
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, mbrëmë bëri thirrje për solidaritet nëpërmjet një video-mesazhi që u transmetua në kryeqytete evropiane dhe bëri bashkë mijëra njerëz.
Fjalimi i Zelenskyt, i cili erdhi pak më shumë se një javë që Rusia nisi pushimin e saj të Ukrainës, tha se nëse Ukraina bie, “Europa nuk do të qëndrojë”.
“Nëse ne do të biem, ju do të bini, kështu që ju lutemi mos heshtni, mos i mbyllni sytë për këtë”, shoti ai.
“Nëse fitojmë dhe jam i sigurt se do të fitojmë, kjo do të jetë fitorja për të gjithë botën demokratike. Kjo do të jetë fitorja e lirisë sonë. Kjo do të jetë fitorja e dritës mbi errësirën, e lirisë mbi skllavërinë” tha Zelensky.
Zelensky gjithashtu bëri homazhe për ata që kanë vdekur me një moment heshtje.
“Ata që po bëjnë vepra heroike në zona të ndryshme duke mbrojtur vendin e tyre dhe kanë dhënë jetën për këtë”.
“Ata po mbrojnë Evropën tuaj dhe po përshëndesin njëri-tjetrin, duke i uruar njëri-tjetrit shëndet të mirë…kjo është zemra jonë, kjo është zemra e Ukrainës, duke qëndruar së bashku kundër të keqes”, shtoi Zelensky.
Fjalimi u transmetua nëpërmjet “Zoom” në qytete në të gjithë Europën, duke përfshirë Bratislavën, Frankfurtin, Pragën, Lionin, Tbilisin, Vjenën dhe Vilniusin, sipas CNN.
Ndërkohë Rusia pas Facebook, ka bllokuar aksesin edhe në Twitter.
Lëvizja e Rusisë për të bllokuar Facebook-un dhe Twitter-in, vjen pasi qeveria ka nënshkruar një dekret që do të dënojë deri në 15 vjet burg personat që përhapin lajme të rreme për luftën.
Projektligji, i miratuar nga të dyja dhomat e parlamentit të kontrolluar nga Kremlini dhe nënshkruar nga Putin, vendos dënime me burg deri në 15 vjet për ata që përhapin informacione që bien ndesh me narrativën e qeverisë ruse për luftën.
Nga Shtëpia e Bardhë kanë thënë se janë “thellësisht të shqetësuar” për përpjekjet e Rusisë për të mbytur informacionin për qytetarët e saj.
“Kjo është pjesë e përpjekjes së tyre … për të ndërprerë një sërë informacionesh nga publiku i tyre,” u tha gazetarëve zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki.