
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq në fund të nëntorit do të vizitojë Moskën, ku pritet të marrë udhëzime të reja nga presidenti rus Vladimir Putin për çështjen e Kosovës, por edhe për rajonet nga të cilat do të përfitojnë vetëm Serbia dhe Rusia.
Vuçiq këto ditë është takuar me ambasadorin rus Alexander Bocan-Kharchenko, me të cilin ka biseduar për vizitën dhe takimin me presidentin e Rusisë.
Gjatë takimit me ambasadorin rus, Vuçiq theksoi rëndësinë e madhe të vizitës së ardhshme në Moskë, duke pasur parasysh “reputacionin dhe ndikimin e Federatës Ruse dhe Presidentit Putin në botë, në skenën politike dhe në trendet ekonomike botërore”.
Vuçiq dhe Putin u takuan për herë të fundit në qershor të vitit të kaluar, por kanë pasur biseda të shpeshta telefonike për të gjitha çështjet kyçe dhe situatën e përgjithshme në rajon dhe në botë. Ndërsa takimi i kaluar mes Vuçiqit dhe Harçenkos është mbajtur në fund të shtatorit, kur ai ishte në veri të Kosovës.
Situata atëherë ishte shumë e tensionuar për shkak të mospranimit të reciprocitetit me Serbinë për targat.
Ambasadori rus përcolli mesazhin në atë kohë se Moska po “monitoronte situatën me shqetësim të madh” në veri të vendit.
Harcenko ka vazhduar me kritika, ai nuk mund të qëndronte imun në çështjen e KFOR-it dhe dialogut ndërmjetësuar nga BE-ja. Me deklaratat dhe kritikat e tij ai e zbaton politikën ruse në të gjitha mënyrat, keshtu që situata në veri të Kosovës ishte shumë frymëzuese për të, për t’i denigruar Shtetet e Bashkuara, BE-në, NATO-n, që s’po e bëjnë punën e tyre siç duhet.
Ai akuzoi misionin e KFOR-it se reagon mjaft “në mënyrë të paqartë ndaj një sërë përpjekjesh të Kosovës për ta pushtuar verium të banuar nga serbët”, ndërsa për Brukselin theksoi se dialogun e përdor kryesisht për legjitimim pretendimet e tepruara kosovaro-shqiptare, të cilat, siç tha ai, po shtohen dita-ditës.
Moska ka vazhduar ta përdorë situatën në veri të Kosovës si një kanal për të zgjeruar ndikimin e saj. Harçenko dhe i dërguari i mbrojtjes, gjeneral major Alexander Zinchenko vizituan forcat e ushtrisë së Serbisë më 26 shtator, të cilat ishin në gjendje të shtuar të gatishmërisë luftarake në bazën ushtarake, vetëm disa kilometra nga një pikë kufitare e bllokuar. Prania e zyrtarëve rusë, të shoqëruar nga ata serbë, në kufirin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është një mesazh konfuz.
Ambasadori rus e shfrytëzoi vizitën edhe për të komentuar qëndrimin e vendeve perëndimore, të cilin ai i quajti “të çuditshëm” dhe “të dëmshëm”, duke theksuar se ata po mbyllin sytë para një situate shumë të rrezikshme dhe siç tha ai – të gjithë e kuptojnë se kush e ka fajin dhe ku është arsyeja e provokimeve të tilla, edhe pse BE, SHBA dhe NATO në disa raste që nga fillimi i krizës, i kanë bërë thirrje Serbisë dhe Kosovës për qetësimin e tensioneve dhe dialogut.
Sa i përket Kosovës, Vuçiq ka përdorur vazhdimisht marrëdhëniet e mira me Rusinë dhe presidentin rus, për të biseduar me të gjatë tensioneve në Kosovë, këtë e ka bërë edhe pas arrestimit të drejtorit të atëhershëm të zyrës për Kosovën Marko Gjuriq, i cili ka hyrë ilegalisht në territorin e Kosovës.
“Ndryshe nga partnerët perëndimorë, është më e lehtë të bisedohet me Rusinë për çështjen e Kosovës”, ka thënë ai në atë kohë.
Sipas tij, Putin tha se po e monitoron nga afër situatën në Kosovë dhe Serbia mund të llogarisë në ndihmën e Moskës, ku vetë Putini dërgoi një mesazh kur e përmendi ndihmën e Rusisë se për çështjen e Kosovës, “nuk do të rrinte duarkryq”.