Fjalimi i presidentit të Serbisë në sesionin e 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara përfaqësoi shumë më tepër sesa një adresim të thjeshtë diplomatik. Ishte një manifest i një iluzioni të rrezikshëm gjeopolitik dhe një pasqyrë e sistemit me të cilin ai e ka futur shtetin e vet në një qorrsokak. Duke dëgjuar me vëmendje narrativën e ndërtuar me kujdes mbi “lindjen e një rendi të ri” dhe hipokrizinë e Perëndimit, u konfirmua plotësisht saktësia e asaj që kam shkruar në tekstin e mëparshëm. Serbia ndodhet në një lloj krize pengmarrjeje, ku regjimi në pushtet ka marrë peng të gjithë shoqërinë për hir të mbijetesës së tij në pushtet, ndërsa Bashkimin Evropian e mban në një gjendje të një luhatjeje strategjike rraskapitëse sa i përket qëndrimit ndaj regjimit të Vuçiçit.
Nga Dragan Shormaz
Një analizë kritike e këtij fjalimi nxjerr në pah një zëvendësim klasik autokratik të tezave. Duke iu referuar shembjes së të drejtës ndërkombëtare, Vuçiçi e vendos në mënyrë cinike këtë rrënim ekskluzivisht në momentin e ndërhyrjes së NATO-s dhe njohjes së Kosovës, duke fshirë me një gomë të gjithë dekadën e luftërave, spastrimit etnik dhe politikës katastrofike të Beogradit gjatë viteve ’90, e cila çoi pikërisht deri te ky epilog. Në një kohë kur gjysma e njerëzimit e konsideron regjimin e Putinit kriminal, pasi në OKB është paraqitur se gjatë 4,5 viteve të luftës ai ka shkaktuar vdekjen e mbi 15 mijë civilëve, prej të cilëve 700 fëmijë, Vuçiçi paturpësisht e paraqet Serbinë si viktimë të mosrespektimit të së drejtës ndërkombëtare, duke heshtur për faktin se njësitë e ushtrisë së Republikës Srpska dhe të Serbisë, si dhe forcat paraushtarake dhe policore, janë përgjegjëse për vrasjen, brenda vetëm pak ditësh, të 8 mijë civilëve dhe mbi 500 fëmijëve në Srebrenicë, apo për 1047 fëmijët deri në moshën 17-vjeçare të vrarë në Kosovë, brenda më pak se një viti! A nuk është ky një krim edhe më i tmerrshëm se ai i Putinit?! A duhet harruar?! Kur mbetet pa argumente, ai i drejtohet sindromës së viktimës dhe kështu e paralajmëron Perëndimin për “ringjalljen e nazizmit” në Kroaci, duke instrumentalizuar tragjedinë e Jasenovacit për të diskredituar paraprakisht çdo kritikë ndaj regjimit aktual në Serbi, i cili e ka zbuluar plotësisht fytyrën e tij gjatë varrimit të kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mlladiçit.
Vuçiçi përdor një ton emocional dhe paralajmërues edhe kur u sugjeron vendeve të Jugut Global që të “hapin katër sytë” gjatë nënshkrimit të marrëveshjeve me fuqitë e mëdha. Në këtë mënyrë, ai e paraqet Serbinë si një viktimë me përvojë të mashtrimeve dhe paqëndrueshmërisë së Perëndimit (duke përmendur Marrëveshjen e Brukselit të papërmbushur), duke ndërtuar kështu edhe më tej imazhin e vendit të tij si mbrojtës i vetmuar i së drejtës ndërkombëtare. Ndërkohë, ai hesht për rolin e regjimit të tij në operacionin në Banjskë dhe në sabotimin e kanalit Ibër-Lepenc, për të cilat është dëshmuar se janë kryer nën kontrollin e njerëzve të afërt me të, ndërsa në vetë Serbinë deri më tani askush nuk ka dhënë llogari.
Përsëritja nga Vuçiçi e tezës se “Serbia është në rrugën evropiane” e përshkruan në mënyrë të përsosur thelbin e këtij mashtrimi. Kjo rrugë nuk përfaqëson më një orientim strategjik, por vetëm një kalkulim. Si një udhëtar që udhëton drejt detit, por qëllimi i të cilit nuk është të arrijë kurrë në det, sepse mbërritja në destinacion do të nënkuptonte vendosjen e sundimit të ligjit, institucioneve të pavarura dhe përfundimin e monopolit të tij mbi pushtetin. Pikërisht për këtë arsye, qëllimi i vërtetë i Vuçiçit është udhëtimi i përjetshëm, por jo anëtarësimi i Serbisë në BE.
Takimi me Lavrovin në Nju Jork dhe biseda telefonike me Putinin janë dëshmi, sipas autorit, se Rusia është e përfshirë në drejtimin e qeverisë në Beograd, si dhe se ndërhyn drejtpërdrejt në procesin zgjedhor në Serbi dhe i jep mbështetje të hapur Vuçiçit. Të gjithë admiruesit e tjerë të Kremlinit në skenën politike të Serbisë shërbejnë vetëm për destabilizimin e alternativës ndaj këtij regjimi dhe do të hidhen tutje, siç ka ndodhur me Vulin ose Nestoroviçin.
Vuçiçi dukshëm po blen kohë, duke shpresuar në thellimin e përçarjes mes SHBA-së dhe BE-së. Makineria e tij mediatiko-politike, e cila prej vitesh e helmon shoqërinë serbe me narrativa antiperëndimore, tani ka bërë një kthesë radikale: po zhvillohet hapur një luftë ideologjike kundër Bashkimit Evropian, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe, po paralajmërohet kolapsi i projektit evropian, ndërsa Donald Trumpi paraqitet si figurë mesianike e një “blloku sovranist”, në të cilin, gjoja, Amerika e Trumpit dhe Serbia e Vuçiçit ecin krah për krah. Regjimi shpreson se, në një lloj rishpërndarjeje të re globale të letrave, Serbia mund të çlirohet nga standardet demokratike të BE-së dhe të shndërrohet në një proksi kinez dhe një nyje ruse në zemër të Evropës.
Ideja se problemet në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian mund të anashkalohen përgjithmonë përmes një pakti të drejtpërdrejtë me Uashingtonin përfaqëson një verbëri klasike politike ndaj realiteteve ekonomike dhe gjeografike. Këtë e konfirmon edhe deklarata e sekretarit amerikan të Shtetit, Mark Rubio, se “Serbia është e përfshirë në çështje potencialisht problematike”. Megjithatë, si mekanizëm për mbijetesë të pastër në pushtet, një kthesë e tillë radikale drejt SHBA-së është një skenar jashtëzakonisht i mundshëm në një situatë skajshme dëshpërimi. Megjithatë, skenari i mundshëm i “kthimit drejt Uashingtonit” është vetëm një blerje kohe në një paketim të ri, pra një lëvizje taktike pa bazë strategjike.
Edhe pjesët e tjera të strategjisë oportuniste të Vuçiçit përplasen me gravitetin e pathyeshëm gjeopolitik, gjeografinë dhe ekonominë. Serbia është një enklavë thellë në oborrin euroatlantik, ndërsa vetë ideja se një vend i rrethuar nga NATO-ja dhe i varur në thelb nga tregu i BE-së mund të shërbejë si trampolinë për zgjerimin e ndikimit kinez dhe rus përfaqëson një verbëri strategjike. Iluzioni i shpëtimit ekonomik kinez tashmë po çahet nga të gjitha anët, ndërsa të dhënat se investimet kineze në vitin 2025 pësuan një rënie prej 95% tregojnë qartë se këtu nuk bëhet fjalë për zhvillim të qëndrueshëm, por vetëm për shfrytëzim të burimeve. Strategjia kineze në Serbi nuk ekziston në vakum, por mbështetet ekskluzivisht në qasjen e lirë në tregun evropian. Do të mjaftonte që Brukseli brenda natës të hiqte privilegjet doganore për eksportin e çelikut, dhe e gjithë kjo kala prej letrash do të shembej.
Shtrohet pyetja: pse atëherë Vuçiçi po ndërton sistematikisht një pozicion të tillë, nëse ai është strategjikisht i paqëndrueshëm? Përgjigjja është e qartë: sepse është projektuar në mënyrë të përsosur për të blerë kohë dhe për të ruajtur mbështetjen e brendshme. Kërcënimi me kthimin drejt Lindjes shërben si një levë e shkëlqyer për të nxjerrë lëshime diplomatike nga Perëndimi, i cili mbyll sytë përballë rrënimit të demokracisë nga frika se mund ta humbasë plotësisht Serbinë. Në planin e brendshëm krijohet iluzioni i rëndësisë historike dhe i pavarësisë. Vuçiçi nuk po ndërton një pozicion për dekadat që vijnë, por për të mbijetuar ciklin e ardhshëm zgjedhor, me shpresën se rendi global do të shembet vërtet përpara se ai të detyrohet të paguajë faturën gjeopolitike.
Nga ana tjetër, i udhëhequr nga frika e destabilizimit rajonal, Perëndimi e ka toleruar për një kohë tepër të gjatë këtë stabilokraci. Bashkimi Evropian e di qartë se kush është “rrëmbyesi”, por nuk dëshiron që “pengu” të pësojë. Megjithatë, kjo tolerancë ka vijat e saj të kuqe.
Vija e parë e kuqe janë operacionet hibride ruse në territorin e Evropës. Incidenti me dronin në aeroportin e Lajpcigut në gusht të vitit 2026, gjurmët e të cilit të çojnë drejtpërdrejt te Serbia, përbën një alarm të kuq për shërbimet perëndimore të inteligjencës. Është një gjë të tolerosh retorikën e “qëndrimit në dy karrige”, por krejt tjetër është të lejosh që një shtet të shndërrohet në bazë logjistike për sabotimin e infrastrukturës së NATO-s. Përveç kësaj, çdo cenim thelbësor i integritetit të Bosnjë-Hercegovinës, i stabilitetit të Kosovës apo ngadalësim i rrugës evropiane të Malit të Zi do të shuante menjëherë edhe thërrimet e fundit të gatishmërisë së Brukselit dhe Uashingtonit për të vazhduar tolerimin e regjimit të Vuçiçit.
E dyta, dhe ndoshta vija e kuqe më e rrezikshme, ndodhet në planin e brendshëm. I ngushtuar gjithnjë e më shumë nga vijat e kuqe perëndimore, regjimi mund të tundohet që në zgjedhjet e ardhshme t’i drejtohet inxhinierisë brutale zgjedhore. Pikërisht këtu përballemi me një mësim të dhimbshëm historik. Pas Dejtonit, në vitin 1996, Slobodan Millosheviçi besoi se titulli “faktor i paqes dhe stabilitetit në Ballkan” i jepte një çek të bardhë për manipulimin e hapur të zgjedhjeve. Vlerësimi i tij ishte fatal.
Për hir të arsyeve gjeopolitike, Perëndimi ndonjëherë i toleron autokratët për sa kohë që ata ofrojnë stabilitet. Në momentin kur arroganca e brendshme shndërrohet në dhunë të hapur ndaj vullnetit elektoral, duke gjeneruar protesta masive qytetare dhe bllokim të sistemit, “faktori i stabilitetit” brenda natës shndërrohet në problem sigurie. Nëse pushteti në Serbi, i mashtruar nga propaganda e vet, vendos ta përsërisë dimrin e vitit 1996, shumë shpejt do ta kuptojë se “miqtë” e fuqishëm nga kryeqytetet e largëta të botës nuk do të jenë në gjendje t’i ndryshojnë ligjet e pamëshirshme të gravitetit gjeopolitik në Ballkan.
Në fund të fundit, historia na mëson se pikërisht tetori është muaji ideal për rrëzimin e autokratëve në Serbi. Atëherë, pse ta ndërpresim këtë traditë jashtëzakonisht të dobishme dhe demokratike të bashkëqytetarëve tanë?
The GeoPost

BE-ja i bën thirrje Serbisë të vendosë sanksione ndaj Rusisë: Vuçiqi vazhdon afrimin me Putinin
Nga radikal i Sheshelit te partner i Rusisë – çfarë la pas Vuçiqi pas 14 vjetësh në pushtet?
“Kësaj here holandezët qëndruan të palëkundur”, Mishetiq ironizon pas thirrjeve për Mlladiqin
BE-ja ia kujton Serbisë nevojën për zbatimin e sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë pas bisedës Vuçiq-Putin
Pamjet nga Marakana tregojnë humnerën e shoqërisë serbe, tifozët lavdërojnë kriminelin Ratko Mlladiq
Nga Millosheviqi te Vuçiqi – Stradner: E njëjta strategji, propagandë për ta paraqitur veten si viktimë