U.S. Special Envoy to Belarus, Julie Fisher
Si përgjigje ndaj krizës së emigrantëve të krijuar në kufirin me BE-në nga Bjellorusia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian “së shpejti” do të imponojnë më shumë dhimbje ekonomike në Minsk, tha një diplomat amerikan.
E dërguara speciale e SHBA-së në Bjellorusi Gjuli Fisher (Julie Fisher) tha më 22 nëntor se udhëheqësi i Bjellorusisë, Aleksandër Llukashenko (Alyaksandr Lukashenko) “mbart përgjegjësinë e plotë” për krizën që ka lënë mijëra emigrantë nga Lindja e Mesme të bllokuar midis BE-së dhe kufirit bjellorus dhe se duhet të ndërmerren veprime për të ndryshuar sjelljen e tij.
“Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja e kanë bërë të qartë se më shumë presion mbi sanksionet do të vijë së shpejti,” tha ajo.
Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja akuzojnë Llukashenkon se i ka dërguar emigrantët përtej kufijve të bllokut për t’u hakmarrë kundër sanksioneve të vendosura ndaj qeverisë së tij për një goditje brutale ndaj opozitës bjelloruse pas zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar, të cilat konsiderohen gjerësisht si të manipuluara.
Dirk Shubel (Dirk Schuebel), kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian në Bjellorusi, tha në konferencë për media se situata e emigrantëve “mbetet shumë shqetësuese dhe Minsku vazhdon të përshkallëzojë tensionet”.
Ai tha se BE po koordinohet me Shtetet e Bashkuara për raundin tjetër të sanksioneve.
Blloku pritet të shpallë raundin e tij të pestë të ndëshkimeve ekonomike kundër Bjellorusisë deri më 2 dhjetor, sipas zyrtarëve të BE-së. Këto sanksione pritet të targetojnë rreth 30 individë dhe subjekte.
Fisher nuk tha nëse sanksionet e SHBA-së do të shpalleshin në të njëjtën ditë.
Fisher dhe Shubel hodhën poshtë idenë se sanksionet e SHBA-së dhe BE-së nuk po ndikojnë në Bjellorusi.
Schuebel tha se zyrtarët bjellorusë dhe përfaqësues të kompanive kanë luftuar kundër vendosjes së gjobave të BE-së – një shenjë, sipas tij, se ata po veprojnë.
Shumica e emigrantëve që udhëtuan në Bjellorusi janë nga vendet e shkatërruara nga konflikti, siç janë Siria, Iraku dhe Afganistani.

Kongresisti Wilson: Serbia të ndalë kërcënimet ndaj Kosovës dhe të shkëputet nga Moska
Nga nëntori, rusët, kinezët dhe turqit do të kenë nevojë për viza për të hyrë në Mal të Zi
FAZ rikthen të kaluarën e Vuçiqit: Nga Varrezat Hebraike të Sarajevës te retorika e “Serbisë së Madhe”
Nëna e njërit prej të rinjve të vrarë në “Panda” paralajmëron padi: Vuçiq e di të vërtetën, shteti serb i vrau fëmijët tanë
Si i rekruton Rusia të huajt për luftën në Ukrainë: Nga ofertat joshëse deri te mashtrimi
Lufta paralizon jugun e Iranit: Errësirë, mungesë karburantesh dhe varka të shkatërruara