“Dramë e re në Kosovë: Një eksperiment i rrezikshëm nga Prishtina dhe Perëndimi – qëllimi është që serbët të çohen në kolaps”, është titulli dezinformues i një artikulli të publikuar të hënën në portalin “Sputnik Srbia”.
Çfarë u tha në tekst?
“Situata po bëhet çdo orë e më e vështirë. Prej një viti kemi ndalim të dërgimit të ushqimeve dhe produkteve ushqimore nga Serbia dhe tani në rend dite janë edhe materialet mjekësore që u nevojiten pacientëve. Këtu është drama e vërtetë. Kështu e përshkruan për Sputnik gjendjen e errët në atë institucion shëndetësor dr. Milan Ivanoviq, shef i departamentit për sëmundje pulmonare të KBC-së në Mitrovicë, e cila u përkeqësua edhe më shumë me heqjen e dinarit. Dhe ai vendim i çmendur i të ashtuquajturës qeveri të Kurtit shkaktoi kaos të përgjithshëm në të cilin më së shumti vuajnë të sëmurët, të moshuarit dhe fëmijët.”
“Kjo gjendje u përkeqësua edhe më shumë me ndalimin e dinarit në Kosovë dhe vendimi i qeverisë Kurti shkaktoi kaos të përgjithshëm në të cilin më së shumti vuajnë të sëmurët, të moshuarit dhe fëmijët.”
Analizë:
Ky tekst në përgjithësi ka të bëjë me problemet e serbëve në Mitrovicë sa i përket aspektit shëndetësor ku si problem tentohet të paraqitet edhe heqja e dinarit serb në Kosovë, vendim ky i cili u dha më 17 janar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) dhe hyri në fuqi më 01.02.2024.
Nëpërmjet këtij titulli aludohet se Kosova në bashkëpunim me Perëndimin po punojnë për një eksperiment të rrezikshëm në dëm të serbëve që sipas tyre cilësohet si një “dramë e re”, e që nuk është aspak e vërtetë për shkak se një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Për më tepër, siç po shihet edhe në deklaratë dhe në një pjesë të tekstit, titulli nuk përkon me atë se çfarë është thënë dhe çfarë është shkruar për shkak që nuk ka të bëjë fjalë me asnjë “dramë” dhe eksperiment nga Kosova kundrejt Serbisë.
Pra, duket qartë se ky titull që në njëfarë forme mund të konsiderohet edhe tendencioz ka pasur për qëllim vetëm tërheqjen e audiencës, me synimin që të ketë lexueshmëri më të madhe.
/G. Venhari, The Geopost