Këtë vit, Serbia e ka sjellw verdiktin e parë për organizimin e pjesëmarrjes në luftën në territorin e pushtuar në Ukrainë, mëson Radio Evropa e Lirë (REL).
Në verdiktin e datës 22 tetor 2021, të cilin Gjykata e Lartë në Beograd ia dorëzoi RSE-së pas kërkesës për qasje të lirë në informacione me rëndësi publike, thuhet se i akuzuari u shpall fajtor dhe u dënua me gjashtë muaj burgim në shtëpi, pa mbikëqyrje elektronike.
Ky është verdikti i parë i këtij lloji në një vend nga i cili, sipas vlerësimeve të dhëna nga ambasadori ukrainas në Serbi Oleksandr Alexandrovich në një deklaratë të dhjetorit 2018, më shumë se 300 qytetarë shkuan të luftojnë në anën pro-ruse në një konflikt që deri tani ka marrë rreth 14,000 jetë.
Deri më tani, gjykatat në Serbi kanë zhvilluar procedura vetëm për shkak të përleshjes në një fushëbetejë të huaj, ndërsa askush nuk ishte përgjegjës për organizimin e pjesëmarrjes.
I akuzuari, siç thuhet në verdiktin e Gjykatës së Lartë, ka pranuar fajësinë. Gjykata më pas miratoi një dënim në bazë të një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë.
Në dokument, megjithatë, gjykata fshehu identitetin e të dënuarit duke errësuar të gjitha detajet – nga emri dhe mbiemri, viti i lindjes, adresa e banimit, si dhe emrat e personave të tjerë.
“Ai është fajtor që në periudhën prej 18 tetorit 2014. deri në mesin e nëntorit 2014, në gjendje të shëndoshë, i vetëdijshëm për krimin e tij kryerjen e të cilit ai e dëshironte dhe i vetëdijshëm për ndalimin e tij ligjor, me qëllim kryerjen e veprës penale të pjesëmarrjes në luftë ose konflikt të armatosur në një vend të huaj… inkurajoi persona të tjerë që të kryejnw këtë krim dhe organizoi një grup personash për të kryer këtë vepër”, thuhet në verdikt.
Fluturimi me pagesë për në Moskë është pjesë e marrëveshjes
Më tej, thuhet se i dënuari ka kontaktuar me luftëtarë të interesuar në Serbi përmes rrjeteve sociale dhe më pas u ka “dërguar biletat e avionit për fluturimin nga Beogradi në Moskë” përmes postës elektronike. Në verdikt fshihen po ashtu edhe emrat dhe mbiemrat e tyre.
Më pas, sipas aktgjykimit, ai u dha atyre informacione për transferimin e tyre të mëtejshëm nga Moska në Alcesca në Ukrainë, e cila është nën kontrollin e forcave proruse, “në mënyrë që personat e përmendur të marrin pjesë në luftën – konflikti i armatosur në territorin e Republikës së Ukrainës”.
Shtohet gjithashtu se i pandehuri “u bashkua më parë me forcat pro-ruse si vullnetar” në Ukrainën lindore dhe se në shtator tw vitii 2014, së bashku me një person tjetër nga Kolumbia (emri i të cilit është gjithashtu i panjohur në verdikt), themeloi formacionin paraushtarak “Brigada Ndërkombëtare” (Unité Continentale) i përbërë nga serbët, francezët dhe spanjollët.
Në verdikt thuhet se i dënuari është arrestuar më 15 gusht 2021 dhe se dy ditë më vonë është liruar nga paraburgimi. Megjithatë, nuk jepen detaje se si është arrestuar dhe nëse është vetëdorëzuar tek autoritetet serbe.
Kievi ka zhvilluar një luftë kundër separatistëve të mbështetur nga Rusia në pjesë të Ukrainës lindore (Donbas) që nga viti 2014.
Rusia, e cila mohon përfshirjen, aneksoi gadishullin ukrainas të Krimesë në të njëjtin vit, kjo është arsyeja pse ajo është nën sanksionet e Bashkimit Evropian (BE).
Të gjitha verdiktet me bazw pranimin e fajësisë
Pjesëmarrja dhe organizimi i pjesëmarrjes në luftë në shtetin e huaj është vepër penale që nga fillimi i aplikimit të ndryshimeve në Kodin Penal të Serbisë nga viti 2014, me dënime të kërcënuara dhe deri në dhjetë vjet burg.
Mirëpo, për këtë rast gjykata ka vendosur arrest shtëpiak për gjashtë muaj, pa aplikimin e mbikëqyrjes elektronike, të ashtuquajturën “nanogice”.
Vetëm për pjesëmarrjen në luftën në Ukrainën lindore në anën e forcave pro-ruse, Gjykata e Lartë miratoi 32 dënime në periudhën 2015-2018, të cilat u dorëzuan edhe nga RFE me kërkesë për akses të lirë në informacione me rëndësi publike.
Të gjitha verdiktet janë miratuar në bazë të marrëveshjes për pranimin e fajësisë. Në 28 raste gjykata i ka dënuar të pandehurit me kusht, ndërsa katër persona janë dënuar me arrest shtëpiak për gjashtë muaj.
Çfarë është ‘Brigada Ndërkombëtare’?
Sipas vendimeve të marra nga RSE nga Gjykata e Lartë në Beograd, dymbëdhjetë nga tridhjetë e dy të dënuarit ishin anëtarë të “Brigadës Ndërkombëtare” (Unité Continentale).
Në dokumentin e Prokurorisë së Përgjithshme të Ukrainës nga viti 2018, i cili është dorëzuar me kërkesë të RFE, thuhet se “Unité Continentale” është një lëvizje gjeopolitike e ekstremit të djathtë, se është themeluar në verën e vitit 2014 në Beograd dhe se kritikon BE-në dhe NATO-n.
“Unité Continentale” është e pranishme edhe në rrjetet sociale.
Në Facebook janë rreth 5000 ndjekës dhe në njoftimet e tyre ata mbështesin presidentin rus Vladimir Putin dhe kritikojnë BE-në dhe NATO-n. Gjatë viteve, ata kanë publikuar video të luftëtarëve pro-rusë nga fusha e betejës në Ukrainë.
Në postimet që publikojnë nuk mungojnë mesazhet kundër emigrantëve, ndërsa vëmendje të veçantë i kushtojnë vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Kështu, për Kosovën e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008, deklarojnë pa dhwnw fakte se është “shtylla kurrizore e islamizmit dhe krimit të organizuar”, si dhe se është “krahinë jugore serbe e konfiskuar nga NATO”.
Ndër të tjera, ata mbrojnë pjesëmarrjen e Rusisë në “zgjidhjen e krizës së Kosovës”, pavarësisht se Moska zyrtare po bllokon pjesëmarrjen e Kosovës në institucionet ndërkombëtare. Ata gjithashtu bëjnë thirrje për ndihmën e Serbisë për të rifituar Kosovën.
Në luftën në Kosovë Në vitin 1998 dhe 1999, sipas OJQ-së Fondi për të Drejtën Humanitare, u vranë më shumë se 13,000 njerëz, rreth 10,000 prej tyre civilë. Nga ky numër, më shumë se 8000 janë civilë shqiptarë.
Në postimet e tyre ata e quajnë Malin e Zi “një shtet i vogël serb i rrëmbyer nga NATO”, që është një retorikë e shpeshtë e të djathtëve në Serbi dhe atyre që mohojnë pavarësinë e atij shteti, i cili u shkëput nga Serbia në vitin 2006.
“Unité Continentale” ekziston edhe në Twitter, por postimi i fundit wshtw nga viti 2014.
Mediat përmendin gjithashtu se anëtarët e asaj organizate ekstreme të djathtë morën pjesë në protestat antiqeveritare të “jelekëve të verdhë” që tronditën Francën në vietet 2018 dhe 2019, siç deklaruan “rojet e rendit” që mbronin “jelekët e verdhë nga represioni i policisw”.
RSE ka kontaktuar “Unité Continentale” përmes një llogarie në Facebook me pyetje rreth punës së njësisë dhe verdiktit për një pjesëtar të asaj njësie nga Serbia, por përgjigjet nuk kanw arritur deri në publikimin e këtij teksti.
Kush janë themeluesit dhe anëtarët?
Në media, krahas “Unité Continentale”, u përmendën edhe emrat e dy shtetasve francezë – Viktor Lenta dhe Nikola Perović, veteranë ushtarakë francezë.
Lenta thuhet se u pushua nga ushtria për lidhjet e tij me një grup neo-nazist të njohur për vënien e zjarrit në një xhami në Francën jugore në vitin 2008, vetëm për të shkuar më vonë në Ukrainë për të luftuar si pjesë e formacionit paraushtarak të ekstremit të djathtë Unité Continentale.
Në vitin 2014, Lenta foli për mediat ruse nga, siç u tha, Donbas – Ukraina lindore.
Në një video të gushtit 2014, duke mbajtur një pushkë në duar, ai tha se kishte ardhur në Ukrainë për të informuar qytetarët e Francës për “realitetin e asaj lufte, sepse mediat franceze e paraqesin Rusinë si agresore në Ukrainë”.
Në video pranë Lentas shihen tre persona të armatosur.
Mediat franceze në vitin 2014 shkruanin për Nikolla Peroviqin, anëtar i Unité Continentale, i cili, siç deklaruan, ka dy shtetësi serbe e franceze dhe më parë ka shërbyer në batalionin francez në Afganistan.
Vetë Peroviq foli më pas për Le Monde franceze për pjesëmarrjen e tij në luftën në Ukrainë.
Perovic përmendet si shtetas i Francës, me origjinë serbe, nga BBC britanike në një tekst të vitit 2014, si një ish-ushtar profesionist francez që ka luftuar në Afganistan.
RFE nuk arriti të përcaktojë nëse aktgjykimi i Gjykatës së Lartë në të cilin identiteti i të dënuarit u errësua i referohet Nikola Peroviqit.
Shtetasit serbë nën hetim në Ukrainë
Anëtarët e formacionit paraushtarak “Unité Continentale”, duke përfshirë gjashtë shtetas serbë, në vitin 2018 janë përfshirë në hetimin e Prokurorisë së Përgjithshme të Ukrainës.
Një dokument i dorëzuar RFE nga zyra e prokurorit ukrainas thotë se ata janë nën hetim për kryerjen e sulmeve ndaj forcave ukrainase në rajonet Donetsk dhe Luhansk në anën e separatistëve pro-rusë si pjesë e organizatës së krahut të djathtë ekstrem “Unité Continentale” .
Prokuroria ukrainase më pas njoftoi se ata ishin Zoran Kljajić, Stevan Milloshević, Stefan Ćelav, Ivan Mackić, Radomir Počuča dhe Bratislav Živković.
Pjesëmarrjen e tij në këtë njësi për RSE e ka konfirmuar edhe Stevan Millosheviq.
Në hetimin e prokurorisë së Ukrainës janë përfshirë edhe dhjetë shtetas të Spanjës, 21 shtetas të Italisë, 11 shtetas të Francës, një shtetas i Moldavisë, një shtetas i SHBA-së, dy shtetas të Finlandës, dy shtetas të Republikës Çeke, një shtetas Bjellorusia dhe një shtetas i Letonisë.