
Serbia ka vazhduar narrativat kundër Kosovës, duke përdorur edhe çështjen e dronëve turq për Kosovën.
Forca e Sigurisë së Kosovës ka pranuar mijëra dronë luftarakë kamikazë “Skydagger” nga Turqia më 8 tetor. Lajmi u bë i ditur nga Qeveria e Kosovës dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Derisa Kurti ka thënë se kjo ka rëndësi të madhe për mbrojtjen e sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, udhëheqës politikë e institucionalë në Serbi e kanë interpretuar si destabilizim të rajonit furnizimin e Kosovës me dronët nga Turqia.
Serbia madje ka akuzuar edhe Turqinë se “nuk do stabilitet” dhe se “ëndërron rikthimin e Perandorisë Osmane”. Sipas tyre, armatosja e Kosovës është “kërcënim për paqen dhe për popullin serb”.
Ishte presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq që në një postim në platformën “X” pretendoi se ky është një veprim kërcënues ndaj Serbisë dhe rajonit.
“Jam i tmerruar nga sjellja e Turqisë dhe shkelja brutale e Kartës së OKB-së dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si dhe armatosjen e vazhdueshme të autoriteteve të Prishtinës. Tani është krejtësisht e qartë se Turqia nuk dëshiron stabilitet në Ballkanin Perëndimor dhe edhe njëherë po ëndërron për rikthimin e Perandorisë Osmane. Serbia është shtet i vogël, por ne qartë e kemi kuptuar mesazhin”, ka shkruar ai.
Deklarata e tij u shpërnda në media serbe të cilat ndjekin narrativat serbo-ruse.
Edhe drejtori i “Zyrës për Kosovë” në Serbi, Petar Petkoviq ka pretenduar se kjo armatosje nuk ka qëllime mbrojtëse apo demokratike, por për të frikësuar dhe kërcënuar serbët.
Përveç se u morën me Turqinë, Serbia e paraqiti furnizimin e Kosovës me dronë si “përgatitje për luftë”, duke nxitur një narrativë alarmuese për tensione të mundshme në rajon.
Në anën tjetër, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj këtyre deklaratave të Aleksandar Vuçiqit, duke theksuar se Turqia po mbështet Kosovën në ruajtjen e paqes dhe se veprimet e Kosovës kanë karakter mbrojtës.
“Në të njëjtën ditë kur presidenti Trump lavdëroi Turqinë dhe presidentin Erdogan për lidershipin e tyre të jashtëzakonshëm në promovimin e paqes botërore dhe të sigurisë, Vuçiqi paturpësisht sulmon Turqinë, një shtet që, si shtet anëtar i NATO-s, po na ndihmon të ruajmë paqen. Do të vazhdojmë të forcojmë lidhjet me aleatët e NATO-s, duke modernizuar kapacitetet tona mbrojtëse bazuar në standardet e NATO-s, duke siguruar paqe e stabilitet për njerëzit tanë dhe duke kontribuuar aktivisht në sigurinë e përgjithshme”.
Kësisoj, narrativat e Serbisë që e paraqesin furnizimin me dronë si shkelje të Rezolutës 1244 ose si kërcënim për rajonin mbeten të pabazuara dhe në nivelin e një narrativi politik pa argumente faktike. Qëllimet e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë mbrojtëse dhe jo sulmuese, siç e kanë theksuar autoritetet kosovare.
/The Geopost