Nacionalisti Milorad Dodik ka përsëritur kërcënimin me shkëputje në rast se Përfaqësuesi i Lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt vendos një ligj mbi pronën shtetërore në ditën kur festoi kundërligjshëm 9 janarin dhe përkundër paralajmërimeve nga Perëndimi.
“RS e pranon BeH vetëm brenda kornizës kushtetuese dhe nuk e pranon atë antikushtetuese. RS nuk do të japë autorizimin e saj të drejtë për asnjë nivel, për asnjë ide që promovohet nga niveli global. Ne nuk po kërcënojmë asgjë. Thjesht po themi se nuk ka përfaqësues të lartë, se është fals, është imagjinatë, nëse një përfaqësues i larte fals guxon të jetë nën ndikimin e disave që mendojnë se çdo gjë është këtu, RS nuk do ta pranojë dhe ne do ta shpallim pavarësinë”, u tha ai gazetarëve në Banja Llukë, raporton Klix.ba.
Dodik ka përdorur edhe gjuhë ofenduese ndaj ambasadorit amerikan në Sarajevë derisa ka komentuar qëndrimin e ambasadës amerikane për festën antikushtetuese dhe thirrjet në prokurori për të hetuar shkeljen e ligjit, ai tha se atij nuk i pëlqen as 4 korriku, dita e pavarësisë së SHBA-së.
“Është ndërhyrje e ambasadorit amerikan. Çfarë lidhje ka ai, kush dreqin është? E kemi parë historinë e hetimeve”, tha Dodik.
Deklarata e tij përçarëse vjen në mesin e deklaratave dënuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian për shënimin e 9 janarit, një datë që glorifikon gjenocidin serb në Bosnje e Hercegovinë.
SHBA kërkoi hetim të këtyre ngjarjeve dhe tha se do të veprojë për këto veprime kundër Marrëveshjes së Dejtonit.
“Gjykata Kushtetuese e BiH e ka bërë të qartë në vendime të shumta se festimi i Ditës së Republikës Srpska më 9 janar është jokushtetues. Çështja nuk është festimi i festës, por vendimi për ta bërë këtë më 9 janar. Lidhja e përkujtimit me një festë fetare ortodokse shkel disa dispozita të Kushtetutës së BiH që ndalojnë diskriminimin.
Kjo është çështje ligji, jo opinion. Neni III (3) i Kushtetutës së Dejtonit kërkon që entitetet të respektojnë plotësisht vendimet e institucioneve të BiH, duke përfshirë vendimet përfundimtare dhe detyruese të Gjykatës Kushtetuese të BiH. Mosrespektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të BiH përbën një vepër penale sipas Kodit Penal të BiH. Edhe kjo është çështje ligjore, jo opinion. Pritjet e Shteteve të Bashkuara janë që autoritetet përkatëse të zbatimit të ligjit dhe ato gjyqësore të hetojnë çdo shkelje të ligjit që ndodh në lidhje me festimin e Ditës së Republikës Srpska më 9 janar. Shtetet e Bashkuara kanë vepruar për të adresuar veprimet anti-Dayton si ky në të kaluarën dhe nuk do të hezitojnë ta bëjnë këtë përsëri në të ardhmen”.
Për ta mbështetur sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjës, dy avionë luftarakë amerikanë, F-16, fluturuan mbi qiellin e këtij vendi më 8 janar.
Ndërkaq, BE tha se do të ketë pasoja për Republikën Srpska.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i cili përsëriti se blloku evropian e mbështet integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnje e Hercegovinës si shtet të bashkuar, duke theksuar se në Bruksel dënojnë çdo përpjekje apo retorikë ndarëse.
“Pozicioni i BE-së ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë i qartë për Bosnje e Hercegovinën. Ai pozicion është sovraniteti, integriteti territorial dhe rendi kushtetues duhet të respektohet. Të gjithë në Bosnje e Hercegovinë duhet ta kenë parasysh këtë. Të gjithë duhet të përmbahen nga retorika që vë në dyshim këto parime, sidomos në Republikën Sërpska”, tha Stano.
Sa i përket cilësimit të 9 janarit si festë jokushtetuese, Stano tha se ky cilësim bazohet në vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnje e Hercegovinës.
“Kjo datë është antikushtetuese edhe për BE-në. Gjykata Kushtetuese [e Bosnjës] dy herë është shprehur se shpallja e kësaj date si ditë feste në Republikën Sërpska nuk është në përputhje me rendin kushtetues të Bosnje e Hercegovinës”, tha Stano.
Ai u pyet për pasojat e mundshme, pasi lideri i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, ka bërë kërcënime të vazhdueshme për shkëputjen e entitetit nga Bosnja.
“Pasojat mund të jenë ato për të cilat do të pajtohen vendet anëtare. Ato mund të jenë personale, mund të jenë financiare, ekonomike apo të ndonjë lloji tjetër. Tashmë e kemi platformën për sanksione në rastin e Bosnje e Hercegovinës. Dhe kur të vlerësohet nga vendet anëtare se kemi arritur në momentin kur duhet thënë mjaft, atëherë mund të vendoset për të”, tha zëdhënësi i BE-së.
Nëntë janari shënon ditën kur serbët e Bosnjës më 1992, të cilët e kundërshtuan pavarësinë e Bosnjës pas shkëputjes së saj nga Jugosllavia, deklaruan shtetin e tyre të ndarë, duke nxitur një luftë ndëretnike e cila ua mori jetën më shumë se 100.000 njerëzve dhe u ndal vetëm pas Marrëveshjes së Dejtonit, të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, në fund të vitit 1995.
Në entitetin serb të Bosnjës, 9 janari shënohet si ditë kombëtare, megjithëse Gjykata Kushtetuese e Bosnjë e Hercegovinës e ka shpallur atë festë antikushtetuese dy herë.
Kjo festë e ndaluar sot është shënuar në kryeqytetin e entitetit serb, Banjallukë, me marshime dhe parade të policisë së armatosur.
Prezentë ishin edhe drejtues të institucioneve të Serbisë, e cila e mbështet Dodikun në veprimet destabilizuese të tij në rajon, si dhe sigurisht nuk ka munguar as kreu i kishës serbe.
Në këtë festë morën pjesë ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, Millan Mojsilloviq, ministrat e Qeverisë së Serbisë, kryetari i Kuvendit të Serbisë, Vladimir Orliq, dhe patriarku e Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije.
Gjatë hapjes së festimeve, Dodik ia ndalu dekoratën më të lartë të entitetit serb kryeministri hungarez, Viktor Orban.
“Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka pranuar çmimin më të lartë të Republikës Sërpska. Është krenari e Republikës Sërpska që ta nderojë njeriun që na konsideron dhe respekton ne si realitet politik”, tha Dodik.
Gjatë dy vjetëve të fundit, Dodik, i cili ka lidhje të ngushta me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, është përpjekur vazhdimisht ta rrënojë autoritetin e Qeverisë qendrore të Bosnjës dhe të themelojë institucione paralele për t’i rritur kërcënimet e tij të kamotshme për ta ndarë vendin përherë.
Orban po ashtu është mik i ngushtë i Putinit dhe ka mosmarrëveshje me pjesën tjetër të Bashkimit Evropian, duke kundërshtuar sanksionet ndaj Moskës për shkak të pushtimit të Ukrainës./The Geopost/