Trupat britanike dhe forcat e vendeve të tjera evropiane do të kenë të drejtë të kundërpërgjigjen me zjarr në rast se sulmohen nga Rusia, nëse vendosen në Ukrainë si pjesë e një misioni paqeruajtës pas arritjes së një armëpushimi.
Sipas zyrtarëve perëndimorë, forca shumëkombëshe e udhëhequr nga Mbretëria e Bashkuar dhe Franca do të ketë mandat mbrojtës, por rregullat e angazhimit do t’i lejojnë asaj të mbrohet nga çdo agresion rus, përfshirë sulmet me dronë.
“Është e qartë se ne do t’i mbrojmë forcat tona nga çdo agresion”, ka deklaruar një zyrtar i njohur me planet, duke theksuar se prania e trupave perëndimore në Ukrainë do të kishte karakter mbrojtës.
Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca kanë nisur përgatitjet për stërvitjen ushtarake “Koalicja”, e cila do të mbahet më vonë gjatë këtij muaji në Poloni. Ushtrimi, ku do të marrin pjesë 11 shtete, synon të testojë aftësinë e ushtrive evropiane për t’u dislokuar me shpejtësi në Ukrainë në rast të përfundimit të luftës.
Në stërvitje do të angazhohen rreth 2 mijë e 800 ushtarë, marinarë dhe pjesëtarë të forcave ajrore. Franca do të kontribuojë me 1 mijë e 500 trupa nga Divizioni i Parë, ndërsa Britania me 300 ushtarë nga Brigada e Shtatë e Mekanizuar e Lehtë.
Pjesë e këtij ushtrimi do të jenë edhe Polonia, Gjermania, Belgjika, Estonia, Lituania, Holanda, Spanja, Suedia dhe Turqia.
Komandanti i forcës, gjenerali britanik Tom Bateman, ka deklaruar se Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe partnerët e tjerë evropianë janë të përkushtuar për të ofruar garanci të forta dhe detyruese të sigurisë për Ukrainën pas përfundimit të armiqësive.
Sipas tij, stërvitja synon të dëshmojë gatishmërinë ushtarake të vendeve pjesëmarrëse, aftësinë për dislokim të shpejtë dhe kapacitetin për të vepruar në mënyrë efektive në terren.
Një element i rëndësishëm i planit është edhe fakti se forca do të funksionojë jashtë strukturave të NATO-s dhe pritet të jetë pothuajse tërësisht evropiane, pa mbështetje të konsiderueshme ushtarake amerikane.
Zyrtarët perëndimorë kanë bërë të ditur se misioni nuk do të varet nga sistemet dhe teknologjia amerikane, përfshirë rrjetin satelitor Starlink të kompanisë së Elon Musk.
“Ne nuk jemi të varur nga sistemet amerikane”, ka deklaruar një zyrtar, duke iu referuar komunikimeve dhe teknologjisë që do të përdoret nga forca shumëkombëshe.
Kjo qasje vjen në një kohë kur janë shtuar shqetësimet për besueshmërinë e mbështetjes amerikane për aleatët evropianë dhe Ukrainën. Muajin e kaluar, SHBA-ja kufizoi për rreth dhjetë ditë përdorimin nga Ukraina të versionit ushtarak të Starlink, të njohur si Starshield, veprim që ndikoi në operacionet me dronë me rreze të mesme veprimi.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se SHBA-ja nuk do të angazhojë trupa për ruajtjen e paqes në Ukrainë, edhe në rast të arritjes së një armëpushimi të qëndrueshëm.
Vendosja e mundshme e forcave evropiane mbetet hipotetike, pasi ende nuk është arritur një marrëveshje për përfundimin e luftës. Për më tepër, ekziston shqetësimi se Rusia mund të shkelë një armëpushim, duke pasur parasysh incidentet dhe sulmet e nivelit të ulët që janë regjistruar gjatë periudhës 2014–2022 në Ukrainë.
Një nga detyrat kryesore të forcës evropiane do të jetë ndihma në rindërtimin dhe forcimin e ushtrisë ukrainase pas luftës. Trupat perëndimore pritet të vendosen larg vijës së frontit, ndërsa avionët luftarakë do të mund të angazhohen në patrullime ajrore për të ndihmuar në rihapjen e aeroporteve civile të Ukrainës.
Planet përfshijnë gjithashtu pastrimin e minave në Detin e Zi, me synimin për të mundësuar rifillimin e eksporteve të drithërave dhe aktiviteteve të tjera tregtare detare. Ky operacion pritet të udhëhiqet nga Turqia.
Megjithatë, mundësia që trupat evropiane të përballen drejtpërdrejt me forcat ruse ngre pikëpyetje për pasojat që mund të ketë një incident i armatosur mes tyre dhe Moskës, veçanërisht nëse misioni paqeruajtës shndërrohet në një përballje ushtarake.
The GeoPost

Putini po nxiton ta detyrojë Ukrainën të pranojë një marrëveshje të pafavorshme para ndryshimit të Kongresit
Polonia krijon një brigadë të posaçme ushtarake për mbrojtjen e kufirit me Kaliningradin rus
Ukraina do të investojë deri në 1 miliard euro nga huaja e BE-së në projekte të përbashkëta të mbrojtjes
Hakerët mund të kontrollojnë frigoriferët e supermarketeve nga larg, 13 mijë sisteme të ekspozuara në 99 shtete
Zelensky: Ukraina çliroi më shumë territor sesa humbi gjatë tetorit, Rusia pësoi mbi 54 mijë humbje
SHBA-ja reagon pasi Kina dhe Rusia thellojnë bashkëpunimin në Arktik