndryshme për sigurinë, sanksionet dhe kërcënimet hibride

The Geopost November 22, 2025 7 min read
Share the news

Shkruan Xhelal Neziri

 

Që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë (2022), Bashkimi Evropian (BE) tenton të përshpejtojë procesin e përfshirjes së gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe katër vendeve nga Lindja e saj në unionin e saj. Nga një proces thjesht administrativ, – ku vendet aspirantë nënshkruajnë marrëveshje të asocim-stabilizimit, marrin statusin e vendit kandidat dhe përmbyllin kapitujt e grumbulluara në gjashtë grupe (kllasterë) – integrimi në BE tashmë është bërë një prioritet të urgjencës gjeopolitike të Brukselit. Unifikimi i politikës së jashtme të BE-së karshi Rusisë mund të mos jetë e mjaftueshme nëse një pjesë të “oborrit” të saj, bile atë më problematik siç është pjesa juglindore e saj, e ka të ekspozuar tërësisht ndaj ndikimeve problematike ruse dhe kineze. Andaj, fokusi i BE-së gjithnjë e më shumë bartet bë këtë rajon, paralelisht me armatimin e hovshëm të saj nëpërmjet nismës strategjike “Rearm Europe”, me të cilën parashihet të shpenzohen 800 miliardë euro deri në vitin 2030. Përveç kësaj, vendet anëtare të BE-së kanë rritur dukshëm buxhetet e mbrojtjes, me Gjermaninë që planifikon 153 miliardë euro buxhet vjetor për mbrojte, shumë që pritet të realizohet deri në vitin 2029.

Ky proces i kalimit nga “soft power” në “hard power” paralajmëron një paradigmë tjetër evropiane në raport me Rusinë dhe Kinën, e cila nënkupton distancë të mjaftueshme politike dhe të sigurisë, e cila do të garantojë mbrojtje efikase nga ndikimet e tyre qëllimkëqija. BE-ja po merr përsipër barrën e mbrojtjes pas 75 viteve me fokus në ekonomi, e cila në masë të madhe determinohej nga energjia e lirë që importohej nga Rusia. Kjo paradigmë nënkupton një qasje më konkrete edhe ndaj vendeve aspirantë të Ballkanit Perëndimor, pjesa më e madhe e të cilave shtiren se e duan anëtarësimin, por në realitet e minojnë atë proces. Ky rrëfim është shitur me sukses në Bruksel përderisa edhe përfaqësuesit evropianë janë shtirur se e dëshirojnë zgjerimin. Tani, kur BE-ja e ka urgjencë zgjerimin më shumë sesa vendet ballkanike integrimin, do të ndryshojë edhe qasja e saj ndaj rajonit.

Përveç Shqipërisë dhe Kosovës, Rusia ka një prani të konsiderueshme në Serbi, Bosnjë e Hercegovinë, Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi. Krahas pranisë politike dhe energjetike ruse, rajoni është në fokus të Kinës, e cila ka gjurmë të dukshme në ekonominë e këtyre vendeve. Nëse analizohen raportet e fundit të progresit të Komisionit Evropian (KE) për këto shtete, të bëra publike më 4 nëntor, mund të shihet se një nga pengesat kryesore të integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor janë pikërisht këto aspekte që lidhen me politikën e jashtme të vendeve aspirantë, e cila përcaktohet nga interesat e tyre nacionale.

SERBIA – SFIDA KRYESORE      

Raporti për Serbinë thekson se Beogradi ka bërë pak përparim në rreshtimin me politikën e përbashkët të jashtme, sigurimit dhe mbrojtjes të BE-së. Aty thuhet se kontaktet e nivelit të lartë me Rusinë janë intensifikuar, së bashku me narrativa anti-perëndimore dhe pjesëmarrje në solemnitetet ushtarake ruse. Serbia edhe në këtë dikotomi interesash gjeopolitike tenton të zbatojë filozofinë e “dy karrigeve”: raporti nënvizon se Beogradi zyrtar nuk i është bashkuar BE-së në sanksionet ndaj Rusisë, por vazhdon të bashkëpunojë me BE-në për shmangien e sanksioneve dhe ofron ndihmë humanitare dhe financiare për Ukrainën.

Manipulimi i informacionit dhe kërcënimet hibride, sipas raportit, mbeten shqetësime serioze, veçanërisht përmes transmetuesit rus RT Balkan, i cili mori licencë në rrjetet kabllore shtetërore. Varësia energjetike nga Rusia mbetet e lartë, konstaton dokumenti, dhe dhënia e shpejtë e shtetësisë serbe për shtetasit rusë me akses pa vizë në BE paraqet rreziqe sigurie. Kërcënimet hibride dhe dobësitë kibernetike kërkojnë përgjigje më të forta ligjore dhe operative, rekomandon Brukseli. Në raport me Kinën, BE-ja është e shqetësuar se Serbia ka nënshkruar marrëveshje të tregtisë së lirë me Kinën, e cila ka hyrë në fuqi që nga 1 qershori i vitit 2024.

POLITIKA KOMPLEKSE E BOSNJË E HERCEGOVINËS

Sistemi i komplikuar i Bosnjë dhe Hercegovinës prodhon një qasje komplekse ndaj BE-së, në njërën anë, dhe Rusisë dhe Kinës, në anën tjetër. Raporti i progresit për këtë vend njeh rreshtimin apo përputhshmërinë me politikën e përbashkët të jashtme dhe sigurie evropiane, por nënvizon se zbatimi i masave restriktive ndaj Rusisë përballet me pengesa, veçanërisht nga ministritë e kontrolluara nga SNSD-ja e Millorad Dodikut. Autoritetet e Republikës Srpska kanë vazhduar kontaktet e ngushta me Rusinë, ndërsa transmetuesit publikë mbeten të ndikuar politikisht, gjë që mundëson që dezinformimi rus të vazhdojë përmes mediave si RTRS.

Politika e vizave mbetet pjesërisht e papërputhur me BE-në, dhe kërcënimet hibride, përfshirë sulmet kibernetike dhe dezinformimin, vazhdojnë të sfidojnë reziliencën institucionale. Sipas Brukselit, vendi ka nevojë për një strategji gjithëpërfshirëse të politikës së jashtme, mekanizma më të fortë për zbatimin e sanksioneve dhe kuadro të qarta për të kundërshtuar manipulimin e informacionit të huaj.

MALI I ZI – LIDER NË INTEGRIMIN EVROPIAN, POR ME SHUMË SHTETËSI TË DHËNA SHTASVE RUSË

Mali i Zi merr lëvdata nga BE-ja se strehoi numrin më të madh të shtetasve ukrainas nën mbrojtje të përkohshme në rajon, duke u ofruar qasje në shërbime shëndetësore dhe akomodim mbi standardet minimale të BE-së. BE-ja mbetet partneri kryesor tregtar dhe burimi kryesor i investimeve të huaja, e ndjekur nga Serbia, Rusia dhe Turqia.

Në politikën e jashtme, Mali i Zi u rreshtua plotësisht me masat restriktive të BE-së ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, bashkë-sponsorizoi rezoluta të OKB-së për Ukrainën dhe u angazhua aktivisht në kundërveprimin ndaj kërcënimeve hibride, përfshirë sulmet kibernetike dhe manipulimin e informacionit.

Megjithatë, Brukseli shpreh shqetësim të ngjashëm me atë të Serbisë shkaku i dhënies së shtetësisë malaziase për shtetasit e Rusisë dhe Bjellorusisë. Sipas raportit, në vitin 2024, 1,282 individë u pajisën me shtetësi malazeze përmes aplikimeve të papërfunduara të skemës së shtetësisë për investitorë, e cila përfundoi më 31 dhjetor 2022. Nga këta individë, shtetësia iu dha shtetasve të Federatës Ruse (709), shtetasve të Bjellorusisë (42) dhe shtetasve të Arabisë Saudite (29). Raporti nënvizon se “Mali i Zi duhet të kryejë kontrolle të nevojshme sigurie gjatë analizimit të aplikimeve të mbetura për shtetësi nën parashikimet e skemës së shtetësisë për investitorë dhe të sigurojë që shtetësia e dhënë përmes kësaj skeme personave që i nënshtrohen masave ndërkombëtare restriktive të tërhiqet”.

MAQEDONIA E VERIUT – RRSHTIM I PLOTË PAS POLITIKËS SË JASHTME EVROPIANE

Shkupi ka ruajtur rreshtimin e plotë me masat restriktive të BE-së ndaj Rusisë dhe vazhdon të mbështesë Ukrainën me ndihmë humanitare dhe ushtarake. Maqedonia e Veriut, thotë raporti, ka përforcuar përgatitjen në politikën e përbashkët të jashtme, sigurimit dhe mbrojtjes të BE-së dhe merr pjesë në operacione menaxhimi krizash të BE-së. Megjithatë, vendi ka marrë kritika në pjesën e zbatimit të plotë dhe efektiv të sanksioneve, gjë që nuk është reflektuar aq sa pritej nëse shihen numrat në sfera të caktuara të përfshira nga masat restriktive.

Maqedonia e Veriut ka zbatuar strategji për të kundërshtuar kërcënimet hibride, duke përfshirë një ekip operativ për sigurinë kibernetike dhe kërcënimet hibride. Ndërkohë, raporti ka theksuar se mungon një kuadër ligjor i qartë për luftimin e manipulimit dhe ndërhyrjes së informacionit të huaj, duke kërkuar përpjekje të mëtejshme për të forcuar reziliencën institucionale dhe shoqërore.

Kosova dhe Shqipëria

Prishtina, sipas Brukselit, vazhdon përputhshmërinë vullnetare me politikën e jashtme dhe sigurimin e BE-së, duke zbatuar sanksionet ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë dhe duke mbështetur Ukrainën me ndihmë ushtarake dhe trajnime. Megjithatë, Brukseli vëren se mjedisi mediatik mbetet i polarizuar, me sfida dezinformimi nga burime të brendshme dhe të jashtme, përfshirë “RT Balkan” dhe “Sputnik Srbija”. Këto dezinformime ruse, që vijnë nëpërmjet terrenit mediatik të Serbisë, krijojnë më pastaj probleme në funksionimin e institucioneve kosovare. Raporti nënvizon se institucionet kyçe, përfshirë Komisionin Qendror Zgjedhor, kanë lëshuar mundësinë për të luftuar në mënyrë proaktive dezinformimin, gjë që më pas ka kufizuar besimin qytetarëve në institucionet e shtetit.

Edhe Shqipëria, që llogaritet lidere e procesit të integrimit të rajonit bashkë me Malin e Zi, ka vazhduar të mbetet plotësisht e rreshtuar pas politikës së jashtme të BE-në, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë, duke dërguar një sinjal të qartë për përkushtimin ndaj integrimit evropian dhe rolin si partner i besueshëm. Sipas raportit, Shqipëria ka forcuar kuadrin kombëtar të sigurisë, duke miratuar Strategjinë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike (2025-2030) dhe Strategjinë e parë Kombëtare kundër ndërhyrjes së huaj dhe dezinformimit. Vendi u bashkua me Qendrën Evropiane për Kundërveprimin e Kërcënimeve Hibride dhe mbetet aktiv në nisma të BE-së dhe OKB-së për sigurinë kibernetike dhe të informacionit.

Përderisa Shqipëria dhe Kosova tregojnë përputhshmëri të lartë me politikat e BE-së ndaj Rusisë dhe Kinës, vendet tjera nuk kanë preferuar t’i shohin proceset me dioptrinë e Brukselit. Serbia ka harmonizuar vetëm 63% të politikës së saj të jashtme me BE-në, ndërkohë nuk ka vënë asnjë sanksion ndaj Rusisë. Përkundrazi – ajo vazhdon të jetë platformë e operimit të Rusisë në rajon në aspektin politik, ekonomik dhe kulturor. Kjo prani e shtuar ruse në Serbia më pastaj reflektohet si ndikim serb në vendet fqinje, kryesisht në BeH, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi por edhe Kosovë. Së këndejmi, Serbia do të vazhdojë të jetë në fokus të Brukselit pasi aty lidhet nyja e gati të gjitha ngatërresave ballkanike që ngadalësojnë integrimin e rajonit në BE.

 

Continue Reading

Previous: Mali i Zi njofton ashpërsimin e regjimit të vizave për shtetasit rusë
Next: BE-ja planifikon të ritrajnojë 600,000 punëtorë për sektorin e mbrojtjes për të eliminuar mungesën e personelit të kualifikuar

Kongresmeni i SHBA-së dhe Schmidt pas Takimit: Paqja nuk duhet marrë si e mirëqenë 3 min read
  • Lajme

Kongresmeni i SHBA-së dhe Schmidt pas Takimit: Paqja nuk duhet marrë si e mirëqenë

The Geopost November 25, 2025
Shefi i NATO-s, Rutte i thotë REL/RL: Nevojitet ‘Dialog i thelluar’ për Ukrainën 5 min read
  • Lajme

Shefi i NATO-s, Rutte i thotë REL/RL: Nevojitet ‘Dialog i thelluar’ për Ukrainën

The Geopost November 25, 2025
Zelenskyy mund të vizitojë SHBA-në këtë javë, ndërsa Trump sugjeron se është bërë ‘progres i madh’ 4 min read
  • Lajme

Zelenskyy mund të vizitojë SHBA-në këtë javë, ndërsa Trump sugjeron se është bërë ‘progres i madh’

The Geopost November 25, 2025
Ukraina sulmon termocentralin rus Shatura në rajonin e Moskës 3 min read
  • Lajme

Ukraina sulmon termocentralin rus Shatura në rajonin e Moskës

The Geopost November 24, 2025
Udhëheqësit evropianë kundërshtojnë planin e paqes të Trump, e quajnë atë vetëm një draft 4 min read
  • Lajme

Udhëheqësit evropianë kundërshtojnë planin e paqes të Trump, e quajnë atë vetëm një draft

The Geopost November 23, 2025
Zelensky dhe Starmer diskutojnë nuancat diplomatike në avancimin e planit të paqes 2 min read
  • Lajme

Zelensky dhe Starmer diskutojnë nuancat diplomatike në avancimin e planit të paqes

The Geopost November 23, 2025

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.