Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të martën mbrëma në Shkup se nuk sheh asnjë kërcënim ushtarak nga Rusia për asnjë anëtar të NATO-s apo për rajonin. Ai i bëri thirrje Rusisë nga Shkupi që të përmbahet nga veprimet agresive kundër fqinjëve të saj dhe të ndalojë agresionin ushtarak kundër Ukrainës. “Ne mbetemi të kujdesshëm, po vëzhgojmë nga afër se çfarë po bën Rusia dhe do të mbetemi të bashkuar”, tha Stoltenberg.
Sipas tij, Aleanca ka një prani ushtarake në këtë rajon, me KFOR-in, me Shtabin e Përgjithshëm në Sarajevë dhe me zyrat në Beograd. “Ne jemi të gatshëm të rritemi shpejt dhe të bëjmë gjithçka që duhet për të mbrojtur çdo aleat kundër çdo kërcënimi, por ne nuk jemi duke parë ndonjë gjë që do të vinte si kërcënim kundër cilido aleat të NATO-s”, tha Stoltenberg.
Duke përmendur Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën, Stoltenberg tha se siguria në Ballkanin Perëndimor është e një rëndësie jetike për NATO-n dhe ka arsye për shqetësim atje, “Shtetet autoritare duan të minojnë lirinë dhe mënyrën tonë të jetesës, përfshirë këtu në Ballkanin Perëndimor.
Ata përhapin dezinformata, mbjellin përçarje dhe minojnë demokracinë”, thaStoltenberg.
“Përgjigja jonë duhet të jetë që të punojmë edhe më afër së bashku në NATO, përmes pranisë sonë ushtarake dhe bashkëpunimit tonë me aleatët dhe partnerët, sepse ne jemi vërtet një forcë e madhe për stabilitetin në rajon”.
Kryeministri maqedonas Kovaçevski thotë se vendi së bashku me NATO-n po luftojnë kundër ndikimit rus në rajon dhe institucionet po bëjnë punën e tyre.
“Ndikimi i vendeve të treta, duke përfshirë ndikimin rus, ekziston në rajon dhe ata janë gjithmonë në gjendje të gjejnë njerëz me mendje të njëjtë në individë, në parti të caktuara politike dhe në organizata të caktuara, por ata nuk janë as afër asaj që posedojnë institucionet tona”, tha Kovaçevski, duke shtuar se vendet anëtare të NATO-s dhe shërbimet maqedonase të sigurisë posedojnë informacione që parandalojnë çfarëdo destabilizimi të vendit.
Me vizitën në Maqedoninë e Veriut, kreu i Aleancës përfundon turneun e tij nëpër Ballkanin Perëndimor, gjatë të cilit ka vizituar edhe Bosnjën dhe Hercegovinën, Kosovën dhe Serbinë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s para fjalës u takua edhe me kryeparlamentarin Talat Xhaferi.
Duke folur para deputetëve, Stoltenberg tha se shumë shpesh aleatët që ishin pjesë e bllokut lindor fillimisht hynë në NATO dhe më pas në BE. Sipas tij, anëtarësimi në BE do të forcojë më tej demokracinë tuaj, sundimin e ligjit, drejtësinë sociale dhe do të rrisë mundësitë për të rinjtë.
“Të gjitha partitë politike kanë përgjegjësi të punojnë së bashku dhe ta çojnë vendin përpara. Ju inkurajoj që të punoni vazhdimisht për anëtarësimin në BE ashtu siç keni punuar për anëtarësimin në NATO. Për të përfunduar udhëtimin tuaj në zemrën e familjes evropiane të kombeve.
Anëtarësimi në NATO do të hapë rrugën për anëtarësimin tuaj në BE, siç bëri me shumë vende para jush”, tha Stoltenberg. Për të vazhduar negociatat me BE-në, Maqedonia e Veriut duhet të ndryshojë Preambulën e Kushtetutës që të përfshijë pakicën bullgare, kusht për të cilin kanë rënë dakord dy vendet fqinje. Por tani për tani nuk ka shumicë prej dy të tretash në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, sepse partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE kundërshton ndryshimet në kushtetutë. Stoltenberg e mbylli ditën e parë të vizitës së tij në vend me një takim me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski. Më 22 nëntor, megjithatë, Shkupi do të jetë nikoqir i takimit jozyrtar të liderëve të aleatëve të NATO-s nga rajoni.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovacevski do të mirëpresin kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviq, kryeministrin e Malit të Zi, Milojko Spajiq dhe kryeministrin e Sllovenisë, Robert Golob. “Fakti që këtu do të mbahet samiti rajonal i liderëve të NATO-s është njohje e kontributit që Maqedonia e Veriut ka për Aleancën”, thotë kreu i NATO-s.
Maqedonia e Veriut është pjesë e Aleancës për gati katër vjet. Vendi u bë anëtari i tridhjetë i NATO-s më 27 mars 2020. Por angazhimi për integrimin euroatlantik daton që nga viti 1993, kur Kuvendi miratoi një Rezolutë, e cila përcaktonte prioritetet e jashtme politike të vendit, përkatësisht anëtarësimin në NATO dhe BE. /The Geopost