Nga Kina në Serbi me aeroplan, pastaj në Sarajevë me autobus.
Kështu e përshkruajnë rrugën e tyre të migracionit dy shtetas kinezë, të rinj në fillim të të njëzetave.
“Paguajta biletën e autobusit dhe kështu erdha,” tha Yong për REL se si arriti nga Serbia në Sarajevë.
Shtetasit kinezë nuk kanë nevojë për vizë për një qëndrim deri në 30 ditë në Serbi, ndërsa regjimi pa viza për Bosnjën dhe Hercegovinën (BeH) lejon qëndrim pa viza deri në 90 ditë.
Yong dhe Chen janë në kampin e migrantëve Blažuj, rreth dhjetë kilometra nga Sarajeva. Këto nuk janë emrat e tyre të vërtetë sepse nuk dëshiruan të identifikoheshin.
Ata janë ndër disa qindra migrantë kinezë që janë shfaqur që nga fillimi i vitit në rrugën e Ballkanit Perëndimor, e hapur në vitin 2015 kur qindra mijëra refugjatë nga Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore ikën në Evropë për shkak të luftërave.
Sipas të dhënave nga Frontex, Agjencia Evropiane për Rojën Kufitare dhe Bregdetare, në atë rrugë janë zbuluar 482 shtetas kinezë në kalim të paligjshëm të kufirit nga fillimi i vitit deri në shtator.
Dhe vetëm në tre muajt e fundit, janë zbuluar katër grupe me mbi 50 shtetas kinezë që tentonin të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme në rrugën e Ballkanit Perëndimor. Në një nga ato tentativa, në fillim të tetorit, një shtetas kinez humbi jetën kur një varkë u përmbys në Danub.
Yong dhe Chen, me të cilët REL bisedoi para kampit Blažuj, hezitojnë të flasin, dhe kështu nuk dëshirojnë të flasin as për arsyet përse e braktisën Kinën.
Yong, njëzet e një vjeç, tregoi se po mendon mundësinë e shkuarjes në ndonjë nga vendet e Bashkimit Evropian, por që nuk ka tentuar dhe nuk di si do ta bënte.
“Dua të qëndroj këtu dhe të gjej punë, të fitoj ca para. Mbase do të kërkoj punë në ndonjë dyqan, mund të punoja si tregtar,” thotë Yong. Ai erdhi nga provinca Henan dhe në vendin e tij punonte si shpërndarës ushqimi.
Në Blažuj, ai takoi Chenin, i cili arriti nga provinca Jiangsu. Chen punonte si ndihmës kuzhinier në Kinë.
Nuk kanë para për të paguar strehimin dhe pohojnë se gjërat u zhdukën dhe humbën pasaportat pas mbërritjes në Bosnjë, duke mos dashur të flasin për detaje. Kur u pyetën nëse kërkuan ndihmë nga ambasada kineze për shkak të pasaportave, thonë se nuk e kanë ndërmend dhe presin ndihmë nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM). Të dy gjithashtu thonë se kanë takuar edhe disa persona të tjerë nga Kina në kamp.
Në qendrën pritëse Blažuj, sipas të dhënave zyrtare, në fund të tetorit qëndronin pesë shtetas kinezë. Kjo është një qendër e tipit të hapur që përdoruesit mund ta lënë sipas dëshirës. Dy shtetas kinezë qëndronin në kampin tjetër Ušivak pranë Sarajevës.
Komisariati për Refugjatë dhe Migracion i Serbisë nuk iu përgjigj kërkesës së REL -së nëse kishte shtetas kinezë në kampet pritëse dhe qendrat e azilit në vitet 2024 dhe 2025. As ambasadat e Kinës në Beograd dhe Sarajevë nuk iu përgjigjën kërkesës së REL-së për shfaqjen e shtetasve kinezë në rrugën migratore të Ballkanit.
Si arrijnë migrantët kinezë në Ballkan?
Vetëm një fluturim aeroplanësh i afron shtetasit kinezë kufijve të vendeve Perëndimore dhe Bashkimit Evropian (BE). Pastaj, nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina, për të cilat nuk u duhen viza, ata tentojnë të shkojnë më tej drejt Perëndimit.
Kështu e shpjegon praninë e migrantëve kinezë në rrugën e Ballkanit Perëndimor Radoš Đurović nga Qendra jo-qeveritare e Beogradit për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Kërkuesve të Azilit. Serbia hapi dyert për shtetasit kinezë me regjimin pa viza, një vend me të cilin po intensifikon bashkëpunimin politik, ekonomik dhe ushtarak gjatë dekadës së fundit.
Një nga vendet e BE-së në të cilat tentojnë të hyjnë nga Serbia dhe BeH është Kroacia. 454 shtetas kinezë shprehën qëllimin e tyre për mbrojtje ndërkombëtare në atë vend në vitin 2024, dhe 377 në nëntë muajt e parë të 2025.
“Të gjithë ata arritën nga Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia duke abuzuar me regjimin pa viza në ato shtete,” i tha Ministria e Punëve të Brendshme e Kroacisë për REL.
MPB e Serbisë nuk iu përgjigj kërkesës së REL-së se sa shtetas kinezë janë regjistruar në kalim të paligjshëm të kufirit gjatë vitit 2025.
Ndërsa sipas të dhënave të Policisë Kufitare të BeH, vetëm nga korriku është parandaluar kontrabandimi i më shumë se 140 shtetasve të huaj, kryesisht në tentativë për kalim të kufirit drejt Kroacisë. Shumica prej tyre ishin shtetas të Kinës, Egjiptit, Marokut, Bangladeshit dhe Pakistanit.
Mbi një milion kinezë kanë kërkuar azil jashtë vendit midis 2012 dhe 2024, tregojnë të dhënat e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR). Edhe pse Shtetet e Bashkuara janë synimi i tyre kryesor, është e qartë se një numër migrantësh kinezë dëshirojnë të arrijnë në Evropë.
Laura Harth nga organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut Safeguard Defenders, thotë për REL se rruga e Ballkanit, ngjashëm me rrugët e emigracionit të paligjshëm në SHBA, mund të përdoret si një shteg provë. “Për ata që duan të arrijnë në Evropë përmes rrugëve të migracionit të paligjshëm, veçanërisht me përfshirjen e rrezikshme të rrjeteve të trafikimit të qenieve njerëzore,” shtoi ajo.
Pikërisht për shkak të shfrytëzimit të rrugës së Ballkanit Perëndimor për migracion të paligjshëm, Mbretëria e Bashkuar, në mes të tetorit, vendosi sanksione ndaj grupeve kriminale të Ballkanit për shitjen e pasaportave të rreme të përdorura në trafikimin e qenieve njerëzore, si dhe ndaj disa personave të përfshirë në financimin e migracionit të paligjshëm. Në të njëjtën kohë, zyrtarët britanikë të sigurisë kufitare u vendosën për herë të parë në Ballkan me qëllim shpërbërjen e rrjeteve që kontrabandojnë migrantë në Mbretërinë e Bashkuar. Qeveria britanike deklaroi në një njoftim për shtyp se kishte penguar një rrugë kyçe për migracionin e paligjshëm në Mbretërinë e Bashkuar “duke sanksionuar bandat që shfrytëzojnë rrugën e Ballkanit Perëndimor dhe financuesit që furnizojnë pajisje për varka të vogla.”
Frontex, megjithatë, thotë se në rrugën e Ballkanit Perëndimor në vitin 2024 u regjistrua një rënie e mprehtë e kalimeve të paligjshme prej 78 për qind pas përpjekjeve të fuqishme të vendeve të rajonit për të ndaluar fluksin. “Ky trend rënës vazhdon edhe gjatë këtij viti me një rënie të zbulimit të kalimeve të paligjshme të kufirit prej 47 për qind në nëntë muajt e parë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar,” shtohet në përgjigjen e Frontex-it për REL.
Frontex, me vendosjen e personelit të tij në kufijtë e BeH në fund të tetorit, kompletoi praninë e tij në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor me qëllim të forcimit të kontrollit kufitar dhe luftës kundër migracionit të paligjshëm. Komisioneri Evropian për Punë të Brendshme dhe Migracion, Magnus Bruner, tha atëherë se kjo kontribuon në uljen e kalimeve të paligjshme të kufirit për më shumë se 90 për qind gjatë tri viteve të fundit.
Çfarë thonë numrat në Serbi dhe BeH?
Nikola Kovačević nga Qendra jo-qeveritare për Hulumtim dhe Zhvillim të Shoqërisë (IDEAS) thotë se shtetasit kinezë nuk janë të pazakontë as si turistë në Serbi, por as si njerëz që vijnë për të migruar më tej drejt Evropës.
“Treguesi im është numri i kinezëve që kërkojnë azil në Serbi, i cili është rritur në dy vitet e fundit,” thotë ai kur pyetet për migrantët kinezë në rrugën e Ballkanit. “Këta janë disa njerëz, por më parë nuk kishte fare,” theksoi ai.
Kovačević thotë se sipas të dhënave të MPB-së së Serbisë, në nëntë muajt e parë të 2025-ës kishte tre kërkesa për azil nga shtetas kinezë, dhe një në vitin e kaluar. Sipas këtyre të dhënave, shton ai, qëllimin për të kërkuar azil në vitin 2022 e shprehën tre shtetas kinezë, në vitin 2023 – tetë, në 2024 – tre dhe deri në shtator 2025 – pesë.
Në Profilin Migrator të Serbisë për vitin 2024 thuhet gjithashtu se një masë largimi nga territori i Serbisë u është shqiptuar 27 shtetasve kinezë në vitin 2024. Në atë dokument zyrtar, kalimet e paligjshme të kufirit citohen si arsyeja më e shpeshtë për largimin e të huajve, madje 72.8 për qind.
Radoš Đurović, organizata e të cilit ndihmon kërkuesit e azilit, thotë se nuk takohen shpesh me shtetas kinezë. “Kjo do të thotë disa raste gjatë vitit, dhe Qendra punon me mbi 2,500 njerëz në vit, gjë që nuk do të thotë se ata njerëz nuk ekzistojnë. Ata nuk duhet të vijnë në kontakt me ne nëse kontrabandimi është i suksesshëm,” shpjegoi ai. “Është jashtëzakonisht e rrallë që njerëzit nga Kina të gjenden në qendrat pritëse,” shtoi ai.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Sigurisë të BeH, numri i shtetasve kinezë të zbuluar në kalim të paligjshëm të kufirit është rritur në dy vitet e fundit. Nga dy në vitin 2023, ky numër u ngrit në 151 në vitin 2024. Rrallë kush prej tyre shpreh qëllimin për azil në BeH, kështu që gjatë vitit 2024, nga 21,489 migrantë që shprehën qëllimin për azil, kishte tre shtetas kinezë.
Grupet kriminale vijnë edhe me migrantët
“Ajo që kemi vënë re kohët e fundit është se grupet kriminale vijnë edhe me migrantët,” tha Samir Avdibegović nga shoqata Të Drejtat Tuaja, e cila ofron ndihmë ligjore për migrantët, për REL.
Ai kujtoi rastin e Yong Zhang (42), të cilin Gjykata e BeH e dënoi me dhjetë muaj burg në një vendim të shkallës së parë më 15 tetor për nxitje ndërkombëtare në prostitucion. Ai u dënua për nxitje dhe inkurajim të prostitucionit, kryesisht të shtetaseve kineze në Mostar, Sarajevë, Doboj dhe Banja Lukë dhe kryerje të transportit nga Serbia në BeH.
Në Serbi, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, dy viktima të trafikimit të qenieve njerëzore me shtetësi kineze u identifikuan në vitin 2024.
Korridori i Ballkanit Perëndimor përmendet edhe në njoftimin e Europol-it, agjencisë policore të BE-së, në janar kur u publikua shpërbërja e një rrjeti kriminal kinez të sofistikuar. Ky rrjet ishte përfshirë në emigracionin e parregullt dhe trafikimin e qenieve njerëzore për qëllime të shfrytëzimit seksual. Në aksionet në Barcelonë, Madrid dhe Toledo në Spanjë, si dhe në Zagreb në Kroaci, u arrestuan 30 persona, përfshirë udhëheqësit e rrjetit kriminal. Në njoftim u tha se duke përdorur korridorin e Ballkanit Perëndimor, grupi i kontrabandistëve bashkëpunonte me ndërmjetës lokalë dhe shoferë për të transportuar viktimat në mënyrë të parregullt në BE.
Pse kinezët kërkojnë gjithnjë e më shumë azil?
Sipas të dhënave të UNHCR-së, numri i kërkuesve të azilit nga Kina është rritur 11 herë që nga viti 2012 kur Xi Jinping, i cili konsiderohet lideri më i fuqishëm kinez në dekadat e fundit, erdhi në pushtet. Kur erdhi në pushtet, mendohej se Jinping do të sillte reforma në vend, sot kritikët e akuzojnë atë se po krijon një shtet totalitar.
Organizata Safeguard Defenders thotë se vetëm në vitin 2022, numri i kërkuesve të azilit kinezë jashtë vendit ishte i njëjtë si gjatë tërë epokës dhjetëvjeçare të Hu Jintao-s. Aktivistja e kësaj organizate, Laura Harth, thotë për REL se përveç mjedisit gjithnjë e më represiv, veçanërisht ndaj pakicave etnike dhe fetare, duhen marrë parasysh edhe faktorë të tjerë.
“Rënia e ekonomisë vendase në Kinë, lëvizshmëria shoqërore gjithnjë e më e ulët dhe pothuajse pamundësia për të kërkuar mbrojtje ligjore për problemet e zakonshme si përvetësimi i paligjshëm i tokës, pagat e papaguara dhe zyrtarët e korruptuar,” theksoi ajo.
Ku kërkojnë më shumë azil shtetasit kinezë?
Sipas të dhënave të UNHCR-së, në vitin 2024, shtetasit kinezë paraqitën më shumë kërkesa për azil në Shtetet e Bashkuara, gati 148,000. Pastaj në Australi, ku ishin rreth 14,000, dhe në Kanada, gati 5,000. Në Evropë, shtetasit kinezë kërkuan azil më së shumti në Mbretërinë e Bashkuar – gati 2,500, pastaj Itali – mbi 2,000 dhe Gjermani – mbi 1,200.

Azerbajxhani proteston ndaj Rusisë pasi ambasada në Kiev u dëmtua nga sulmi me raketa ruse
Japonia i kërkon Kinës të zvogëlojë reagimin në debatin për Tajvanin
Kallas konfirmon se BE po punon për një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë
Gjermania miraton planin e ri të shërbimit ushtarak për të rritur numrin e trupave
Një kompani kineze e sanksionuar nga SHBA-ja në garë për ndërtimin e autostradës së Malit të Zi
‘Boshti Moskë-Beograd-Lubjanë’: Dr. Verčič shpalos luftën ‘subtile’ informative të Rusisë