
Biznesmenët famëkeq nga veriu i Kosovës, Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq, të cilët mbajnë marrëdhënie të ngushta me autoritetet më të larta në Serbi dhe marrin pjesë në afera të shumta, janë sanksionuar nga Thesari i SHBA-së për shkak se dyshohet se kanë dhënë ryshfet politikanët për të siguruar biznesin e tyre të paligjshëm: kontrabandën e mallrave, parave, drogës dhe armëve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Vetëm një ditë pasi Presidenti amerikan Biden shpalli një strategji të re kundër korrupsionit, hapi i parë në këtë drejtim u hodh – Thesari i SHBA-së sanksionoi një grup kriminelësh serbë nga veriu i Kosovës, të udhëhequr nga Zvonko Veselinoviq dhe një grup kriminal nga Salvadori.
Në shpjegimin e Thesarit amerikan thuhet se Veselinoviq është një nga figurat e korruptuara më famëkeqe në Kosovë.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti përshëndetën vendimin e Shteteve të Bashkuara për vendosjen e sanksioneve ndaj grupeve të krimit të organizuar nga disa vende evropiane, përfshirë grupin e Zvonko Veselinoviqit në veri të Kosovës.
Osmani përmes një postimi në Tëitter tha se “Institucionet nën flamur të Kosovës janë plotësisht të përkushtuara për sundimin e ligjit dhe do të bashkëpunojnë me Shtetet e Bashkuara për të siguruar që rajoni ynë të mos bëhet strehë e sigurt për grupe të tilla kriminale”.
Kryeministri Kurti gjithashtu përshëndeti vendimin e Shteteve të për të vendosur sanksione kundër Zvonko Veselinoviq dhe një grupi të krimit të organizuar që vepron në veri të Kosovës.
“Përgjegjës për tregtinë e mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ky grup është dëshmia më e mirë se krimi në veri të Kosovës është realitet i përditshëm që cenon sundimin e ligjit dhe të drejtat, lirinë dhe të mirën e qytetarëve”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ai ka vlerësuar se vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës konfirmon legjitimitetin e veprimeve të Policisë së Kosovës të disa javëve më parë në komunën e Mitrovicës së Veriut ndaj kontrabanduesve të mallrave ilegale.
“Ne do të luftojmë kundër lidhjeve ndërmjet bashkëpunimit ndëretnik të grupeve kriminale dhe shtrirjes së tyre transnacionale përmes bashkëpunimit të zyrtarëve të institucioneve tona, pa dallim etnie dhe bashkëpunimit ndërkombëtar me aleatët dhe partnerët tanë”, ka thënë kryeministri i Kosovës.
Vendimin e SHBA-ve e ka mirëpritur edhe ish-kryeministri i Kosovës, dhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, reagoi gjithashtu ndaj sanksioneve të SHBA-së kundër korrupsionit dhe rrjeteve të krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë një grup kriminal që vepron në veri të Kosovës të udhëhequr nga Zvonko Veselinoviq.
Borrell shkroi se vendimi i SHBA-së për sanksionet është një hap i rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor.
“Emërimi i Shteteve të Bashkuara është një hap i rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor. Shpërbërja e rrjeteve kriminale transnacionale kontribuon në sigurinë, stabilitetin dhe promovon sundimin e ligjit në të gjithë rajonin. BE-ja është plotësisht e përkushtuar për arritjen e këtij qëllimi të përbashkët”, ka shkruar Borell.
Nga ana tjetër, “mbrojtësi i tyre”, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar ndaj vendimit të Departamentit të Thesarit të SHBA-së për vendosjen e sanksioneve ndaj Zvonko Veselinoviqit, Milan Radoiçiqit, nënkryetarit të Listës Serbe dhe dhjetë personave të tjerë , siç pritej. Është e padiskutueshme se edhe vetë Vuçiq i përkrah aktivitetet kriminale në veri të Kosovës, por edhe serbët atje që janë në institucionet e Kosovës.
Për Vuçiqin, Lista Serbe është dora dhe zëri i tij në Kosovë, kështu që nuk ka dyshim se vetë Vuçiq nuk ka përfituar nga Lista e tij besnike serbe dhe kandidatët e saj, dhe po ashtu, shtrohet pyetja retorike nëse Vuçiq me njerëzit e tij ka marrë pjesë në vepra penale?
Duke mbrojtur nderin dhe reputacionin e tij, Vuçiq, duke komentuar vendimin e SHBA-së, mohoi që Partia Progresive Serbe (SNS) në krye me të, t’i ketë marrë para Zvonko Veselinoviqit.
“Nuk na kanë dhënë asnjë dinar, për të tjerët nuk e di. Partia që unë drejtoj ka para të mjaftueshme falë fondeve shtetërore dhe kuotave të anëtarësimit. Këto janë burimet tona bazë. Nuk kemi nevojë për ndonjë shtesë”, tha Vuçiq.
Ai në një konferencë për media më 8 dhjetor tha se kishte marrë një raport joformal nga Ambasada Amerikane për këtë vendim.
“Ata i akuzuan në radhë të parë për tregti ilegale. Në fund do t’i akuzojnë se nuk e respektojnë kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por kjo është punë e tyre. Nëse ka ndonjë akuzë të rëndë, autoritetet tona shtetërore do t’i hetojnë”, tha Vuçiq.
Edhe pse presidenti i Serbisë ka vite që ka lidhje me biznesmenët kosovarë Zvonko Veselinovic dhe Milan Radojiçiq, deklaratat e Aleksandër Vuçiqit për këtë temë janë shumë kontradiktore. Nga “nuk i kam dëgjuar kurrë”, deri te “kam foto me Veselinoviqin”.
Në shpjegimin e sanksioneve amerikane, këta “miq” të partisë në pushtet janë të lidhur me kontrabandën e armëve dhe narkotikëve, por edhe me një grup të organizuar kriminal i cili akuzohet për përfshirje të dyshuar në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.
Biznesmenët e përmendur kanë vite që janë të lidhur me partinë në pushtet në Serbi, kurse vetë Radoiçiq është përfaqësues i lartë i Listës Serbe.
“Të them të drejtën, mendoj se Zvonko Veselinoviqin e kam parë dy herë dhe kam folur gjithmonë publikisht për këtë, nuk besoj se jemi dëgjuar ndonjëherë në jetë. As numrin e tij nuk e kam të regjistruar në telefon… Ndoshta ka pasur ndonjë shoqëri nëpër Kosovë, kështu që kam folur me dikë, pra ai ka qenë i pranishëm, por as këtë nuk e besoj. Mendoj se nuk kam biseduar me Milanin në jetën time, nuk kam biseduar nëse ai nuk ka qenë i pranishëm në takimet kur unë u përcjell mesazhe njerëzve nga Kosova dhe ku janë ulur përfaqësuesit e Listës Serbe, kështu që të gjithë më drejtohen mua. Në asnjë mënyrë tjetër, është shprehur “i bindur” Vuçiq.
Gazetarët investigativë të BIRN dhe KRIK kanë shkruar disa herë për afërsinë e Zvonko Veselinoviq dhe Andrej Vuçiq, vëllait të presidentit. Në atë kohë, fotografitë e Andrej Vuçiqit u publikuan në shoqërinë e personave që tani janë në listën e sanksioneve amerikane.
Publiku dëgjoi për Milan Radoiçiqin nga Vuçiq, i cili e cilësoi atë si “një njeri që mbron popullin serb dhe vatrat në veri të Kosovës”. Më vonë, kur u përmend emri i tij në lidhje me vrasjen e Ivanoviqit, ai e mbrojti atë me fjalët: Radoiçiq nuk është shenjtor, por kam dëshmi se ai nuk ka qenë i përfshirë në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.
Tani ky “shnjtor” është në listën e sanksioneve amerikane.