Ministri i Jashtëm i Federatës Ruse, Sergej Lavrov, vazhdon të trajtojë Ballkanin në deklaratat që jep për media. Në intervistën e fundit për agjencinë ruse të lajmeve TASS, ai thotë se Perëndimi i manipulon qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, duke i kthyer kundër Rusisë. Sipas tij, ka një ndryshim të madh midis asaj që “malazezët dhe maqedonasit ndiejnë për Rusinë” dhe asaj që “politikanët e tyre i detyron Brukseli ta bëjnë”. “Kjo është një përpjekje për t’i kthyer ato në një ‘mjet’ në lojën anti-ruse”, ka thënë Lavrov.
Në vitin 2016, kur në Maqedoni të Veriut pritej të vinte në pushtet një strukturë politike që do të zgjidhte çështjen e emrit me Greqinë që të bëhej anëtare e NATO-s, Lavrov i paralajmëroi autoritetet e shtetit të vogël të Ballkanit se me integrimin në Aleancë vendi po bëhej “target legjitim i Rusisë”.
Skena të ngjashme që përcollën integrimin në NATO duket se do të shihen edhe gjatë ecjes së vendit drejt BE-së. Struktura të Rusisë atëkohë vepronin nga Serbia, por edhe nga Bullgaria.
Në këtë kontekst, pse Rusia është aq e interesuar për marrëdhëniet e tensionuara Shkup-Sofje? A e sheh Moska Bullgarinë si një lojtar më të sigurt në Ballkan sesa Serbinë?
Përveç se në krijimin e Bullgarisë së Shën Stefanit në vitin 1878, përgjigjja mund të gjendet edhe në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore (LDB).
Një dokument sekret i shërbimit inteligjent amerikan CIA, që daton nga 17 shkurti 1950, pra vetëm pesë vite pas përfundimit të LDB, dëshmon se zanafillën e problemit midis Bullgarisë dhe Jugosllavisë së asaj kohe, ku si republikë e gjashtë ishte edhe Maqedonia. Pra është dokument i parë i shërbimit amerikan në këtë temë, e cila do të vazhdojë që monitorohet dhe raportohet në detaje në dekadat e mëpasshme.
Në fillim të raportit shënohet se çështja e Maqedonisë ka filluar të jetë temë parësore për tërë qeverinë komuniste të Jugosllavisë së Titos për shkak të pikëpamjeve të tij të ndryshme me Bashkimin Sovjetik në këtë temë. Bashkimi Sovjetik ka dashur të krijojë një “Republikë Maqedonase”, e cila do të përfshinte edhe pjesën e Pirinit në Bullgari dhe atë të Egjeut në Greqi. Me një fjalë, të jetësojë atë që njihet si projekt folklorik, apo ëndërr, për “Maqedoninë e Madhe”, e cila do të përfshinte kufijtë e këtij vendi para Marrëveshjes së Bukureshtit të vitit 1913, e cila i dha fund Luftës së Dytë Ballkanike midis Serbisë, Greqisë, Malit të Zi dhe Rumanisë, në njërën anë, dhe Bullgarisë, në anën tjetër. Sipas planit Sovjetik, kjo republikë nuk do të ishte pjesë e Jugosllavisë, por e Bullgarisë.
Sipas dokumentit të CIA-s, aneksimi i Maqedonisë së Veriut dhe bashkëngjitja e kësaj republike me Bullgarinë do të ndihmonte Partinë Komuniste Bullgare që të fitojë simpatinë e popullit. Komunistët bullgarë nuk gëzonin aq shumë mbështetje në masë në atë periudhë për shkak të rolit të vogël që kishin luajtur në luftën anti-fashiste, andaj ishin fuqizuar dhe ngjitur në pushtet me ndihmën e Sovjetikëve. Qëllimi i Bashkimit Sovjetik nuk ndalej në Bullgari – Moska planifikonte të fuqizojë komunistët edhe në Itali, që më pastaj t’ua kthejë rajonin e Triestes, të marrë poashtu nga Jugosllavia. I gjithë ky projekt sovjetik nuk kishte për qëllim forcimin e ideologjive kombëtare, por asaj ideologjike komuniste. Andaj Tito i është kundërvënë kësaj politike duke forcuar ndjenjat nacionaliste të maqedonasve etnikë në këtë republikë. Paralelisht është bërë edhe nacionalizimi i pronës, si masë për të ngushtuar terrenin e ndikimit të Moskës.
Nga ana tjetër, në dokument thuhet se Partia Komuniste Maqedonase ka qenë më shumë në favor të projektit sovjetik dhe për këtë ka përgatitur një Rezolutë. Edhe pjesa më e madhe e popullit maqedonas, poashtu. Duke u bashkuar me Bullgarinë kanë menduar se do ta fitojnë republikën e tërësuar maqedonase. Madje, Parlamenti Popullor i Maqedonisë ka qenë i gatshëm të votojë shkëputje nga federata jugosllave dhe t’i bashkohet Bullgarisë. Por, kanë vlerësuar se është herët pasi Tito dhe Komunistët Jugosllavë ende kanë qenë të fuqishëm. Epilogu i gjithë kësaj ka qenë shkarkimi dhe gjykimi i shumë ministrave dhe funksionarëve komunistë, një pjesë e së cilëve kanë ikur në Bullgari. Gati të gjithë që kanë përkrahur Rezolutën kanë qenë të arrestuar. Nga këtu nis edhe ndarja e njerëzve në Maqedoni në pro-serb dhe pro-bullgarë. Në dokument thuhet se më shumë komunistë maqedonas kanë qenë pro-bullgarë sesa pro-serbë, më shumë nacionalistë sesa komunistë apo proletarë. Lidhjet e tyre me Sofjen kanë qenë më të fuqishme sesa me Beogradin. Me këtë, Maqedonia është bërë një ëndërr e keqe për Titon pasi e para ka shfaqur tendenca separatiste. Njerëzit e kësaj rapublike kanë dashur të krijojnë “Maqedoninë e Madhe” që do të ishte pjesë e Federatës Ballkanike. Raporti i CIA-s thotë se, ndërkohë që intelektualët maqedonas kanë qenë të lidhur me Bullgarinë dhe Bashkimin Sovjetik, pjesa më e madhe e maqedonasve të thjeshtë e kanë dashur Amerikën. Pjesa më e madhe e tyre kanë pasur dëshirë të emigrojnë në SHBA, kurse shtëpitë e reja të pjesës më të madhe të tyre kanë qenë të ndërtuar nga paratë e dërguara nga të afërmit e tyre që kanë emigruar të punojnë dhe fitojnë në tokën amerikane.
Nëse i rikthehemi aktualitetit, mund të themi se Moska vazhdon mbështesë projektin e vjetër nëpërmjet ushtrimit të ndikimit në partitë që dolën nga komunistët bullgarë, siç është BSP e presidentit Rumen Radev. Ka edhe aktorë tjerë në Sofje që janë të joshur nga Rusia pikërisht me këtë ofertë – rikthimin e Maqedonisë së Veriut në zonën e ndikimit bullgar. Maqedonasit etnikë, ndërkaq, sot janë më anti-bullgarë se kurrë më parë. Pjesa më e madhe e anketave tregon se Serbia perceptohet si vendi më mik i tyre. Ajo që ndryshon pikturën sot në krahasim me vitin 1950 është fakti se edhe Bullgaria edhe Maqedonia e Veriut janë pjesë e NATO-s. Ky fakt ngushton edhe më shumë hapësirën e penetrimit rus, edhe pse i njëjti vazhdon të jetë i fuqishëm në të dyja vendet.
Shkruan: Xhelal Neziri – bashkëpunëtor i The Geopost nga Maqedonia e Veriut