Bota po bëhet më autoritare pasi regjimet jodemokratike sa vijnë e bëhen më të pacipë me shtypjen e tyre dhe shumë qeveri demokratike vuajnë nga rënia për shkak të adoptimit të taktikave të tyre të kufizimit të fjalës së lirë dhe dobësimit të sundimit të ligjit, e përkeqësuar nga ajo që kërcënon të bëhet një “normale e re” e kufizimeve të Covid-19. Për të pestin vit radhazi, numri i vendeve që lëvizin në një drejtim autoritar tejkalon numrin e vendeve që lëvizin në një drejtim demokratik. Në fakt, numri që lëviz në drejtim të autoritarizmit është trefishi i numrit që shkon drejt demokracisë. Ky është konstatimi i raportit më të ri të Institutit Ndërkombëtar për Demokraci dhe Mbështetje Zgjedhore (IDEA).
Numri absolut i demokracive po zvogëlohet, dhe nga viti 2020, Serbia, Mali dhe Bregu i Fildishtë nuk janë më demokraci, sipas raportit “Gjendja e Demokracisë në Botë 2021”.
“Ky raport thekson kolapsin demokratik në Serbi sepse, pas problemeve serioze me zgjedhjet e 2020, ajo nuk mund të konsiderohet më demokraci. Kjo vë në pikëpyetje të ardhmen e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian”, tha Adam Bodnar, dekan i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin Polak të Shkencave Sociale dhe Humane, në parathënien e raportit për Evropën.
Raporti kujton se për herë të parë në 20 vjet, Serbia nuk është më në kategorinë e demokracive, por të regjimeve hibride.
“Serbia, e cila ka mbetur prapa që nga viti 2013, më në fund është bërë një regjim hibrid në vitin 2020. Gjatë asaj periudhe, Partia Progresive Serbe në pushtet kufizoi dhe diskreditoi shoqërinë civile dhe vendosi kufizime në lirinë e medias”, thuhet në raport.
Në një dokument mbi demokracinë në Evropë, IDEA thekson se cilësia e demokracive ka ngecur ose ka rënë gjatë dy viteve të fundit, jo pak edhe për shkak të krizës pandemike.
“Në Ballkanin Perëndimor dhe vendet e tjera të Europës Lindore, dobësitë e vjetra në këto demokraci të reja janë përkeqësuar më tej nga pandemia”, thuhet në raport.
Aty shtohet se legjitimiteti i shumë elitave në pushtet në rajon u minua nga përpjekjet e tyre për të fituar një avantazh të pabarabartë zgjedhor gjatë pandemisë ndaj opozitës politike dhe përpjekjet për të dobësuar më tej integritetin e medias.
Raporti shton se pandemia në vendet e Ballkanit Perëndimor, Evropës Lindore dhe Kaukazit ka shkatërruar themelet e demokracisë, duke përfshirë zgjedhjet e ndershme, lirinë e asociimit dhe shprehjes, dhe kontrollin e qeverisë.
Liria e shprehjes dhe e medias janë kërcënuar edhe para pandemisë dhe gjatë pandemisë ato ranë më tej, jo vetëm në regjimet autoritare.
“Praktikat e rrezikshme” varionin nga qëndrimi jobashkëpunues i zyrtarëve shtetërorë ndaj gazetarëve deri te ngacmimet dhe kërcënimet ndaj mediave.
Disa vende, përfshirë Serbinë, kanë përdorur rrezikun e pretenduar të keqinformimit në lidhje me pandeminë për të mbytur më tej lirinë e fjalës.
Autoritetet në Serbi janë përpjekur gjithashtu të kufizojnë aksesin në informacion dhe kontaktet e gazetarëve me punonjësit e shëndetësisë, të heshtin kritikët dhe të parandalojnë raportimin e pandemisë.