Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë fjalimit para pjesëmarrësve të debatit të përgjithshëm në kuadër të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, bëri një sërë deklaratash për Kosovën, ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 dhe të drejtën ndërkombëtare. Veçanërisht, ai pretendoi se shtetet që e kanë njohur Kosovën kanë marrë pjesë në “shkeljen e Kartës së OKB-së”, se rendi juridik ndërkombëtar është rrënuar për shkak të interesave të tyre politike, si dhe se arsyeja e vetme zyrtare për sulmin e NATO-s ndaj Republikës Federale të Jugosllavisë së atëhershme ishte parandalimi i një “katastrofe humanitare”, e cila, sipas tij, nuk kishte ndodhur.
Verifikimi i dokumenteve ndërkombëtare tregon se në këto pretendime përzihen çështje të ndryshme juridike dhe faktike.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 2010 konstatoi se vetë deklarata e pavarësisë së Kosovës e 17 shkurtit 2008 nuk e kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare, ndërsa dokumentet e OKB-së, UNHCR-së dhe OSBE-së konfirmojnë se në Kosovë kishte ekzistuar një krizë e rëndë humanitare, përfshirë zhvendosje masive dhe shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.
Analizë:
1. “Të gjitha vendet që e kanë njohur Kosovën e kanë shkelur Kartën e OKB-së”
Kjo është një deklaratë dezinformuese pasi që Vuçiqi e paraqet si fakt të përcaktuar, por një përfundim të tillë nuk e ka nxjerrë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.
Më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë iu përgjigj pyetjes nëse deklarata e pavarësisë së Kosovës e 17 shkurtit 2008 ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Përfundimi i Gjykatës ishte se deklarata nuk e kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Për këtë arsye, Vuçiqi dezinformoi kur tha se të gjitha shtetet që e kanë njohur Kosovën e kanë shkelur të drejtën ndërkombëtare.
2. “Rendi i së drejtës ndërkombëtare nuk ekziston më – ata e rrënuan për shkak të interesave të tyre politike”
Nuk ekziston një vendim i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që ka përcaktuar se rendi juridik ndërkombëtar është “rrënuar” për shkak të njohjes së Kosovës, ose se shtetet që e kanë njohur Kosovën e kanë bërë këtë vetëm për shkak të interesave të tyre politike.
Në të njëjtën kohë, Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbetet një dokument kyç i së drejtës ndërkombëtare, përmes të cilit u vendos prania ndërkombëtare civile dhe e sigurisë në Kosovë.
3. “Arsyeja e vetme zyrtare për sulmin e 19 vendeve të NATO-s ishte shmangia e një katastrofe humanitare që nuk ndodhi”.
NATO-ja si një nga arsyet kryesore për ndërhyrjen e kishte përmendur parandalimin e një katastrofe humanitare në Kosovë.
Megjithatë, NATO-ja në të njëjtën kohë kishte përmendur edhe objektiva të tjera, përfshirë ndalimin e dhunës dhe represionit, tërheqjen e forcave jugosllave dhe serbe nga Kosova, mundësimin e kthimit të sigurt të refugjatëve dhe krijimin e kushteve për një zgjidhje politike.
Ekziston dokumentacion i gjerë i organizatave ndërkombëtare që tregon se në Kosovë kishte një krizë të rëndë humanitare para dhe gjatë vitit 1999.
UNHCR-ja ka dokumentuar zhvendosjen masive të popullsisë. Para fillimit të bombardimeve të NATO-s, tashmë ishin zhvendosur rreth 350 mijë persona, ndërsa gjatë periudhës nga marsi deri në qershor 1999, më shumë se 850 mijë shqiptarë të Kosovës u larguan si refugjatë drejt vendeve fqinje ose pjesëve të tjera të Republikës Federale të Jugosllavisë së atëhershme.
Dokumentacioni i OKB-së gjithashtu evidenton dëbime dhe zhvendosje, vrasje, dhunë ndaj grave dhe fëmijëve, arrestime arbitrare, torturë dhe shkatërrim të pronës.
Prandaj, pretendimi se “nuk ka ndodhur” një katastrofë humanitare është në kundërshtim me dokumentacionin e UNHCR-së, OSBE-së dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare.
4. Pretendimi i Vuçiqit: “Të gjitha obligimet e Serbisë janë përmbushur”
Një dokument zyrtar i BE-së i vitit 2025 thekson se zbatimi i disa marrëveshjeve nga dialogu mbetet i paplotë nga të dyja palët. Sa i përket Serbisë, në mënyrë të veçantë përmendet obligimi për të zbatuar zotimet e marra nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit, përfshirë njohjen e dokumenteve dhe simboleve të Kosovës dhe përmbajtjen nga kundërshtimi i anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Edhe më drejtpërdrejt, Komisioni Evropian në dokumentin e tij thekson se tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës në nëntor 2022 dhe bojkotimi i zgjedhjeve lokale në veri në vitin 2023 përbënin shkelje të obligimeve të Serbisë nga dialogu dhe përbënin regres në zbatimin e Marrëveshjes së Parë të vitit 2013.
Aivo Orav, pikërisht lidhur me çështjen e zbatimit, theksoi një parim të rëndësishëm për këtë debat, njëra palë nuk mund ta përdorë moszbatimin e obligimeve nga pala tjetër si arsye për të mos i përmbushur obligimet e veta.
/The Geopost/

Milan Radoiçiq ende i lirë në Serbi, pa aktakuzë dhe nën mbrojtjen politike të Vuçiqit
Zakharova shpërndan narrativën propagandistike për aktgjykimin ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së
Pse Kina nuk ka gjasa të ushtrojë presion mbi Iranin përpara samitit Trump-Xi
Kriza pengmarrjeje në Ballkanin Perëndimor: Si e ka zënë peng regjimi i Vuçiqit rrugën evropiane të Serbisë?
Sputnik manipulon me pamjet nga Kosova për të promovuar propagandën e Beogradit në Nju Jork
Pas deklaratës për “spastrimin etnik”, Paunoviq dhe Daçiq këndojnë së bashku këngë nacionaliste për Kosovën