I sapoardhur në detyrën e ambasadorit të SHBA-së në Serbi, Christopher Hill vendosi që intervistën e parë ta japë për “Zërin e Amerikës” në gjuhën serbe. Nga Beogradi, ai edhe deklaroi se Rusia nuk është një vend që Serbia apo ndonjë shtet tjetër do të duhej ta mendonte për mike.
Mes shumë temash, ndër kryesoret për të cilën foli diplomati i rryer amerikan, nuk e la anash as procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
Ambasadori Hill i cili është i përfshirë në të gjitha proceset në Ballkan, që nga viti 1991, çështjet e dialogut e vlerësoi si proces mjaft të vështirë.
Megjithatë, tha se u takon Kosovës dhe Serbisë të vendosin për vazhdimin e dialogut.
Hill tha se është i informuar se BE-ja po përpiqet shumë të vendosë në tryezë ide të reja, tema për të cilat po bisedohen, për të ruajtur momentumin.
“Nuk është shumë argëtuese, unë e kam bërë këtë në të kaluarën”, tha Hill për “Zërin e Amerikës” në gjuhën serbe.
“Bisedimet janë shumë të vështira, dhe e di që BE-ja po bën më të mirën që mundet që Serbia dhe Kosova ta respektojnë këtë”.
Diplomati amerikan tha se këto çështje nuk janë të lehta, sepse nëse do të ishin, do të zgjidheshin shumë kohë më parë.
“Duhet të kuptojmë vështirësitë, por jo të mbesim peng i tyre. Duhet të shikojmë se ku duam të shkojmë”.
“A duam të ngecim në këtë kohë apo duam jetë më të mirë për njerëzit në Serbi. Por, nuk duhet që diplomatët amerikanë t’u tregojnë serbëve se çfarë të bëjnë”, tha Hill.
Hill në këtë intervistë Hill tha se nëse mendohet se Rusia do t’ia zgjidhë problemet e Serbisë në lidhje me Kosovën, atëherë është mendim i gabuar.
Tha se Rusia nuk duhet të merret tash model.
“Nuk është një vend që do të dëshironit si mik apo aleat. Por, në fund të fundit u takon vetë shteteve të vendosin dhe askush nuk po bën presion”, rikujtoi ambasadori amerikan në Beograd.
“Por, njerëzit në Serbi duhet të vendosin në çfarë drejtimi duan të shkojnë. Ideja se Rusia do t’i zgjidhë problemet serbe në Kosovë apo diku tjetër, vetëm shikoni situatën në Ukrainë dhe më thonë nëse është mirë që Serbia të mbështetet për çdo gjë në Rusinë”, tha Christopher Hill.
Ambasadori Hill vlerësohet si një nga diplomatët e rangut të lartë i vendosur nga presidenti amerikan Joe Biden në këtë pjesë në Evropës.