
Në orët e para të së shtunës, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy publikoi një video-adresë në të cilën i tha Moskës se tani ishte koha për bisedime urgjente të paqes, duke paralajmëruar se humbjet ruse përndryshe do të jenë aq të mëdha sa do të duhen breza për t’u rikuperuar, shkruan The Guardian.
Këtu janë disa nga pikat kryesore nga fjalimi i tij:
Rusia ka vazhduar të bllokojë furnizimin me ndihma për qytetet e rrethuara “në shumicën e zonave”
Zelenskiy tha se të premten kishte shtatë korridore humanitare në Ukrainë. Gjashtë në rajonin Sumyit, një në rajonin e Donetskut.
Më shumë se 9,000 njerëz u evakuuan nga Mariupoli i rrethuar, tha ai, dhe qindra ton produkte thelbësore u dorëzuan. Por ai shtoi: “Okupatorët vazhdojnë të bllokojnë furnizimin me ndihma humanitare për qytetet e rrethuara në shumicën e zonave. Kjo është një taktikë krejtësisht e qëllimshme. Ata kanë një urdhër të qartë për të bërë absolutisht gjithçka për ta bërë katastrofën humanitare në qytetet e Ukrainës një “argument” për ukrainasit që të bashkëpunojnë me pushtuesit. Ky është një krim lufte.”
Nuk ka informacion të ri mbi viktimat pas një sulmi ajror rus në një teatër në Mariupol
Zelenskiy tha se njerëzit po shpëtoheshin nga rrënojat dhe se më shumë se 130 njerëz ishin shpëtuar deri më tani. “Disa prej tyre janë të plagosur rëndë. Por për momentin nuk ka asnjë informacion për të vdekur”, tha ai. Qindra civilë ishin strehuar në teatër.
Ai falënderoi ata që mbronin Mariupolin, duke thënë se qyteti po përjetonte “sprovën më të madhe në historinë e tij, në historinë e Ukrainës”.
Forcat ruse u ndaluan në “pothuajse të gjitha drejtimet”
Zelenskiy tha se forcat ruse u ndaluan në shumë zona të vendit. Ai tha se kishte luftime të ashpra në rajonin e Kharkivit, veçanërisht pranë Izyumit, por se trupat ruse ishin të papërgatitura.
Nevojiten urgjentisht negociatat “domethënëse, të drejta”.
Zelenskiy i tha Moskës: “Është koha për t’u takuar. Koha për të folur. Është koha për të rivendosur integritetin territorial dhe drejtësinë për Ukrainën. Përndryshe, humbjet e Rusisë do të jenë aq të mëdha sa që disa breza nuk do të mjaftojnë për t’u rikuperuar”.
Ai tha: “Negociatat për paqen, për sigurinë tonë, për Ukrainën – domethënëse, të drejta dhe pa vonesë – janë shansi i vetëm për Rusinë që të zvogëlojë dëmin nga gabimet e veta”.
Për reagimin ndërkombëtar
Zelenskiy tha se do të vazhdojë t’u bëjë thirrje liderëve botërorë që të punojnë për paqe në Ukrainë, me plane për t’iu drejtuar Zvicrës, Italisë, Izraelit dhe Japonisë. Ai ka folur me ambasadorët ukrainas në mbarë botën “për të intensifikuar furnizimin me mallra humanitare” për njerëzit e zhvendosur në Ukrainë. Një shtab koordinues është ngritur gjithashtu për të mbikëqyrur dërgimin e ndihmave humanitare në Ukrainë, tha ai.