Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Botë

Rusia shkurton fondet për shëndetësinë, ndërsa rrit shpenzimet ushtarake për vitin 2027

The Geopost November 4, 2026 6 min read
Share the news

Shërbimet shëndetësore në disa rajone të Rusisë po përballen me mungesë personeli, vështirësi në sigurimin e barnave dhe kufizim të qasjes në trajtim mjekësor, ndërsa qeveria ruse planifikon të ulë financimin për disa programe shëndetësore federale në vitin 2027.

Sipas një analize të Radios Evropa e Lirë, këto probleme mund të thellohen pas shkurtimeve të propozuara në buxhetin federal, në një kohë kur Moska po planifikon rritjen e ndjeshme të shpenzimeve ushtarake për shkak të luftës së vazhdueshme në Ukrainë.

Pasojat e mungesës së investimeve në shëndetësi janë veçanërisht të dukshme në zonat rurale, ku banorët përballen me mungesë mjekësh specialistë dhe shërbime të kufizuara emergjente.

Një rast i tillë është regjistruar në rajonin e Jaroslavlit, në verilindje të Moskës, ku një grua e identifikuar me emrin Vera ka humbur nënën, pasi ambulancës iu deshën 50 minuta për të mbërritur, ndërsa ajo ishte rrëzuar në pritje të vizitës te një kirurg.

Sipas Verës, në klinikën lokale nuk kishte personel dhe pajisje të mjaftueshme për të ofruar ndihmën e parë. Ajo tha se stafi nuk kishte mundësi as t’i administronte një injeksion adrenaline nënës së saj.

Fshati ku jeton familja dhe vendbanimet përreth janë zgjeruar, por stacioni shëndetësor vazhdon të funksionojë vetëm me një ndihmës mjekësor, i cili u shërben njëkohësisht të rriturve dhe fëmijëve. Në këtë zonë nuk ka pediatër, ndërsa për kujdes të specializuar familjet detyrohen të udhëtojnë drejt qytetit të Jaroslavlit ose të paguajnë për shërbime private.

Shkurtime në shëndetësi, rritje e buxhetit ushtarak

Financimi për iniciativën kombëtare ruse “Jetë e Gjatë dhe Aktive”, e cila përfshin 11 programe federale të shëndetësisë, pritet të ulet nga 181 miliardë rubla, rreth 2.2 miliardë dollarë, në vitin 2026, në 146 miliardë rubla, afërsisht 1.8 miliardë dollarë, në vitin 2027.

Programet përfshijnë kujdesin shëndetësor parësor, trajtimin e sëmundjeve kardiovaskulare dhe kancerit, diabetin, shërbimet emergjente, rehabilitimin dhe përgatitjen e personelit mjekësor.

Në të njëjtën kohë, Moska planifikon të rrisë ndjeshëm shpenzimet për ushtrinë. Sipas dokumenteve buxhetore të siguruara nga Reuters, shpenzimet ushtarake në vitin 2027 pritet të arrijnë në 17.1 trilionë rubla, rreth 211 miliardë dollarë.

Kjo përfaqëson një rritje prej 27 për qind krahasuar me ndarjen e rishikuar prej 13.5 trilionë rublash për vitin 2026.

Qeveria ruse argumenton se rritja e financimit përmes sistemit të sigurimit të detyrueshëm mjekësor do të kompensojë një pjesë të shkurtimeve federale. Megjithatë, organizatat që mbrojnë të drejtat e pacientëve paralajmërojnë se ky ndryshim mund të krijojë boshllëqe në financim, veçanërisht në rajonet më të varfra.

Mungesë barnash dhe vështirësi për pacientët

Problemet nuk kufizohen vetëm në mungesën e personelit mjekësor. Në rajonin e Jaroslavlit, një tjetër banore e identifikuar si Marina ka treguar vështirësitë që ka përjetuar për të siguruar morfinë për babanë e saj, i cili ishte në fazën terminale të sëmundjes.

Për të marrë recetat dhe barnat, të cilat shpërndaheshin vetëm për periudha tri-ditore, ajo detyrohej të udhëtonte ndërmjet disa qendrave mjekësore.

“Isha në orën 6:45 të mëngjesit, prisja në radhë për të marrë një vulë, pastaj nxitoja në një qytet tjetër për të marrë një vulë tjetër dhe për të marrë ilaçin. Kthehesha në shtëpi në orën 5 të mbrëmjes”, tregoi ajo për Radion Evropa e Lirë.

Nëna e saj gjithashtu kishte vështirësi në menaxhimin e diabetit, për shkak të mungesës së një endokrinologu në zonë. Për problemet më serioze shëndetësore, familja detyrohej të mbështetej te mjekët privatë.

Situata të ngjashme janë raportuar edhe në rajone të tjera të Rusisë.

Në rajonin e Pskovit, në veriperëndim të vendit, një nënë tregoi se djali i saj dyvjeçar nuk kishte arritur të merrte trajtim mjekësor edhe pas kontaktimit të disa institucioneve shëndetësore, pasi kishte lënduar syrin.

Spitali i kishte orientuar drejt një klinike për fëmijë, ku mjeku deklaroi se nuk ishte specialist i oftalmologjisë. Shërbimet emergjente sugjeruan kërkimin e një mjeku privat, ndërsa edhe një qendër traumatologjike refuzoi ta trajtonte fëmijën.

Sipas nënës, deri në ditën e dytë fëmija ende nuk kishte marrë ndihmën e nevojshme.

Probleme janë paraqitur edhe në shërbimet e maternitetit. Në rajonin e Vladimirit, planet për të ndërprerë lindjet rutinë në një spital të qytetit Kolchugino kanë shkaktuar kundërshtime nga banorët.

Sipas planit, gratë shtatzëna do të duhet të udhëtojnë rreth 80 kilometra deri në qytetin e Vladimirit për të lindur. Banorët kanë protestuar kundër këtij vendimi dhe i janë drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë.

Financimi i trajtimit të kancerit pëson rënie të madhe

Një nga shkurtimet më të theksuara lidhet me programin federal për trajtimin e kancerit.

Financimi i këtij programi për vitin 2026, i cili fillimisht ishte paraparë të arrinte në 144.9 miliardë rubla, më vonë u reduktua në 44.9 miliardë rubla. Ndërsa projektbuxheti për vitin 2027 parasheh vetëm 3.87 miliardë rubla.

Ministria ruse e Shëndetësisë ka deklaruar se kjo ulje nuk nënkupton tërheqje të mbështetjes për pacientët, por ndryshim të mënyrës së financimit. Sipas saj, pjesa më e madhe e trajtimeve onkologjike tashmë mbulohet përmes sigurimit të detyrueshëm mjekësor.

Megjithatë, në një diskutim të mbajtur më 13 tetor në Këshillin e Federatës, dhomën e lartë të parlamentit rus, pjesëmarrësit ngritën shqetësime për mungesën e onkologëve dhe barnave.

Sipas të dhënave të paraqitura në këtë diskutim, disa rajone dispononin vetëm pesë deri në shtatë nga 35 deri në 40 barnat kundër kancerit të rekomanduara për trajtim.

Më 15 tetor, ministri i Shëndetësisë, Mikhail Murashko, njoftoi se për vitin 2027 do të ndahen edhe gjashtë miliardë rubla shtesë për barna.

Ai bëri të ditur gjithashtu se 113 miliardë rubla janë paraparë për furnizimin rajonal me barna dhe 285 miliardë rubla për blerjet e centralizuara, duke siguruar se programet ekzistuese do të vazhdojnë.

Por shqetësimet për kapacitetet e sistemit shëndetësor janë ngritur edhe brenda institucioneve shtetërore.

Më 29 tetor, gjatë shqyrtimit të parë të projektbuxhetit për Fondin Federal të Sigurimit të Detyrueshëm Mjekësor, kryetari i Komitetit të Buxhetit në Dhomën e Ulët të parlamentit, Andrei Makarov, përmendi shterimin e kuotave për trajtime, pritjet e gjata për shërbime të specializuara, mungesën e personelit dhe vështirësitë në transportimin e pacientëve nga rajonet drejt qendrave federale mjekësore.

Ndërkohë, në qytetin siberian të Krasnoyarskut, autoritetet rajonale planifikojnë të mbyllin dy maternitete deri në mesin e janarit, duke përmendur rënien e numrit të lindjeve dhe gjendjen e ndërtesave.

Vendimi ka shkaktuar shqetësim te banorët, veçanërisht te gratë që kanë zgjedhur këto institucione për shkak të mundësisë së qasjes në specialistë në rast të komplikimeve gjatë lindjes.

Një nënë e tre fëmijëve, e cila kishte lindur në njërin prej këtyre materniteteve, tha se ishte e tronditur nga vendimi për mbylljen e tij.

Rastet e raportuara në rajone të ndryshme të Rusisë tregojnë se problemet e sistemit shëndetësor nuk lidhen vetëm me nivelin e financimit, por edhe me shpërndarjen e pabarabartë të shërbimeve, mungesën e specialistëve dhe vështirësitë në furnizimin me barna.

Ndërsa qeveria ruse premton se do të kompensojë një pjesë të shkurtimeve përmes mekanizmave të tjerë financiarë, rritja e planifikuar e buxhetit ushtarak ngre pikëpyetje për prioritetet e shpenzimeve publike në një kohë kur shumë qytetarë përballen me vështirësi për të marrë edhe shërbimet bazë shëndetësore.

The GeoPost

Tags: Rusia Vladimir Putin

Continue Reading

Previous: Putini po nxiton ta detyrojë Ukrainën të pranojë një marrëveshje të pafavorshme para ndryshimit të Kongresit
Next: Demokratët marrin kontrollin e Kongresit

Demokratët marrin kontrollin e Kongresit 4 min read
  • Botë

Demokratët marrin kontrollin e Kongresit

The Geopost November 4, 2026
Putini po nxiton ta detyrojë Ukrainën të pranojë një marrëveshje të pafavorshme para ndryshimit të Kongresit 4 min read
  • Botë

Putini po nxiton ta detyrojë Ukrainën të pranojë një marrëveshje të pafavorshme para ndryshimit të Kongresit

The Geopost November 3, 2026
Ushtarët britanikë do të mund t’u kundërpërgjigjen forcave ruse nëse sulmohen gjatë misionit në Ukrainë 3 min read
  • Botë

Ushtarët britanikë do të mund t’u kundërpërgjigjen forcave ruse nëse sulmohen gjatë misionit në Ukrainë

The Geopost November 3, 2026
Polonia krijon një brigadë të posaçme ushtarake për mbrojtjen e kufirit me Kaliningradin rus 2 min read
  • Botë

Polonia krijon një brigadë të posaçme ushtarake për mbrojtjen e kufirit me Kaliningradin rus

The Geopost November 3, 2026
Ukraina do të investojë deri në 1 miliard euro nga huaja e BE-së në projekte të përbashkëta të mbrojtjes 3 min read
  • Botë

Ukraina do të investojë deri në 1 miliard euro nga huaja e BE-së në projekte të përbashkëta të mbrojtjes

The Geopost November 3, 2026
Hakerët mund të kontrollojnë frigoriferët e supermarketeve nga larg, 13 mijë sisteme të ekspozuara në 99 shtete 4 min read
  • Botë

Hakerët mund të kontrollojnë frigoriferët e supermarketeve nga larg, 13 mijë sisteme të ekspozuara në 99 shtete

The Geopost November 3, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.