Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Analiza
  • Ballkan

Ekspertët serbë: Studentët marrin pushtetin, por jo një Serbi të shkëputur nga Rusia dhe Kina

The Geopost October 30, 2026 6 min read
Share the news

Fitorja e listës studentore në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi nuk pritet të sjellë një përmbysje të orientimit të politikës së jashtme të vendit, por mund të ndryshojë mënyrën se si Beogradi i ndërton dhe i menaxhon marrëdhëniet me fuqitë e mëdha, veçanërisht me Kinën.

Në një analizë të publikuar pas zgjedhjeve, ekspertët Dr. Nenad Stekiq dhe Stefan Vladisavljev vlerësojnë se Serbia po hyn në një fazë të vazhdimësisë së objektivave, por ndryshimit të metodave. Sipas tyre, neutraliteti ushtarak, mosvendosja e sanksioneve ndaj Rusisë dhe mbështetja te Kina për çështjen e Kosovës pritet të mbeten pjesë e politikës së jashtme të vendit.

Megjithatë, ajo që mund të ndryshojë është mënyra e ushtrimit të kësaj politike: diplomacia e përqendruar te marrëdhëniet personale të Aleksandar Vuçiqit me liderët e huaj mund t’i lërë vend një qasjeje më institucionale, më transparente dhe të kushtëzuar nga ligji.

Sipas autorëve, lista studentore ka siguruar shumicën absolute në Kuvend, duke fituar 52.9 për qind të votave dhe rreth 140 mandate, ndërsa lista “Aleksandar Vuçiq – Serbia e Bashkuar” ka marrë 38.8 për qind dhe 103 mandate, sipas projeksionit përfundimtar të CeSID dhe Ipsos. Kjo shumicë i mundëson qeverisë së re të qeverisë pa pasur nevojë për partnerë koalicioni.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se ende nuk dihet se kush do të jetë kryeministri i ri dhe se mbetet e hapur çështja e bashkëjetesës politike mes qeverisë dhe presidencës.

Pse nuk pritet një kthesë e menjëhershme gjeopolitike?

Sipas analizës, ekzistojnë disa faktorë strukturorë që kufizojnë hapësirën e veprimit të qeverisë së re dhe e bëjnë të vështirë një ndryshim të shpejtë të orientimit të Serbisë.

Njëri prej tyre është qëndrimi ndaj Kosovës. Përderisa mosnjohja e pavarësisë së saj mbetet zotim kushtetues dhe politik në Serbi, Beogradi vazhdon të ketë interes për mbështetjen e Rusisë dhe Kinës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Autorët vlerësojnë se programi i listës studentore është edhe më i ashpër ndaj Kosovës sesa praktika e deritanishme e Vuçiqit, çka mund ta rrisë rëndësinë e mbështetjes kineze për Serbinë.

Një tjetër pengesë është varësia nga gazi rus dhe çështja e pazgjidhur e kompanisë NIS. Sipas ekspertëve, vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë do të kishte pasoja të drejtpërdrejta për ekonominë dhe qytetarët, ndërsa asnjë qeveri e sapoformuar nuk pritet ta ndërmarrë një hap të tillë pa kompensim konkret nga Bashkimi Evropian.

Edhe përbërja e elektoratit të listës studentore përbën një kufizim. Lëvizja ka fituar mbështetjen e grupeve të ndryshme, përfshirë votues që kanë afërsi kulturore me Rusinë dhe janë skeptikë ndaj BE-së. Një kthesë e menjëhershme në politikën e jashtme mund ta rrezikojë këtë koalicion elektoral.

Marrëdhëniet me Kinën mund të kalojnë nga miqësia personale te partneriteti me kushte

Një nga ndryshimet më të dukshme që pritet të ndodhë në politikën e jashtme të Serbisë lidhet me marrëdhëniet me Kinën.

Sipas Stekićit dhe Vladisavljevit, bashkëpunimi me Pekinin nuk pritet të ndërpritet, por mund të ndryshojë natyra e tij. Marrëdhëniet që gjatë qeverisjes së Vuçiqit u karakterizuan nga lidhjet personale mes liderëve, simbolika politike dhe mungesa e transparencës, mund të kalojnë në një partneritet më të kushtëzuar, ku rëndësi më të madhe do të kenë kontratat, mbikëqyrja institucionale dhe respektimi i standardeve ligjore.

Kjo çështje është veçanërisht e ndjeshme, pasi lëvizja studentore u krijua pas tragjedisë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku shembja e tendës shkaktoi vdekjen e 16 personave. Stacioni ishte rinovuar nga një konsorcium kinez.

Autorët theksojnë se programi i listës studentore nuk përmban retorikë kundër Kinës, por parasheh që bashkëpunimi me kompanitë e huaja të kushtëzohet nga respektimi i ligjeve vendore, standardeve mjedisore dhe sigurisë në punë.

Në këtë kuadër, analiza identifikon pesë fusha ku mund të shfaqen përplasjet mes qeverisë së re dhe interesave kineze: përgjegjësia për shembjen në Novi Sad, transparenca e kontratave, standardet mjedisore dhe të punës në Bor, Smederevë dhe Zrenjanin, përdorimi i teknologjisë së mbikëqyrjes dhe bashkëpunimi ushtarak.

Sipas ekspertëve, qeveria e re ka më shumë gjasa të kërkojë rishikimin dhe publikimin e kontratave ekzistuese sesa ndërprerjen e projekteve kineze.

BE-ja, SHBA-ja dhe Rusia do të ndikojnë në politikën e re të Beogradit

Ekspertët vlerësojnë se politika e Serbisë ndaj Kinës nuk do të përcaktohet vetëm nga marrëdhëniet dypalëshe me Pekinin, por edhe nga presioni dhe interesat e Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.

Sipas tyre, qeveria e re do të jetë nën presionin e partnerëve perëndimorë për të dëshmuar se ndryshimi politik në Serbi sjell edhe ndryshime në politikën e jashtme.

Megjithatë, duke qenë se programi i listës studentore përjashton vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, autorët presin që një pjesë e presionit perëndimor të zhvendoset drejt çështjeve që lidhen me Kinën, si siguria e rrjeteve të telekomunikacionit, sistemet e mbikëqyrjes, kontrolli i investimeve të huaja dhe transparenca e prokurimit publik.

Në këtë mënyrë, sipas analizës, Kina mund të përballet me një pjesë të kostos politike që Serbia nuk është e gatshme ta paguajë përmes sanksioneve ndaj Moskës.

Sa i përket Rusisë, ekspertët vlerësojnë se ndikimi i saj në politikën e brendshme serbe është më i madh se ai i Kinës, për shkak të varësisë energjetike, lidhjeve me Kishën, mediave dhe një pjese të elektoratit. Ndërsa Kina e ushtron ndikimin kryesisht përmes kapitalit dhe institucioneve shtetërore, Rusia ka më shumë mjete për të ndikuar drejtpërdrejt në politikën e brendshme.

Për këtë arsye, autorët konsiderojnë se normalizimi i marrëdhënieve me Kinën mund të jetë më i lehtë për qeverinë e re sesa ndryshimi i marrëdhënieve me Rusinë.

Çfarë pritet deri në fund të vitit 2027?

Në pjesën përfundimtare të analizës, Stekiq dhe Vladisavljev paraqesin disa skenarë për marrëdhëniet e ardhshme të Serbisë me Kinën, deri në fund të vitit 2027.

Sipas tyre, ndërprerja e plotë e marrëdhënieve ose një kthesë e Serbisë drejt Perëndimit në kurriz të Kinës nuk është skenar realist në këtë periudhë, pasi mungojnë si baza programore, ashtu edhe mbështetja e nevojshme shoqërore.

Skenari që ata e konsiderojnë më të mundshëm është ruajtja e partneritetit strategjik me Kinën, por me kushte më të forta, më shumë transparencë dhe kontroll institucional.

Një faktor përcaktues do të jetë edhe hetimi për shembjen e tendës në Novi Sad. Nëse procesi gjyqësor konstaton përgjegjësi të kompanive kineze dhe Pekini e interpreton këtë si çështje politike, marrëdhëniet mund të përballen me tensione. Në të kundërtën, nëse Kina e pranon procesin ligjor, partneriteti mund të dalë nga kjo krizë më i qëndrueshëm.

Në përfundim, autorët theksojnë se Serbia pas Vuçiqit nuk pritet të ndërrojë krahun gjeopolitik, por mënyrën se si i zhvillon marrëdhëniet me palët e ndryshme.

“Lista studentore ka marrë përsipër katër shtyllat e politikës së jashtme, por refuzon praktikën e personalizuar dhe jotransparente mbi të cilën ato janë mbështetur”, përfundojnë ekspertët.

The GeoPost

Tags: Kina Serbia

Continue Reading

Previous: Kusovac ia kujton kryeministrit malazez se Kosova është shtet

Kusovac ia kujton kryeministrit malazez se Kosova është shtet 1 min read
  • Ballkan
  • News

Kusovac ia kujton kryeministrit malazez se Kosova është shtet

The Geopost October 30, 2026
FSK-ja pranon 12 kamionë të rinj ushtarakë, flota logjistike arrin në 35 automjete 2 min read
  • Ballkan
  • News

FSK-ja pranon 12 kamionë të rinj ushtarakë, flota logjistike arrin në 35 automjete

The Geopost October 30, 2026
Stradner: Fitorja e studentëve nuk garanton shkëputjen e Serbisë nga ndikimi rus 4 min read
  • Ballkan

Stradner: Fitorja e studentëve nuk garanton shkëputjen e Serbisë nga ndikimi rus

The Geopost October 30, 2026
“Diçka e pazakontë po ndodh natën”: Dyshime për shkatërrimin e dokumenteve në institucione në Serbi dhe Kosovë 7 min read
  • Ballkan

“Diçka e pazakontë po ndodh natën”: Dyshime për shkatërrimin e dokumenteve në institucione në Serbi dhe Kosovë

The Geopost October 29, 2026
Ish-deputeti serb kërkon dorëheqjen e Petar Petkoviqit dhe hetim për paratë e destinuara për serbët në Kosovë 3 min read
  • Ballkan

Ish-deputeti serb kërkon dorëheqjen e Petar Petkoviqit dhe hetim për paratë e destinuara për serbët në Kosovë

The Geopost October 29, 2026
Lista Studentore kërkon dorëheqjen e krerëve të policisë, shërbimeve sekrete dhe gjyqësorit në Serbi 4 min read
  • Ballkan

Lista Studentore kërkon dorëheqjen e krerëve të policisë, shërbimeve sekrete dhe gjyqësorit në Serbi

The Geopost October 29, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.