Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Botë
  • Lajme

SHBA kërkon ekstradimin e hakerit iranian të arrestuar në Mal të Zi

The Geopost August 6, 2026 4 min read
Share the news

Ministria e Drejtësisë e Malit të Zi ka pranuar më 15 korrik kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ekstradimin e shtetasit iranian Amir Barati, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë (REL) kjo ministri.

Barati ndodhet në paraburgim ekstradimi pasi u arrestua më 25 qershor në Kotor, në një operacion të policisë malazeze të zhvilluar në bashkëpunim me Byronë Federale të Hetimeve të SHBA-së (FBI).

Avokatja e tij, Milena Knežević, kishte konfirmuar më herët për REL se Barati ndodhet në paraburgim ekstradimi, ndërsa Ambasada e SHBA-së në Podgoricë deklaroi se nuk mund të komentojë detajet e rastit.

Autoritetet amerikane e akuzojnë Baratin për pjesëmarrje në sulme të organizuara kibernetike kundër të paktën 150 universiteteve amerikane, vjedhje të të dhënave konfidenciale dhe pronës intelektuale, duke shkaktuar dëme të vlerësuara në më shumë se 3.4 miliardë dollarë. Sipas aktakuzës, sulmet janë kryer në dobi të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC).

Sipas avokates së tij, Barati nuk është shtetas i Malit të Zi dhe nuk ka leje qëndrimi të përkohshme apo të përhershme në këtë vend.

Policia malazeze ka bërë të ditur se Barati ka shtetësi iraniane dhe turke.

Lidhja me rastin “Grupi Mabna”

Edhe pse emri i Amir Baratit nuk figuron në aktakuzën publike amerikane kundër të ashtuquajturit “Grupi Mabna” nga viti 2018, të dhënat e publikuara nga policia malazeze përputhen pothuajse plotësisht me elementet e atij rasti.

Në aktakuzën kundër Institutit Mabna në Teheran dhe nëntë shtetasve iranianë thuhet se, në emër të Gardës Revolucionare Islamike, ata kanë kryer sulme kibernetike ndaj më shumë se 320 universiteteve në mbarë botën, prej të cilave rreth 144 në Shtetet e Bashkuara.

Prokuroria amerikane vlerësoi se dëmi i shkaktuar arrinte në rreth 3.4 miliardë dollarë – e njëjta shumë që përmendet edhe në rastin e Baratit.

Asnjë nga nëntë shtetasit iranianë të akuzuar në atë rast nuk është arrestuar apo sjellë para drejtësisë amerikane.

Si zhvillohet procedura e ekstradimit?

Sipas Ligjit për Ndihmën Juridike Ndërkombëtare në Çështjet Penale, të miratuar në vitin 2026, paraburgimi për ekstradim mund të zgjasë deri në marrjen e vendimit përfundimtar për ekstradimin, ndërsa më parë kishte afat të kufizuar.

Shteti që kërkon ekstradimin, në këtë rast SHBA-ja, ka afat prej 40 ditësh për të dorëzuar kërkesën formale. Nëse kjo nuk bëhet brenda afatit, paraburgimi hiqet.

Pas pranimit të kërkesës, Ministria e Drejtësisë e Malit të Zi ia dërgon dokumentacionin gjykatës kompetente, e cila më pas ia përcjell mbrojtjes.

Gjykata cakton një seancë ku shqyrton nëse janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për ekstradim, përfshirë çështjen e shtetësisë, rrezikun e përndjekjes politike, fetare ose racore, shkeljet e mundshme të të drejtave të njeriut, si dhe rrezikun e dënimit me vdekje.

Vendimin e shkallës së parë e merr një trup gjykues prej tre gjyqtarësh, pas mendimit të gjyqtarit të hetimeve. Më pas lënda i dërgohet automatikisht Gjykatës së Apelit.

Nëse gjykata konstaton se nuk ekzistojnë kushtet për ekstradim, personi lirohet. Në të kundërtën, procedura vazhdon përmes procesit të ankesës.

Vendimin përfundimtar, pas vendimit të formës së prerë të gjykatës, e merr ministri i Drejtësisë i Malit të Zi.

Paralelisht me procedurën e ekstradimit mund të paraqitet edhe kërkesë për azil, e cila e shtyn ekstradimin deri në marrjen e vendimit për mbrojtje ndërkombëtare. Nëse azili miratohet, ekstradimi nuk mund të realizohet.

Kundër vendimit të Gjykatës së Apelit mund të paraqitet ankesë kushtetuese në Gjykatën Kushtetuese të Malit të Zi. Edhe pse kjo ankesë nuk e pezullon automatikisht ekstradimin, praktika gjyqësore tregon se në raste të caktuara Gjykata Kushtetuese mund ta pezullojë përkohësisht ekzekutimin e tij deri në shqyrtimin e ankesës.

Bashkëpunimi mes Malit të Zi dhe SHBA-së

Mali i Zi dhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë një marrëveshje dypalëshe për ekstradimin, por gjatë viteve të fundit kanë zhvilluar një praktikë të ngushtë bashkëpunimi në procedurat e ekstradimit.

Një nga rastet më të njohura është ai i shtetasit koreano-jugor Do Kwon, i cili u arrestua në Mal të Zi në mars të vitit 2023 dhe, pas një procesi të gjatë gjyqësor dhe vendimit përfundimtar të ministrit të Drejtësisë, u ekstradua në Shtetet e Bashkuara në dhjetor të vitit 2024.

Continue Reading

Previous: Hulumtimi i IRI: Serbët favorizojnë marrëdhënie më të ngushta me Rusinë, pasuar nga Kina

Hulumtimi i IRI: Serbët favorizojnë marrëdhënie më të ngushta me Rusinë, pasuar nga Kina 3 min read
  • Analiza
  • Lajme

Hulumtimi i IRI: Serbët favorizojnë marrëdhënie më të ngushta me Rusinë, pasuar nga Kina

The Geopost August 6, 2026
Raporti britanik: AI tentoi të mashtronte njerëz dhe të fshihte gjurmët e saj 4 min read
  • Analiza
  • Lajme

Raporti britanik: AI tentoi të mashtronte njerëz dhe të fshihte gjurmët e saj

The Geopost August 6, 2026
Roboti për çaktivizimin e bombave u dërgua pas zbulimit të dronit me eksploziv në aeroportin gjerman 5 min read
  • Botë
  • Lajme

Roboti për çaktivizimin e bombave u dërgua pas zbulimit të dronit me eksploziv në aeroportin gjerman

The Geopost August 6, 2026
Avionët polakë interceptojnë avionin rus të zbulimit mbi Baltik, Varshava: Rusia po teston gatishmërinë e NATO-s 3 min read
  • Analiza
  • Botë
  • Lajme

Avionët polakë interceptojnë avionin rus të zbulimit mbi Baltik, Varshava: Rusia po teston gatishmërinë e NATO-s

The Geopost August 6, 2026
Pa koordinim me autoritet lokale, grup i armatosur nga Republika Srpska hyri në Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës gjatë vizitës së Vuçiqit 3 min read
  • Analiza
  • Lajme

Pa koordinim me autoritet lokale, grup i armatosur nga Republika Srpska hyri në Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës gjatë vizitës së Vuçiqit

The Geopost August 5, 2026
Vrajolli: Deklaratat nacionaliste serbe nuk janë rastësi, “bota serbe” synon ndikim në rajon – nevojitet strategji e fuqishme përballë luftës hibride 1 min read
  • Analiza
  • Lajme

Vrajolli: Deklaratat nacionaliste serbe nuk janë rastësi, “bota serbe” synon ndikim në rajon – nevojitet strategji e fuqishme përballë luftës hibride

The Geopost August 5, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.