Senatorët amerikanë Chris Murphy, Jeanne Shaheen dhe Tom Tillis, thanë se Serbia duhet të harmonizojë politikën e saj të jashtme me atë të Bashkimit Evropian.
Gjatë një konference për media në Beograd më 19 prill, ata theksuan se në këtë moment historik është e rëndësishme që të gjitha vendet demokratike në Evropë t’i dërgojnë një mesazh të qartë Rusisë dhe t’i kërkojnë llogari për veprimet e saj në Ukrainë.
Senatorja Jeanne Shaheen tha se në takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq kanë biseduar edhe për vendosjen e sanksioneve nga Serbia ndaj Rusisë.
“Ne folëm për këtë dhe jam i sigurt se do të vazhdojmë të flasim, mendoj se e kemi paraqitur qëndrimet tona”, tha senatorja.
Senatori Chris Murphy tha se ata i përcollën presidentit serb Vuçiq qëllimin e tyre për të ndërtuar një komunitet të vendeve demokratike që do të dënonte pushtimin rus të Ukrainës.
“Ne i kuptojmë lidhjet historike ndërmjet Serbisë dhe Rusisë. Ne vazhdojmë ta mbështesim Serbinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE dhe qëndrojmë pranë popullit të Serbisë në këtë proces. Ne erdhëm në Serbi për të forcuar marrëdhëniet e mira që vendi ka me Shtetet e Bashkuara”, tha Murphy.
Vizita e senatorëve amerikanë në Beograd vjen pasi presidenti i Serbisë, Vuçiq kishte deklaruar se Serbia ishte “nën presion të madh” që të vendosë sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.
Serbia ka votuar tri herë kundër Rusisë në Kombet e Bashkuara, por ka thënë se nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë.
Duke folur për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, i cili ka ngecur, pasi që nga korriku i vitit 2021 nuk ka takime në nivel të lartë, senatori Murphy tha se ishte thellësisht i zhgënjyer që nuk kishte përparim në atë proces.
“Themelet për njohje janë, por u takon palëve në dialog t’i zbatojnë ato”, tha Murphy.
I pyetur se cilat janë rreziqet konkrete për Serbinë nëse vazhdon të blejë armë nga Kina, Murphy tha se çdo shtet, në planin afatgjatë, “duhet të vendosë nëse është gjë e mençur që të lidhë sigurinë e saj me Kinën”.
“Nëse Serbia synon të jetë pjesë e BE-së, atëherë ndoshta nuk është në interesin e saj afatgjatë që të zhvillojë raporte sigurie me Kinën. Nëse Serbia vazhdon ecjen drejt BE-së, gjërat mund të komplikohen në varësi të asaj se ku do të marrë Serbia fondet [për pajisje me armatim]”, tha senatori amerikan.
Vuçiq ka konfirmuar se më 9 prill Serbisë i është dorëzuar sistemi kundërajror kinez, FK-3.
Furnizimi me armë kineze, për të cilën Serbia kishte arritur marrëveshje më 2019, u bë në kohën e pushtimit rus të Ukrainës dhe rritjes së shqetësimeve në shtetet evropiane se furnizimet shtesë me armë në Ballkanin Perëndimor, teksa lufta në Ukrainë vazhdon, mund të kërcënojë paqen dhe stabilitetin në rajon.
Si Uashingtoni ashtu edhe Brukseli vazhdimisht kanë shprehur shqetësime me blerjet e armëve ruse dhe kineze nga Serbia, sepse nga Serbia si shtet kandidat për anëtarësim në BE, kërkohet që të harmonizojë politikën e jashtme dhe të sigurisë me atë të bllokut evropian.